BQK: Qeveria e ardhshme fokus duhet ta ketë ekonominë

Qeveria e re e cila pritet të formohet pas zgjedhjeve të nesërme duhet të ketë në fokus ekonominë, veçanërisht adresimin e sfidave që i ka Kosova ndër vite, papunësinë, deficitin tregtar dhe sanimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Këto sugjerime për ekzekutivin e ri i ka adresuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti, i cili thotë se sektori bankar ka pasur dhe vazhdon ta ketë rolin e saj në rimëkëmbjen ekonomike.

Guvernatori Mehmeti në një intervistë për KosovaPress ka thënë se BQK pret që për vitin 2021 vendi të ketë një rritje ekonomike prej 4 përqind, gjithnjë nëse situata me pandeminë shkon drejt përmirësimit.

Mehmeti: Sugjerimi ynë për qeverinë e re është sanimi i dëmeve ekonomike

“Sugjerimet tona si Bankë Qendrore, BQK edhe me ligj është këshilltar i qeverisë, janë që qeveria e ardhshme fokus duhet ta ketë ekonominë, me qëllim që të kemi një rritje sa më të madhe ekonomike. Një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe njëkohësisht një rritje e cila përpos që adreson sfidat që i ka pasur ndër vite Kosova, që është papunësia, deficit i lartë tregtar, njëkohësisht i sanon edhe dëmet ekonomike të shkaktuara nga pandemia”, theksoi Mehmeti.

Guvernatori i BQK-së beson se nëse vihet nën kontroll pandemia përmes vaksinimit deri në gjashtëmujorin e parë, sivjet pritet të ketë një rikthim të rritjes ekonomike.

Mehmeti po ashtu thotë se tkurrja ekonomike prej -7.2 përqind për vitin që lamë pas ka shkaktuar dëme të mëdha në humbjen e mijëra vendeve të punës, në uljen e konsumit, të investimeve dhe mungesës së parasë në treg.

Mehmeti: Parashikimet tona sivjet tregojnë për një rritje ekonomike 4 përqind

“Shpresëdhënës është fakti që vaksina është zbuluar dhe pritjet janë që të përmbyllet pandemia sa më shpejt që është e mundur. Parashikimet tona janë që në këtë vit të kemi një rritje ekonomike përafërsisht rreth 4 përqind, por gjithmonë varet prej pandemisë. Ne presim që në gjashtëmujorin e parë, gjithnjë sipas rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, mirëpo në rast se në gjashtëmujorin e parë mbyllet çështja e pandemisë, me siguri që gjashtëmujori i dytë do të reflektojë me një rritje ekonomike”, thotë Mehmeti.

Mehmeti duke treguar për rrjedhën e të hyrave nga diaspora, ka thënë se përkundër pandemisë remitencat kanë vazhduar trendin rritës, sipas tij gjatë vitit 2020 dërgesat ishin rreth 1 miliard euro.

Mehmeti: Remitencat vjet arritën vlerën afër 1 miliard euro

“Masat kufizuese nga Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e pandemisë ka ndikuar që të dobësohet aftësia paguese e të gjithë qytetarëve dhe bizneseve, në të njëjtën kohë kjo ka ndikuar që të kemi edhe rënie të investimeve. Vizita e diasporës në Kosovë paraqet një burim shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit, vetëm shpenzimet jo-rezidente që ne i konsiderojmë që kryesisht realizohen prej bashkatdhetarëve tanë, kemi një rënie diku rreth 52.9 përqind krahasuar me vitin 2019, pra të shpenzimeve jo rezidente të realizuara në Kosovë që kanë arritur në vlerën 589.7 milionë euro. Ndërkaq, një vit më herët ka qenë 1.2 miliard euro. Kur jemi te lidhja e ekonomisë së Kosovës, shpenzimet ose remitencat kanë vazhduar trendin rritës, përkundër situatës që e ka shkaktuar pandemia edhe në vendet e tjera. Remitencat në Kosovë, në vitin 2020, kanë shënuar 977.3 milionë euro apo me një rritje 14.8 përqind”, thotë Mehmeti.

Sa i përket treguesve të tjerë makroekonomik, Mehmeti po ashtu ka thënë se për shkak të pandemisë është afektuar edhe tregtia e jashtme, me një rënie të importit, ndërsa ka rritje të eksportit, e cila ka ndikuar edhe në përmirësimin e deficitit tregtar.

Mehmeti: Eksporti i shërbimeve arrin në vlerën 1.2 miliard euro

“Eksporti i shërbimeve edhe pse ka shënuar rënie, nëse e marrim si total kemi një eksport për afërsisht rreth 1.2 miliard euro, përfshirë eksportin e mallrave dhe shërbimeve. Në anën tjetër kemi një import diku për afërsisht 3.7 miliardë e që i bie diku një deficit të totalit rreth 1.5 miliard”, thotë ai.

Mehmeti tregon se sektori bankar ka qëndrueshmëri të lartë, është likuid, mirë i kapitalizuar. Kreditë jo performuese sipas BQK-së janë në nivel mjaft të ulët, edhe gjatë pandemisë kanë qenë 2.7 përqind.

Kategoritë
LajmeVendi