Bylbyl Sokoli: Nuk duhet të na vlejë më motoja me rëndësi të marrim pjesë, jo! Me rëndësi është që të fitojmë

Të ulur në tavolinën e një kafeneje, në ambient të hapur, në një mot të përzishëm, zhvilluam një bisedë me tone krejtësisht shpresëdhënëse. Bylbyl Sokoli, figurë e njohur e sportit, vazhdon të jetë optimist për sa i përket të ardhmes së futbollit në vend. Sokoli që është profesor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit në Universitetin e Prishtinës, njihet si drejtues i disa skuadrave në Kosovë dhe jo vetëm. Milanos së Kumanovës, mbase nuk do t’i dëgjohej zëri, po të mos drejtohej nga ai. Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, strategu nga Kosova, flet për rrjedhojat e futbollit pas luftës dhe mundësive ideale që i kemi pasur, për ta zhvilluar këtë sport.

Ndër të tjera, ai flet rreth potencialit të pashfrytëzuar i cili ekziston në vend dhe ideve se si të shfrytëzohet ai. Përfaqësuesja dhe rezultatet e dobëta të saj, nuk i shpëtojnë analizës së tij, duke i identifikuar me kujdes rrugëzgjidhjet.

GeR: Z. Sokoli, e dini se Përfaqësuesja e Kosovës në Futboll i ka zhvilluar 6 ndeshje, në garat kualifikuese drejt Kampionatit Botëror të Futbollit Rusia 2018 dhe prej këtyre ndeshjeve, ka arritur të grumbullojë vetëm një pikë, a duhet të jap dikush llogari për këto rezultate të dobëta?

Sokoli: Është e saktë, rezultatet e dobëta, 18, 19 golat e pranuar në raport me 3 të shënuara si dhe pozita e fundit në tabelë dëshmon që në këtë edicion Kosova ka dështuar plotësisht. Është e pakuptimtë që të vazhdojmë kështu. E për sa i përket dhënies së përgjegjësisë, ajo dihet, ata që udhëheqin me përfaqësuesen duhet ta mendojnë këtë. Për më keq kur nuk shihet asnjë shenjë e përmirësimit, që do të mund të jepte shpresa se një ditë do të kemi një përfaqësuese më të fuqishme, më të organizuar apo një lojë më efikase dhe prezantim më të suksesshëm.

GeR: A duhet të shkarkohet përzgjedhësi i përfaqësueses?

Sokoli: Se a duhet shkarkuar apo jo, unë nuk jam ai që e kam emëruar. Ata të cilët e kanë emëruar, ata duhet ta mendojnë këtë. Por në saje të rezultateve mund të gjykojmë se diçka nuk është në rregull aty. Megjithatë, për shkarkimin e tyre vendosin ata që e kanë emëruar.

GeR: Sigurisht keni dëgjuar që Kosova i ka pasur dy oferta serioze (nga Turqia dhe Hungaria), për ndërtimin e stadiumeve, a keni ndonjë koment për këto?

Sokoli: Atmosfera politike e krijuar kohëve të fundit, ka shkaktuar disa elemente të neglizhencës që neve na kanë kushtuar. Unë nuk i di hollësitë, prandaj nuk i jap të drejtë vetvetes të flas për detajet e këtyre ofertave, por unë e di që infrastruktura në Kosovë, për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, vërtetë është e mangët. Është më se e nevojshme të ndërtohet kjo infrastrukturë që do t’i plotësonte kriteret e UEFA-s. Se a ka gabuar dikush në hapat për realizimin e këtyre ofertave? Unë nuk e di sepse, siç e thash, unë nuk i di detajet…

GeR: Por pyetja që s’mund ta shmangim është kjo që, a kemi pasur mundësi që përgjatë viteve të pasluftës të bëjmë diçka në këtë drejtim?

Sokoli: Sigurisht që kemi pasur, por na ka munguar planifikimi. Drejtuesit e institucioneve si duket kanë menduar se gjërat nuk do të ndryshojnë. Ju e dini që shumë asociacione në arenën ndërkombëtare nuk janë të pranuara edhe pse, shteti ynë, njihet si shtet. Kosova ka qenë e pranuar, kurse federata s’ka qenë e pranuar. Mos të them tash që vendi ynë njihet si shtet, ndërsa nuk është i pranuar në Interpol. Pastaj, federata është e pranuar, ndërsa shoqata e trajnerëve nuk është e pranuar. Trajnerët tanë shpenzojnë mjete të shumta për licencim në Maqedoni, Shqipëri, Bosnje etj, ndërkohë, pse të mos kryhen në Kosovë? Nuk ekziston as edhe një arsye që kjo të na mohohet. Prandaj po them që jemi duke bërë hapa shumë të ngadaltë, në aspektin e realizimit të objektivave që i kërkon shteti. Ne të gjithë duhet të angazhohemi që, të gjitha këto kritere që kërkohen, të realizohen sa më parë që të jetë e mundur.

GeR: Sipas teje, cilët do të ishin hapat konkret, të cilët do ta “gjallëronin” futbollin, respektivisht t’i avanconin skuadrat tona në nivelin e dëshirueshëm?

Sokoli: Hapi i parë konkret do të ishte rregullimi i infrastrukturës ligjore. Ligji do të përcaktonte pronësinë dhe statusin e klubeve. Këto të fundit, sipas ligjit, funksionojnë si shoqata joqeveritare. Futbolli është biznes, prandaj në shoqata askush nuk dëshiron të investojë. Në formë më përmbledhëse do të mund të thoshim se: Rregullimi i infrastrukturës ligjore, rregullimi i infrastrukturës fizike dhe planifikimi i shfrytëzimit të resurseve humane, janë tri segmente, respektivisht tre hapa, që duhet të mendohen me kujdes në të ardhmen.

GeR: Sa do të ishte investim i mençur, nëse fondet orientohen drejt themelimit të shkollave të futbollit, siç e kanë përfshirë si ide në programet e tyre qeverisëse disa subjekte politike?

Sokoli: Kosova është vendi me më së shumti shkolla futbolli në rajon. Mendoj që nuk është keq të hapen, por duhen kritere. Të qartësohet se kush mund të themelojë shkolla të tilla, sepse sot ka shumë shkolla private të futbollit por të cilat, nuk i plotësojnë kriteret. Megjithatë kjo është temë e gjerë, në të cilën nuk do të doja të thellohesha.

GeR: Për fund, ju mendoni se në vendin tonë, ekziston brumi, ekziston potenciali dhe përfundimisht ne duhet t’i mbajmë gjallë shpresat për një të ardhme më të mirë të sportit, konkretisht futbollit?

Sokoli: Po, potencial ka, pa dyshim. Vet ekzistenca e shkollave të futbollit, numrit të madh të tyre, dëshmon që këtu ka interes, e rrjedhimisht edhe potencial për zhvillimin e këtij sporti. Por duhet ta kuptojmë që futbolli është biznes profitabil, e për ta zhvilluar futbollin duet krijuar parakushte, që biznesmenët të merren me  këtë veprimtari. Fillimisht, siç e thamë, duhet ta ndërtojmë infrastrukturën ligjore, infrastrukturën e objekteve dhe t’i zhvillojmë kapacitetet e kuadrove profesionale. Për ta zhvilluar këtë sport, duhet të investojmë në këto tri segmente. Më konkretisht, duhet të zgjidhet çështja e statusit të klubeve, mandej për edukimin e trajnerëve, duhet që Federata e Futbollit ta funksionalizojë më shumë qendrën e edukimit. Në këtë qendër po vijnë kohë pas kohe trajnerë nga Gjermania dhe aty do të ishte mirë të merreshin licencat për trajnerë futbolli, ndërsa për kategorinë A – Profi dhe B, ashtu kështu po vijojnë të licencohen në Shqipëri, Maqedoni dhe vende të tjera të rajonit. Pra ne, përveç specifikave që i kërkon UEFA, duhet të investojmë që të kemi edukimin tonë dhe t’i përmbushim nevojat tona, specifikat tona. Përfundimisht duhet të punojmë shumë me grupmoshat e reja, sepse ardhmëria e seleksionit, ndodhet këtu. Përderisa Maqedonia është kualifikuar në Kampionatin Evropian të U 21, në përfaqësuesen e së cilës luajnë 6 shqiptarë, pse Kosova nuk mund ta bëjë këtë? Nuk vlen më motoja – ‹‹me rëndësi të marrim pjesë ››, jo! Me rëndësi është që të fitojmë. As nuk mund të justifikohemi duke thënë ‹‹hera e parë, hera e parë››, jo, të tjerët (aludon në Kroacinë), në paraqitjen e tyre të parë në garat ndërkombëtare të futbollit, kanë zënë vendin e tretë në botë. Kosova ka potencial, ne vetëm duhet të punojmë./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTA JAVORELajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet