Ca sqarime për Hagia Sophia-n: pse as republikanët që e kthyen në muze, nuk kundërshtuan rikthimin në xhami?

Nga Jasin Aktay

86 vjet më parë, xhamia Hagia Sophia u shndërrua në një muze, dhe tani ajo është rikthyer në formën e saj origjinale duke u bërë përsëri një xhami, bazuar në një vendim të marrë kohët e fundit nga Presidenti turk Erdogan.

Në fakt, vendimi i Erdoganit bazohet në një aktvendim të Gjykatës Supreme Administrative, e cila zgjidhte këtë mosmarrëveshje juridike që zgjati me vite, dhe e cila, bazuar në dokumentet në dispozicion, nxori një vendim ku thuhej se Hagia Sophia po kthehet në dhurimin e sulltanit Mehmed Fatih, dhe për këtë arsye nuk mund të përdoret për qëllime të tjera përveç si një xhami.

Dhe pasi gjykata vendosi që vendimi i Këshillit të Ministrave për ta kthyer Hagia Sophia-n në një muze në 1934 ishte i pavlefshëm, nuk kishte më pengesa që Hagia Sophia të kthehej në formën e saj origjinale.

Duhet thënë se procesi i privimit të Hagia Sophia-s nga karakteri i saj islam gati 100 vjet më parë ishte një ngjarje trishtuese për tërë botën islame, jo vetëm për popullin turk. Procesi i shndërrimit të Hagia Sophia-s në një muze ishte i lidhur me situatën dhe gjendjen që kaloi bota islame pas Luftës së Parë Botërore.

Ndër tiparet më të spikatura të kësaj periudhe është se muslimanët kishin mbetur pa udhëheqje ose përfaqësim diplomatik në skenën e politikës ndërkombëtare, sepse në atë kohë nuk kishte asnjë mekanizëm apo shtet politik që do të përfaqësonte botën e madhe islame. Kjo është arsyeja pse njerëzit – veçanërisht njerëzit fetarë dhe të devotshëm – e përjetuan si një pikëllim të madh shndërrimin e Hagia Sophia-s në muze.

Në kulturën islame në Turqi, vlera e Hagia Sophia-s është e krahasueshme me Xhaminë Al-Aksa, e cila sot konsiderohet një shenjë ose simbol i dobësisë së umetit islam dhe ekspozimit të tij ndaj okupimit dhe pafuqisë, dhe në të njëjtën kohë një shkëlqim shprese për ringjalljen e unitetit dhe motivimit islam.

Prandaj, rihapja e Hagia Sophia-s nuk u mbështet vetëm nga Partia Drejtësi dhe Zhvillim dhe Partia e Lëvizjes Kombëtare, por të gjitha grupet e shoqërisë turke e mirëpritën vendimin me një entuziazëm të madh, ku edhe Partia Popullore Republikane, e cila e ktheu Hagia Sophia-n në muze, nuk kundërshtoi.

Në nivel global, reagimet më të mprehta ndaj këtij vendimi ishin nga Greqia, e ndjekur nga disa vende evropiane dhe Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, çështja e Hagia Sophia-s është kryesisht një çështje turke dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në të.

Së dyti, ky vendim nuk çoi në shndërrimin e Hagia Sophia-s nga një kishë në një xhami dhe hapja e saj për besimtarët muslimanë nuk do të vë në dyshim ndonjë shenjë shenjtërore të të krishterëve, pasi Hagia Sophia do të ruajë formën dhe pamjen e saj ekzistuese. Shndërrimi i Hagia Sophia-s në një muze 86 vjet më parë ishte një gabim i madh, i cili shkaktoi trishtim të madh në mesin e muslimanëve, dhe sot ai gabim po korrigjohet. Nga ana tjetër, muslimanët iu nënshtruan genocidit në Evropë, veçanërisht në Spanjë dhe në Ballkan, pasi jetuan atje për 800 vjet dhe themeluan civilizime, përfundimisht xhamitë e tyre u shkatërruan ose u kthyen në kisha, dhe ne nuk dëgjuam një zë të vetëm që e kundërshtoi këtë.

Në Greqi, Selanik dhe Athinë, ku jetonte një numër i madh i muslimanëve, nuk mund të gjesh sot asnjë xhami; të gjitha këto ndërtesa të lashta tani janë braktisur ose prej tyre mund të dëgjohen kambanat e kishave.

Në të kundërt, Sulltan Mehmed Fatih, me përjashtim të Hagia Sophia, nuk lejoi që të bëhej ndonjë dëm ndaj ndonjë kishe tjetër në qytetin e Stambollit. Në vend të kësaj, ai vendosi pjesën tjetër të kishave të qytetit nën mbrojtjen e tij. Edhe sot, gjërat nuk janë shumë më ndryshe, sepse ka shumë kisha të vjetra dhe të reja në Turqi, dhe vetë shteti ka marrë përsipër detyrimin për të rinovuar disa kisha historike.

Ndërsa për Shtetet e Bashkuara, të cilat kohët e fundit e shpallën Jeruzalemin kryeqytetin e Izraelit dhe nuk tregojnë respekt për vendet e shenjta dhe trashëgiminë e përbashkët të feve të ndryshme, ata nuk kanë të drejtë të komentojnë për Hagia Sophia-n, e cila u shndërrua në një xhami 567 vjet më parë.

Por reagimi i Evropës dhe i krishterëve mund të kuptohet në një farë mase, sepse kjo ngjarje, edhe nëse është pjesë e së kaluarës antike, në një sens psikologjik, prodhon një ndjenjë mposhtjeje. /tesheshi.com/


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet