Buxheti i Kosovës për vitin 2021 pritet të jetë 2.4 miliardë euro

Qeveria e Kosovës (Ministria e Financave) është në fazën finale të përgatitjes së projektbuxhetit për vitin 2021.

Buxheti për vitin 2021 pritet të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë euro më i ulët në krahasim me këtë të vitit aktual për shkak të pandemisë COVID-19.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi në një intervistë për KosovaPress deklaroi se janë në fazën finale të përgatitjes së buxhetit për vitin 2021, pasi që janë të obliguar deri në fund të këtij muaji të dorëzojnë projektbuxhetin në Kuvend për miratim.

Krasniqi ka thënë sesi rezultat i mosmiratimit të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike nuk përjashtohet mundësia që të ulen pagat në sektorin publik si dhe të zvogëlohen shpenzimet në investime.

“Për vitin 2021, duke pasur parasysh burimet e brendshme e të jashtme, tek shpenzimet jemi ende në fazën e fundit të diskutimeve, por buxheti do të jetë diku rreth 2.4 miliardë euro, do të thotë bien në krahasim me këtë vit (2020) që është 2 miliardë e 600 milionë. Po ashtu bie edhe kjo pjesa që kemi obligim për rritjen e borxhit dhe deficitit prej 6.5 ku ne duhet të kthehemi brenda tri viteve tek 2 përqindëshi… Do të jetë më i vogël buxheti edhe për shkak të pandemisë, por realisht nëse krahasojmë buxhetin 2020 me 2021 të hyrat do të rriten, do të rikthehemi te rritja ekonomike, por jo në atë shkallë për të mbërritur kufirin e vitit 2020, për arsye se ne kemi shfrytëzuar bilancin bankar, rregullin fiskal për rritje të decitit buxhetor. Pra, këto janë instrumentet që e diktojnë edhe madhësinë e shpenzimeve të buxhetit”, thotë Krasniqi.

Zëvendësministri Krasniqi po ashtu ka kërkuar nga Kuvendi që ta miratojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, dhe në momentin që miratohet në lexim të parë pastaj ekziston mundësia që të bëhen ndryshime para se të dërgohet për votim në lexim të dytë.

Megjithatë për të shpëtuar sektorin privat, Krasniqi ka edhe një ide tjetër, që nuk përjashton mundësinë e uljes së pagave në sektorin publik.

“Ne duhet tash të vendosim a duhet t’i zvogëlojmë shpenzimet në investime, a duhet t’i zvogëlojmë shpenzimet në subvencione e që nuk ka mundësi se janë të gjitha obligime ligjore. A duhet t’i zvogëlojmë subvencionet dhe grantet në bujqësi, a duhet t’i zvogëlojmë investimet publike apo duhet t’i zvogëlojmë edhe pagat. Prandaj, në këto raporte nuk përjashtohet asnjë mundësi, po them edhe pagat, për arsye që në rast se i zvogëlojmë investimet ne do ta zvogëlojmë mundësinë e rritjes ekonomike, e që kjo ndikon komplet edhe në sektorin privat. Unë po e mirëkuptoj nga një herë edhe sektorin privat kur thonë se ju sektori publik nuk jeni prek prej pandemisë, sepse kanë të drejtë. Prandaj, është mirë më shpejt të intervenohet”, thotë Krasniqi.

Për vendimin e fundit të Qeverisë për ndarjen e 87 milionë eurove për rimëkëmbje ekonomike, zëvendësministri ka thënë se javën tjetër nis ekzekutimi i mjeteve për bizneset private në shumën prej 60 milionë euro dhe 12 milionë euro për bujqësi.

“87 milionë euro që janë ndarë me vendimin e fundit dhe janë ndarë të gjitha mjetet që kanë qenë në dispozicion deri tash për rimëkëmbjen ekonomike e që nuk preken me projektligjin që është dërguar në Kuvend… Ajo që është me rëndësi është që nëse nuk kalon Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike do të mungojnë 100 milionë euro mjete të AKP-së, mjete këto për të ndihmuar kryesisht sektorin privat… Mund të ekzekutohen menjëherë javën e ardhshme”, tha ai.

Krasniqi ka komentuar edhe propozimin e PDK-së për kompensimin e 10 për qind të Trustit. Ai thotë se do të ishte pabarazi për qytetarët, pasi që për rimburësim kishte propozuar edhe kjo qeveri qysh në fillim të projektimit të planit për rimëkëmbje ekonomike.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi

Të ngjajshmet