Boshnjakët përpiqen ta heqin “hotelin e tmerreve” nga Google

Kundërshtarët e irrituar të përpjekjeve për ta reklamuar një hotel famëkeq në Bosnje, e kanë kthyer vëmendjen e tyre kah gjiganti i kërkimeve në internet, Google.

Autoritetet në rajonin e banuar me shumicë serbe, Republika Sërpska, së voni kanë përfshirë hotelin Villina Vllas – një pushimore që para-ushtarakët serbë e kanë shfrytëzuar për të vrarë, përdhunuar dhe abuzuar myslimanë në luftën e Bosnjës – në mesin e vendeve ku qytetarët mund të shpenzojnë kuponët e shtetit, për të ndihmuar sektorin e turizmit gjatë pandemisë së koronavirusit.

Ky veprim ka nxitur një peticion në internet – të nënshkruar nga më shumë se 25,000 mbështetës – që i bën thirrje Google-it “ta heqë Villina Vllasin (si vend turistik)” nga motori i tij i kërkimeve dhe nga hartat e tij.

“Nëse dikush vendos ta shndërrojë kampin e përqendrimit Auschwitz-Birkenau në pushimore, për t’u relaksuar në fundjavë, a do ta lejonit ta promovonte atë në Google?”, ka pyetur autorja e peticionit në change.org, Amella Trokiq, ligjëruese në Universitetin e Sarajevës.

“A do të lejonit që të shfaqej në hartat e Google-it si objekt turistik?”, ka shtuar ajo.

Të mbijetuarit nga hoteli kanë kërkuar vazhdimisht që ai të bëhet një memorial për viktimat e mizorive të kryera atje në vitet 1990.

Një Komitet i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara ka konstatuar në vitin 1994 se rreth 200 gra janë përdhunuar në Villina Vllas, më 1992. Disa nga ato që kanë mbijetuar, janë vrarë, ndërsa të tjerat kanë kryer vetëvrasje.

Është raportuar se shumë të tjerë janë vrarë ose janë detyruar të vetëvriten në hotel.

“Mjerisht, historia jo aq e largët e këtij hoteli po përpiqet të shlyhet sistematikisht me metodat më çnjerëzore të mundshme dhe me mbështetjen e Qeverisë së Republikës Sërpska, e cila përpiqet ta promovojë atë si banjë dhe vendpushim”, thuhet në peticionin e Trokiqit.

“Edhe pse nuk mund t’i ndalojmë njerëzit e çrregulluar mendërisht që ta vizitojnë dhe të qëndrojnë me vetëdije në këtë ndërtesë të neveritshme, ne mund ta ndalojmë promovimin aktiv të saj”, thotë peticioni.

Sipas tij, “orenditë në hotel mbeten të njëjta” dhe “nuk ka shumë ndryshime” prejse ai është përdorur si qendër për torturë.

“Një kërkim i shpejtë në Google nxjerr vlerësime të shkëlqyera dhe llogari të atyre që thonë se ‘është një vend shumë i bukur dhe paqësor në natyrë’”, ka shkruar Trokiq.

Google nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse e ka parë peticionin ose ka planifikuar ta heqë Villina Vllasin si lokacion turistik.

Kompania gjithashtu nuk ka pranuar të shpjegojë politikat e saj për reklamimin ose lavdërimin e vendeve ku kanë ndodhur krimet e luftës.

E mbijetuara e Villina Vllasit: Shumë gra janë vrarë atje

Një nga nënshkruesit e hershëm të peticionit, Malik Husika, e ka cilësuar hotelin si “kujtesë të zymtë të arsyes përse duhet t’i shtyjmë përpara të vërtetat tona dhe jo t’i promovojmë këto vende si zona pushimi”.

Në librin e saj “Gjenocidi mbi Lumin Drina”, studiuesja e gjenocidit, Edina Beqireviq, shkruan për dhunën etnike në zonën përreth Villina Vllasit dhe thotë se ajo që ka ndodhur atje, ka qenë gjenocid kundër boshnjakëve.

Ramza Nishiq, e mbijetuar në Villina Vllas, ka qenë 22 vjeçe kur është rrëmbyer në Vishegradin pranë nga forcat serbe të Bosnjës, në vitin 1992.

Ajo është dërguar në Villina Vllas, ku ka thënë se është përdhunuar çdo ditë nga rrëmbyesit e saj.

“Shumë gra kanë përfunduar atje. Shumë janë vrarë, janë hedhur në ujë dhe çdo gjë u ka ndodhur. Edhe burra janë dërguar atje”, ka rrëfyer Nishiq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

“Kur unë jam rrëmbyer, është rrëmbyer edhe një grup burrash që nuk i kam njohur dhe ata janë zhdukur pa gjurmë e pa zë”, ka thënë Nishiq.

Millan Llukiq, komandant i kohës së luftës i grupit para-ushtarak serb “Shqiponjat e bardha”, është dënuar në Hagë me burgim të përjetshëm për rolin e tij në shndërrimin e Villina Vllasit në një vend për tortura, përdhunime dhe vrasje të myslimanëve.

Kuponë për një “destinacion të pashmangshëm”

Ministria e Tregtisë dhe e Turizmit në Republikën Sërpska e ka përfshirë Villina Vllasin në listën e objekteve hotelierike, ku qytetarët mund të shpenzojnë kuponë turistikë, në vlerë prej 50 dollarësh, për të ndihmuar ekonominë e goditur nga pandemia COVID-19.

Kuponët vlejnë deri më 15 nëntor.

Organizata zyrtare e turizmit në Republika Sërpska, Turizam RS, e reklamon Villina Vllasin si qendër për ujëra që “parandalojnë dhe trajtojnë” një numër të sëmundjeve reumatike, të frymëmarrjes dhe të tjera.

Ueb-faqja e saj në gjuhën lokale është e kufizuar në detaje të kontakteve, ndërsa ueb-faqja në gjuhën angleze e përshkruan atë si një objekt të stilit alpin, ujërat e të cilit – të mbushura me radon, një nënprodukt i uraniumit – janë të përshtatshme për të gjitha moshat.

Aty nuk përmendet historia e luftës.

“Është padyshim një destinacion i pashmangshëm sa i përket shëndetit”, ka thënë drejtorja e Turizmit, Nada Jovanoviq, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

“Tani kemi kuponë dhe vërtet e kuptoj se sa shumë njerëz shkojnë në Villina Vllas pikërisht për shkak të natyrës ku ndodhet. Puna jonë është t’i dërgojmë reklamat sa më larg dhe futja në motorin e kërkimeve në Google është një gjë shumë e rëndësishme”, ka thënë Jovanoviq.

Ajo ka thënë se nuk është në dijeni për vendimin e një gjykate në Bosnje kundër oficerit të policisë në Vishegrad, Zhelko Llellek, i cili është dënuar me 16 vjet burgim për krime – përfshirë përdhunimin – në hotel.

Një dëshmitar në atë gjyq e ka përshkruar një grua 24 vjeçe duke kërcyer nga dritarja e Villina Vllasit, derisa Llellek i është afruar. Gruaja më pas ka vdekur.

Vishegradi dhe rrethinat e tij janë pjesë e rajonit më lindor të Republika Sërpskës, e cila, së bashku me Federatën Myslimane dhe Kroate, përbëjnë Bosnje e Hercegovinën prejse është nënshkruar Marrëveshja e Dejtonit, më 1995. Kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Bosnje.

Sipas një regjistrimi të vitit 1991, në Vishegrad kanë jetuar rreth 21,000 banorë – gati dy të tretat e tyre boshnjakë dhe shumica e të tjerëve serbë.

Regjistrimi i fundit, i vitit 2013, ka treguar se atje jetojnë rreth 10,000 banorë – gati 90 për qind e tyre serbë dhe rreth 10 për qind boshnjakë.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet