Bytyqi, PDK: Nëse vazhdon kjo qasje e qeverisë, sistemi shëndetësor mund të kolapsojë

418 raste të reja me COVID-19 është rekordi që sot është shënuar në Kosovë, në vazhdën e trendit të rritjes të numrit të të infektuarve.

Deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyqi, ka thënë se aq sa është shqetësuese rritja e numrit të të infektuarve është edhe qasja e Qeverisë Hoti në menaxhimin e pandemisë.

Madje, ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se nëse vazhdon një qasje e tillë, atëherë sistemi shëndetësor në Kosovë mund të kolapsojë.

“Është shqetësuese, përveç rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, edhe qasja apo neglizhenca e kësaj qeverisje në menaxhimin e kësaj pandemia. Duke marrë parasysh që Kosova ka sistem të brishtë shëndetësor dhe jo shumë stabil, kjo qeveri nuk është mjaftueshëm energjike për të marrë vendimet e duhura që qytetarët të jenë më të përgatitur dhe të zbatojnë sa më strikt masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ka një shkëputje të hallkave nga qeveria deri tek shtabet emergjente të komunave”.

“Nëse do të vazhdojë qasja e tillë e qeverisjes dhe gjithë mekanizmit institucional mund të ndodhë që të kolapsojë sistemi jonë shëndetësor dhe për pasojë të përballemi me probleme jashtëzakonisht të mëdha”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi