“Burgu i Pendesës, ku dikur imponohej instikti i mbijetesës”

“Ne shokun e burgut nuk e kemi pasur baba, nënë, vëlla motër, grua apo fëmijë, e kemi pasur atdhe”, kujton Batusha, ish i burgosur në ‘Burgun e Pendesës’ pas protestave të vitit 1981 në Kosovë.

I ndërtuar në fund të viteve të 40-ta pas Luftës së Dytë Botërore, Burgu i Prishtinës i cili është hapur për vizitorë me qëllim që të përcillen përvojat e të dënuarve tek qytetarët, deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999 reflekton edhe si objekt i periudhave të ndryshme të presionit serb mbi shqiptarët e burgosur në kohën e Jugosllavisë të cilët kishin ide “jashtë konceptimit bazë të regjimit sundues”.

Godina dykatëshe e burgut, ku shqiptarët e Kosovës vuanin dënimin, ndodhet në qendër të Prishtinës. Pamjet e Anadolu Agency (AA) tregojnë korridoret e gjata të godinës në formë harkore, ndërsa ka qindra dhoma, shumica e të cilave ndryshe nga tani, deri në vitet e 90-ta ishin të ndara pa banjë, pa ngrohje dhe me dritare të vogla nga të cilat depërton pak dritë.

Në mes të godinës, në formë rrethi ndodhet një oborr i ndarë në dy pjesë identike, ndërsa sipër katit të dytë është kulla nga ku të burgosurit vrojtoheshin nga gardianët. Dalja në oborr për të burgosurit ishte i vetmi kontakt me botën e jashtme, ku bënin shëtitje me duar të lidhura prapa, kokë-poshtë dhe pa të drejtë për të folur me njëri-tjetrin.

Dikur, deri në çlirimin e vendit në vitin 1999 njihej si “Burgu i Pendesës”, për shkak se ata që u burgosnin aty nga regjimi serb synohej të lirohen të penduar nga ideja për të kërkuar republikë, vetëvendosje dhe kushtetutë për Kosovën.

Të frymëzuar nga protesta e mëhershme e shqiptarëve si pjesë e organizimit të atdhetarit shqiptar, Adem Demaçi, protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, të organizuara në vitin 1981 me kërkesa për avancimin e shqiptarëve, u përcollën me arrestime të qindra pjesëmarrësve.

Sipas raportimeve nga mediat në atë kohë, nga dhuna policore u lënduan qindra shqiptarë, ndërsa nëntë humbën jetën. Po ashtu 226 studentë dhe punëtorë u dënuan nga gjykata me dënime deri në 15 vjet burg.

I tillë ishte edhe fati i Kadri Batushës nga Prishtina, i cili në atë kohë ishte në të njëzetat e tij, i martuar dhe me dy fëmijë, kur si pjesëmarrës në protestat studentore të vitit 1981 për të njëjtën akuzë mëngjesin e 8 prillit përfundoi në këtë burg, për gjashtë muaj rresht.

– “Shokun e burgut e kishim atdhe”

Ëndrra e tij e përcjellë me protestë që Kosova të jetë republikë e barabartë me vendet tjera të ish-Jugosllavisë i kushtoi me 10 vite dënim me burg, ku nga ky dënim gjashtë muaj i vuajti në dhomën numër 17, rreth së cilës ka kujtime të kthjellta.

“Burgu ka qenë që ne të pendohemi, të themi se kemi gabuar, jemi thyer. Këtu është e pabesueshme se si ka qenë gjendja, se çfarë maltretime ka pasur. Kjo dhomë ka qenë e ndarë në dy dhoma ndërsa tani është bërë një dhomë. Ne kemi qenë 4 vetë në një dhomë të atëhershme. Banja është luks, ne kemi pasur në vend të saj vetëm një enë plastikeje”, tregon Batusha për AA, i cili thotë se nevojën fiziologjike është dashur me enë ta dërgojnë secili në një vend adekuat në oborrin e burgut.

Batusha tregon se ideja për një Kosovë të barabartë me vendet e tjera të ish-Jugosllavisë i kishte lidhur shqiptarët, aq sa, siç thotë ai, kur dëgjonin për maltretimet e njëri-tjetrit të gjithë futeshin në grevë.

“Nëse është rrahur ndonjë i burgosur politik shqiptar në Beograd apo në Nish a Prokuplje, ne (të gjithë shqiptarët) në ish-Jugosllavi kemi hyrë në grevë. Ne shokun e burgut nuk e kemi pasur baba, nënë, vëlla motër, grua apo fëmijë, e kemi pasur atdhe”, kujton Batusha.

Përveç angazhimit të tij për liri të kombit, Batusha përpjekjen shqiptare për rezistencë ndaj armiqve e lidh me atë të popullit turk dhe Turqisë, për të cilën thotë se shqiptarët dhanë shumë vullnetarë në Luftën e Çanakkalasë. Ai thotë se shpesh gjatë kohës së burgut i motivonte shokët me frazën turke “ileri ileri turk askeri, donmez geri” (përpara, përpara, ushtria turke, s’ka kthim prapa).

– “Maltretimet në dhoma me dritare të hapura, që klithmat të dëgjoheshin nga të gjithë”

Emin Sallahu, një ish i burgosur dhe aktualisht i angazhuar në detyrën e ciceronit në këtë godinë, edhe pse nuk ka qëndruar shumë gjatë në “Burgun e Pendesës”, kujton shumë përvoja të vështira në këtë godinë, e një nga më të rëndat ai përmend maltretimet e të burgosurve në dhoma me dritare të hapura, që klithmat e të maltretuarve të dëgjoheshin nga të gjithë.

“Torturat që janë ushtruar ndaj të burgosurve janë përcjellë edhe me një element të veçantë. Dritaret e dhomave ku janë marrë në pyetje të burgosurit zakonisht janë lënë të hapura, në mënyrë që klithmat e të burgosurve që trajtoheshin apo torturoheshin të dëgjoheshin edhe nga të tjerët në burg, për të pasur presion edhe në çastet kur nuk je duke u marrë në pyetje apo duke u torturuar”, thotë Sallahu.

Siç shpjegon Sallahu, midis përvojave të rënda ka pasur edhe raste kur trishtimi është anashkaluar për pak kohë nga disa të mira që kanë ndodhur brenda, të tilla si një rast i shpalljes së fejesës nga dy të rinj të burgosur.

“Element i veçantë gjatë qëndrimit tim ka qenë edhe kur një bashkëveprimtare e grupit tonë, Shukrije Rexha, në foltoren e gjyqit del dhe shpallë fejesën me Avni Klinakun. Ka qenë një ndjenjë emocionuese për të gjithë ne dhe gjithë të pranishmit në sallë”, tha ai.

Funksionimi i këtij burgu ka përfunduar në vitin 2016, kur në Hajvali, fshat afër Prishtinës, u ndërtua Burgu i ri i Prishtinës. Ai u mbyll pas një vlerësimi të organizatës ndërkombëtare “Amnesty International”, e cila në vitin 2015 theksoi se “aty nuk janë kushtet për t’u mbajtur të burgosurit”.

Përpos veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në këtë burg janë mbajtur e maltretuar edhe atdhetarë tjerë të mëdhenj si Fazli Graiçevci, Rexhep Mala, Ukshin Hoti e Albin Kurti.

Muzeu i cili tash e tutje do të quhet “Streha e kujtimeve nga burgu i përndjekjes” do të plotësohet në muajt e ardhshëm edhe me materiale të reja, dëshmi me të cilat do të ilustrohet dhuna e regjimit serb në kohëra të ndryshme mbi patriotët shqiptarë. Po ashtu ky burg pritet që të shndërrohet në muze.

Kategoritë
LajmeTë ndryshmeVendi