Britani, 85 për qind e pacientëve me COVID-19 asimptomatikë

Një hulumtim në Britani ka ngritur shqetësime për shkak të “transmetimit të heshtur” dhe theksoi nevojën për testime më të përhapura

Mbi 85 për qind e personave që kanë rezultuar pozitivë për koronavirusin e ri (COVID-19) në Mbretërinë e Bashkuar nuk kanë shfaqur asnjë nga simptomat e sëmundjes gjatë testimit, zbuloi një studim i ri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Hulumtimi u krye nga UCL duke përdorur të dhëna nga Zyra e Statistikave Kombëtare dhe zbuloi se ditën e testit të tyre, 86,1 për qind e njerëzve të infektuar midis prillit dhe qershorit nuk kishin asnjë nga simptomat që shoqëronin zakonisht virusin, të tilla si kolla, ethet, ose humbja e shijes dhe erës.

Hulumtimi ka ngritur shqetësime për shkak të “transmetimit të heshtur” dhe theksoi nevojën për testime më të përhapura.

“Për momentin, fokusi është te njerëzit që kanë simptoma, por nëse nuk i përfshini të gjithë ata që janë asimptomatikë ose presimptomatikë, mund të jetë vërtet e vështirë të ndalet shpërthimi në kohë, para se të dalin jashtë kontrollit”, ka thënë Irene Petersen, profesoreshë e epidemiologjisë dhe informatikës shëndetësore në UCL, e cila drejtoi studimin, citoi gazeta Guardian.

“Ata mund të jenë transmetues të heshtur dhe nuk e dinë këtë. Dhe kështu mendoj se ky është një problem”, tha ajo për Sky News.

“Mund të kemi shumë njerëz që janë në shoqëri dhe nuk janë vetizoluar sepse nuk e dinin se janë pozitivë”, shtoi Petersen.

Studiuesit theksuan se personat që kanë rezultuar pozitivë mund të kenë zhvilluar simptoma më vonë, por deri atëherë ata mund të kenë kaluar sëmundjen pa qenë të vetëdijshëm për të.

Hulumtimi analizoi 36.000 njerëz të testuar për koronavirus midis prillit dhe qershorit.

Nga këto, 115, ose 0,32 për qind, janë infektuar, dhe nga ta, vetëm 27, ose 23,5 për qind, kishin ndonjë lloj të simptomave, kurse 88, ose 76,5 për qind, kanë qenë asimptomatikë.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet