Britani, rritet në dy vite periudha e qëndrimit për studentët e huaj

Sipas rregulloreve aktuale, studentët lejohen të qëndrojnë në vend vetëm për katër muaj pas diplomimit të tyre, një rregullore e paraqitur në vitin 2012 nga Theresa May.

Mes kaosit të vazhdueshëm mbi Brexit-in, qeveria britanike ka vendosur një masë stabiliteti dhe sigurie për të diplomuarit e fundit të huaj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria britanike bëri të ditur se studentëve të huaj do t’u lejohet të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar edhe për dy vite pas diplomimit të tyre.

Masa e re për zgjatjen e vizave për të diplomuarit bachelor dhe master do të mund të shfrytëzohet për studentët që fillojnë studimet e tyre në vitet 2020-2021.

Zgjatja e vizave është e kushtëzuar dhe vlen për studentët që studiojnë në institucione që përputhen me kontrollet e imigracionit të Mbretërisë së Bashkuar.

“Kontributi i rëndësishëm që studentët ndërkombëtarë japin për vendin tonë dhe për universitetin është kulturor dhe ekonomik. Nga prania e tyre përfiton Britania, që është edhe arsyeja pse ne kemi rritur periudhën kohore që këta studentë të mund të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar pas studimeve të tyre”, tha Gavin Williamson, sekretari britanik i Arsimit.

Williamson theksoi se universitetet e tyre lulëzojnë në mënyrë që të jenë institucione të hapura globale.

“Njohja e rrugës së të diplomuarve siguron që sektori ynë prestigjioz i arsimit të lartë do të vazhdojë të tërheqë talentin më të mirë nga e gjithë bota në Britaninë globale”, u shpreh Williamson.

Sipas rregulloreve aktuale, studentët lejohen të qëndrojnë në vend vetëm për katër muaj pas diplomimit të tyre, një rregullore e paraqitur në vitin 2012 nga Theresa May, në atë kohë sekretare e brendshme dhe më pas kryeministre e Britanisë.

Sekretari i Brendshëm britanik, Priti Patel, tha se masa e re tregon “perspektivën globale” të tyre dhe se do të sigurojë tërheqjen e “më të mirit dhe më të zgjuarit”.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet