Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, ende në udhëkryq

Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror sot kanë raportuar para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, lidhur me gjetjet për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal i Zi. Kryesuesi Shpejtim Bulliqi, ka raportuar për herë të parë para deputetëve, që nga zgjedhja e tij në krye të këtij komisioni. Sipas tij, raporti nuk ka përfunduar ende, përveç disa çështjeve teknike rreth ish komisionit – shkruan Gazeta e Re.

Në një prononcim dhënë për mediumin tonë analisti Florim Zeqa, tregoi se, nga fillimi ka qenë e ditur për mospërputhjen e fakteve të ish komisionit qeveritar për demarkimin e kufirit me Malin e Zi me faktet e grupit të ekspertëve.

Pra “në rrafshin praktik demarkimi i kufirit nga komisioni i ri, gjegjësisht përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi, do të pësojë ndryshime rrënjësore. Mirëpo megjithatë ndryshimi i marrëveshjeve të nënshkruara nga liderët tan shtetëror, presidenti Thaçi dhe ish kryeministri Mustafa me homologët e tyre malazezë është vështirë i realizueshëm pa pëlqimin e palës malaziase. Përkundër kësaj, sjellja e variantit të ri të demarkimit të kufirit në Kuvendin e Republikës së Kosovës mund të nxjerr një epilog të ri, që i bie, hapja e mundësisë për dërgim në “Arbitrazh” ndërkombëtar të variantit të ri të votuar në parlament”, thotë Zeqa.

Sipas tij, arbitrazhi ndërkombëtar mbetët e vetmja mundësi për prodhimin e një zgjidhje të re kompromisi mes dy shteteve, “nga e cila, mbase Kosova mund të shpëtoj diçka nga ajo që është humbur në marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare. Dërgimi i Demarkacionit me Malin e Zi në arbitrazh ndërkombëtar, duhet shfrytëzuar si mundësi e daljes nga bllokada, gjegjësisht hapja e rrugës për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovar. Në të kundërtën, qytetarët e vendit rrezikojnë t’i vuajnë pasojat afatgjata të gabimeve të liderëve shtetëror dhe inateve kapriçioze të liderëve partiakë”.

Mendim të përafërt ndan edhe analisti Faik Krasniqi. Sipas tij, nëse ka të gjetura lidhur me demarkimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, atëherë Malit të Zi duhet t’i kërkohet rinegocim për t’i përmirësuar gabimet e bëra të Komisioneve të mëhershme.

“Por nëse ato të ”gjetura” nuk janë me fakte të gjalla juridike, atëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta ratifikojnë sa më parë, në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta fitojnë lëvizjen e lirë në shtetet e Bashkimit Evropian. Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht janë duke bërë thirrje që sa më shpejt ta ratifikojnë Demarkacionin, në të kundërtën s’do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Këtë gjë e kanë përsëritur me dhjetëra herë edhe zyrtarët e shtetit amerikan”, deklaron Krasniqi.

Kurse analisti tjetër Faton Mehmeti, shprehet skeptik se mund të bëhet diçka për demarkacionin. Ai lë fajtore palën shqiptare të Kosovës e cila thotë se ka gabuar shumë me nënshkrimin e marrëveshjes me Malin e Zi për këtë çështje. Siç thotë ai, edhe kushtetuesja ka gjetur se është cenuar sovraniteti i vendit.

“Gjithsesi është e ditur se demarkacioni është temë e vdekur dhe nuk mund të ndryshohet asgjë. Demarkacioni i shërbeu si kauzë për të ardhur në pushtet z.Haradinaj, por që po del të këtë qenë e rreme. Pavarësisht komisionit të ri dhe të gjeturave të reja që mund t’i raportojnë, një gjë dihet se asgjë s’do ndryshohet më në këtë aspekt të demarkacionit. Prandaj është humbje kohe dhe përpjekje për arsyetim që bënë Ramushi me komisionin e ri, sepse edhe vet e kupton se demarkacioni është temë e mbyllë kur edhe pse e gabuar”, përfundon Mehmeti.

Kujtojmë që, Bashkimi Evropian ditë më parë u ka bërë me dije institucioneve të Kosovës se ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi mbetet kusht për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës./Fahrije Bajrami/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet