Çavusoglu: Raketat “S-400” nuk i morëm për t’i mbajtur në kuti

Çavusoglu iu përgjigj interesit të gazetarëve në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë, ku ndodhej për të marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

I pyetur rreth kryerjes së testeve të raketave “S-400” në Ankara dhe reagimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me çështjen në fjalë, ministri turk i Punëve të Jashtme u përgjigj me këto fjalë: “Ne s’i kemi dhënë garanci askujt dhe asnjë shteti se nuk do t’i instalojmë apo nuk do t’i përdorim sistemet e mbrojtjes ajrore «S-400». Sistemet e mbrojtjes ajrore i blemë sepse kishim nevojë.”

Ai rikujtoi se Italia, Holanda dhe Gjermania i tërhoqën në vitin 2013 sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore me bazë në Turqi.

“Ne i blemë (raketat) «S-400» sepse kishim nevojë. Vallë a blihet sistemi i mbrojtjes ajrore për t’u mbajtur në kuti? Presidenti ynë i nderuar ia ka thënë edhe SHBA-së haptazi e qartë se nuk angazhohemi për këtë gjë. Dhe as që bëhet fjalë për të dhënë një garanci të tillë”, vlerësoi Çavusoglu.

Shefi i diplomacisë turke rikujtoi gjithashtu se Ankaraja i ka propozuar Uashingtonit ngritjen e një komisioni për hetimin e shqetësimeve teknike që pala amerikane ka lidhur me raketat “S-400”.

“Ky propozim ka qenë i vlefshëm që prej fillimit dhe i tillë është ende sot e kësaj dite”, nënvizoi ai dhe shtoi se Turqia dëshiron që në këtë hetim të përfshihen ekspertë të NATO-s gjithashtu.

“Ne s’jemi një shtet që ndryshojmë vendimin apo marrim vendim sipas kërkesave të një vendi tjetër”, përfundoi ministri Çavusoglu. /vot

Kategoritë
BotaLajme