BURIM PIRAJ: Serbët janë dhunues të mëdhenj të traktatit të CEFTA-së

Burim Piraj është një ndër biznesmenët më të suksesshëm kosovar. Produktet e Kompanisë ‘Meka’, në krye të të cilës ndodhet ai, kanë gjetur  vend jo vetëm në tregun vendor, por edhe përtej.

Meqë “betejat ekonomike e diplomatike” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë intensifikuar ditëve të fundit, ne shfrytëzuam rastin dhe e intervistuam z. Piraj, për të kuptuar nga dora e parë, se ç’dobi i kanë sjellë tregut vendor,  vendimet e fundit të qeverisë. Me fjalë të tjera në këtë intervistë për Gazeta e Re, Piraj flet për vështirësitë me të cilat përballen prodhuesit e vendit dhe përgjithësisht punën e tyre në drejtim të ngritjes së cilësisë dhe sasisë së produkteve.

GER: Z. Piraj, ju udhëhiqni një kompani mjaft të suksesshme, e cila me produktet e saj, i ka çarë të gjitha barrierat, duke depërtuar edhe në tregjet e tjera përtej Kosovës. Si ja dolët deri këtu?

Piraj: Është një histori shumë e gjatë e cila ka filluar që në vitin 1992, prej atëherë deri te suksesi ka një rrugë me shumë sfida të mëdha dhe me shumë punë. E falënderoj Zotin që më ka mundësuar të udhëheq një kompani dhe të kem sukses! Shkurt: Puna e palodhur, serioziteti, sinqeriteti, arsimimi, bashkëpunimi dhe mos heqja dorë nga qëllimet kanë qenë kriteret e zbatuara të cilat vazhdojnë të zbatohen në firmën tonë.

 GER: Nga KIESA në vitin 2016, keni marr edhe një çmim, si Kompania Më e Mirë në Regjionin e Prizrenit, sa ju motivojnë këto vlerësime?

Piraj: Ne e kemi bërë punën tonë, kemi qenë shumë të koncentrua që çdo investim, çdo punë, çdo ndryshim të jetë i planifikuar shumë mirë, kemi bërë sondazhe të tregut të Kosovës dhe i kemi përcjellë shumë me vëmendje kërkesat e tregut. Përfundimisht në bazë të hulumtimit që e ka bërë KIESA del se bindshëm kemi qenë kompania më e suksesshme në regjionin e Prizrenit. Në një moment na motivon ky vlerësim të vazhdojmë edhe me tutje në mënyrë të palodhur për të krijuar dhe punuar edhe më shumë.

GER: Me aq sa kemi informacione vitin e kaluar, për herë të parë, ua keni ndarë punëtorëve disa paga shtesë (të 7-tën dhe të 14-tën), ky është një akt i rrallë të cilin nuk mund ta hasësh në sektorin privat në Kosovë. Ç’mund të na thoni për këtë?

 Piraj: Në fakt që nga fillimi ne i kemi shpërblyer punëtorët dhe u kemi dhënë para mbi pagë sa herë që e kemi tejkaluar normën e prodhimit. Mirëpo në vitin 2016 vendosëm që ta ndajmë pagën e 13-të. E nga puna e madhe që kishim në vitin 2017 ne arritëm t’u japim punëtorëve dy paga plus, deri në fund të vitit, njëkohësisht vendosëm që të bëjnë reforma në organizimin e punës.

Kështu, për herë të parë morëm vendim që të kalojmë në javë të punës 5 ditore, në fillim kemi pas rezerva se a do të arrijmë të kemi prodhim të mjaftueshëm, mirëpo për pak kohë e pamë se jo që ishim në gjendje të prodhonim si më parë, po prodhimi u rrit. Kështu që më 2018 ne arritëm të kemi një rritje të gjithmbarshme në prodhim afërsisht 30% më shumë se në vitin paraprak, e kjo jo vetëm që na e mundësoi të vazhdojmë me pagën e 13-të dhe 14-të, po ne bëmë rritje të pagave. Unë mora vendim që në firmën tonë paga minimale neto, duke i paguar të gjitha kontributet firma, të jetë 250 EURO. Normal që pagat, nga punëtori fillestar deri te ai që ka një pozitë të rëndësishme, shkojnë nga deri në mbi 1000 EURO, varësisht nga pozita dhe lloji i punës. Mendojmë që vitin e ardhshëm do të bëjmë reformë edhe më të madhe dhe në kompaninë tonë paga minimale do të rritet në nivelin mbi 300 EURO neto.

GER: Si e komentoni vendimin e Qeverisësë Kosovës për taksë 100% ndaj produkteve serbe e boshnjake?

Piraj: Ne edhe sot e kësaj dite lëndën e parë që e importojmë nga Evropa, kryesisht nga Gjermania, nuk na lejohet të kalojmë transit nëpër Serbi! Ata janë dhunues të mëdhenj të traktatit të CEFTA-së , pa marr parasysh që shumë herë ne i kemi ngritur shqetësimet tona për trajtim të pa barabartë. Pala serbe na ka trajtuar si rob. Po e zëmë: ne nuk kemi pas kurrë gjasa të eksportojmë mall në Serbi edhe pse kemi pas kërkesa nga Bashkësia Islame e Serbisë t’i furnizojmë me prodhimet tona. Ne shumë herët kemi kërkuar nga institucionet tona zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë sepse CEFTA është jo funksionale dhe Kosova në CEFTA figuron si UNMIK. Megjithëse me shumë vonesë, qeveria ka marrë një vendim shumë të qëlluar dhe mendoj se këtë vendim nuk duhet tërhequr para pranimit të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, përndryshe nëse do të anulohet ky veprim ne do të kthemi në nivelin e krahinës së dikurshme Serbe dhe askush nuk do të na pranoj më pavarësinë tonë.

 GER: Sa po ju nxjerrin telashe reduktimet e energjisë elektrike?

 Piraj: Ne kemi fituar imunitet në këtë dukuri dhe na është bërë njëjtë, mirëpo vendi po e pëson keq, mungesa e energjisë elektrike dhe korrupsioni i lartë i kanë stopuar investimet ndërkombëtare të drejtpërdrejta  dhe për këtë arsye numri i të papunëve po rritet dita ditës, sikurse që po rritet numri i atyre që po ikin nga vendi.

 GER: Për fund, a mendoni që ka hapësirë për ngritje të cilësisë së produkteve vendore?

Piraj: Për të vlerësuar cilësinë e prodhimeve ka disa kritere duke filluar nga mënyra e prodhimit, paketimit, shpejtësia e daljes në treg, siguria e konsumit ose përdorimit, çmimit etj. Nëse e bëjmë një krahasim shkencor në këtë drejtim do të shohim se prodhimet Kosovare nuk dallojnë me ato të vendeve Evropiane, bile ka shumë prodhime që kanë cilësi më të mirë se ato Evropiane.

Ka një perceptim shumë të gabuar nga opinioni kosovar po kjo krejt nga mosdija e konsumatorit. Në bazë të një hulumtimi 60% e konsumatorëve nuk e dinë se ku prodhohet produkti që e blejnë, ndërsa 85 % nuk e dinë përmbajtjen e produktit të blerë, meqë nuk e kanë lexuar.

Parashtrohet pyetja: Nëse prodhimet Kosovare nuk janë cilësore, si kanë arritur të eksportohen, dhe të vërshojnë shumë vende të botës?

Ja për shembull, na lejoni të ju njoftojmë se do të jemi pjesë e panairit HALAL EXPO në Stamboll të Turqisë që do të mbahet në këtë vit,  nga data 29 nëntor deri më 2 dhjetor. Në këtë panair marrim pjesë të pavarur të pa financuar nga askush, pra me vetëfinancim duke synuar tregjet botërore me prodhime MADE IN KOSOVA./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet