Çavuşoğlu për “The Washington Times”: Çka bëjmë sot, përcakton të nesërmen

E përditshmja amerikane “The Washington Times” publikoi një artikull të ministrit të Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu me titull “Çka bëjmë sot, përcakton të nesërmen”, ku adresohet qëndrimi i botës ndaj pandemisë COVID-19.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, në një artikull në “The Washington Times” deklaroi se përpjekjet individuale për të luftuar pandeminë e koronavirusit (COVID-19) nuk janë të mjaftueshme, pasi sfida globale kërkon një përgjigje globale, fillimisht në frontin e shëndetit publik dhe më pas në ekonomi, dhe në planin afatgjatë në reformat e institucioneve ndërkombëtare dhe mënyrën se si vendet i mbështesin ato, transmeton Anadolu Agency (AA).

E përditshmja amerikane “The Washington Times” publikoi një artikull të ministrit të Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu me titull “Çka bëjmë sot, përcakton të nesërmen”, ku adresohet qëndrimi i botës ndaj koronavirusit.

Çavuşoğlu theksoi se pas çdo ngjarjeje kataklizmike, njeriu priret të mendojë se bota nuk do të jetë më kurrë e njëjtë.

“Këtë herë, është e vërtetë se bota duhet të ndryshojë në mënyra të caktuara. Historia globale është e mbushur me kthesa të tilla dhe thuajse të gjithat janë të dhimbshme. Për vite me radhë, jemi paralajmëruar se një pandemi mund të jetë ky kataklizëm. Një pjesë e njerëzimit jeton në mes të luftërave të tërbuara, krizës, brishtësive endemike, shtete në kolaps dhe mjerimit njerëzor sa që shkon deri atje sa më keq nuk mund të bëhet. Ata që jetojnë në rajone të qeta, të prosperuara, mund të mendojnë se asgjë nuk do t’i dëmtojë ata dhe se fati i tyre është të mbeten të lumtur. Pandemia megjithatë është ashtu siç është; asnjë shoqëri, anjë individ nuk mund të shpresojë se do të mbetet i paprekur nga virusi. Prandaj, distancohemi nga të tjerët, nga bekimet e bashkëveprimeve shoqërore”, theksoi Çavuşoğlu.

Ai rikujtoi se epidemia ka arritur në çdo kontinent përveç Antarktidës, më shumë se një e treta e njerëzimit është në shtëpi, dhe të gjitha atyre jetëve të humbura, tashmë në numra tronditës do t’i bashkohen një mori të tjerash. Ai thekson se ndikimi ekonomik i kësaj pandemie gjithashtu do të jetë marramendës dhe mund të jetë afatgjatë. Kryediplomati turk është i mendimit se ndikimi në dobësitë ekzistuese të shtetit, mbi politikën dhe sigurinë sigurisht që do të rëndojë mbi qeveritë në gjithë botën. Na duhet kohë që të shohim dritën në fund të tunelit dhe nuk mund të presim, theksoi Çavuşoğlu. Kjo, tha ai, është një kohë për reflektim, por edhe për udhëheqje dhe veprim.

“Sistemi global ishte në gjendje çrregullimi edhe para se koronavirusi të godiste njerëzimin. Turqia mbronte qëndrimin se sistemi duhet të reformohet. Këtë e quajtëm ‘Bota është më e madhe se pesë’, një axhendë që ka të bëjë me përbëjen e vjetëruar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por se nuk ndalet këtu. Si një vend që është dashur të merret me konflikte të vazhdueshme dhe tragjeditë njerëzore në fqinjësinë e saj të afërt, dhe si nikoqir i popullatës më të madhe të refugjatëve në botë, ne e dinim se sistemi nuk po funksiononte. Në vitin 2008, kur bota u godit nga pandemia ekonomike, vendet e G20-tës arritën të sjellin një sens drejtimi dhe stabiliteti në ekonominë e shkatërruar të botës. Sistemi asokohe ishte në veprim, por kryesisht falë një lojtari relativisht të ri global. Ne duhet të përgatitemi për një tronditje të ngjashme ekonomike edhe kësaj radhe, dhe nga njëra anë të sigurohemi që sistemi të funksionojë, ndërsa nga ana tjetër të angazhohemi për ndryshimet e nevojshme”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar:

“Prioriteti kryesor është mbrojtja e shëndetit, mbrojtja e njerëzve nga virusi COVID-19, ne mbështesim deklaratën në kohë të G20-tës që udhëheqësit u zotuan të veprojnë në solidaritet për të luftuar pandeminë dhe për të mbrojtur ekonominë globale dhe tregtinë pa restrikcione. Vazhdimi i marrëveshjes SWAP është ndër masat më domethënëse të dakorduara brenda G20-tës. Na gëzon fakti që G20 pranoi propozimin tonë për krijimin e Grupit të Lartë Koordinues të Zyrtarëve të Lartë sepse duhet të koordinojmë nga afër çështjet siç janë menaxhimi i kufijve dhe riatdhesimi i qytetarëve. Falënderoj Kanadanë për prezantimin e ideteve fillestare mbi modalitetet e saj. G20 edhe njëherë dëshmoi se është formati i duhur për menaxhimin e krizës globale”.

Kreu i diplomacisë turke shprehet më tej se shumë vende gjithashtu kanë miratuar masa të forta individuale, përfshirë Turqinë. Megjithatë, sipas tij, përpjekjet individuale nuk janë të mjaftueshme. Sfida globale, thotë ai, kërkon një përgjigje globale, së pari në frontin e shëndetit publik dhe më pas në ekonomi, dhe në një afat të gjatë në reformimin e institucioneve ndërkombëtare dhe mënyrën se si vendet i mbështesin ato.

“Institucionet kompetente ndërkombëtare duhet të marrin një rol efektiv në ofrimin e ndihmës financiare dhe ndihmës me pajisje mjekësore. Mbrojtja e komuniteteve të brishta, migrantëve të parregullt dhe refugjatëve, si dhe mbështetja për vendet pritëse tani janë edhe më të rëndësishme. Rrjetet globale të furnizimit dhe transferimet e mallrave duhet të funksionojnë pa pengesa. Sanksionet si mjete të drejtpërdrejta politike duhet të vlerësohen nga pikpamja njerëzore. Shumë sanksione, përfshirë ato kundër Iranit, nuk dëmtojnë vetëm popullin iranian, por edhe fqinjët e tyre, dhe ky rrezik është edhe më i madh gjatë pandemisë. Vendet në zhvillim dhe vendet më pak të zhvilluara, veçanërisht në Afrikë, nuk duhet t’i lëmë mënjanë”, theksoi Çavuşoğlu.

Një temë tjetër që shqetëson të gjithë dhe që ka nevojë për një përgjigje globale është të ndalojmë konfliktet që kanë pasoja shumë të rënda për njerëzit, ekosistemet, ekonominë dhe ndërgjegjen tonë, thotë Çavuşoğlu.

“Prandaj, i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të tërhiqet nga të gjitha konfliktet, t’i japë fund armiqësive dhe të synojë me sinqeritet të kërkojë dialog dhe pajtim, përfshirë Lindjen e Mesme. Garat gjeopolitike dhe kundërshtimet politike nuk kanë kuptim kur dikush e di se bota po lufton për shëndetin e saj dhe se të gjithë po vuajnë. Kjo thirrje nuk do të kalojë pa u vënë re nëse të gjithë i kushtojmë një minutë për ta mbështetur atë në të gjithë botën. Kjo gjeneratë e udhëheqësve me vendimet që merr sot lidhur me pandeminë në të vërtetë përcakton të ardhmen e rendit botëror. Farat që mbjellim sot, së shpejti do të na dalin para syve si realitet. Realiteti i sistemit global bazohet në rregulla, rrjetin e shteteve funksionale kombëtare që janë rezistente dhe të përgjegjshme, ekonimitë që nuk lënë asnjë anash dhe u shërbejnë të gjithëve. E gjithë kjo, me mbështetje të organizatave përkatëse ndërkombëtare dhe të fokusuara për mirëqenien e njerëzve pavarsisht përkatësisë kombëtare, fetare apo racore, mund të jet në të mirën tonë. Meqenëse synimet alternative nuk kanë kuptim, ato madje mund të jenë të dëmshme për të mirën e përbashkët. Prandaj, kjo pandemi mund të jet një pikë kthese, pavarësisht të gjitha dhimbjeve dhe vuajtjeve që i ka shkaktuar, nëse të gjithë vendosim të angazhohemi. Qëndroni në shtëpi dhe rrini të qetë”, përfundoi Çavuşoğlu.


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet