Borxhi ndaj KRU “Prishtina” dërgohen rreth 1 mijë lëndë te Përmbaruesit Privat

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A ka dërguar 1 mijë lëndë të borxhlinjve tek Përmbaruesit Privat. Kjo vlen për konsumatorët me borxhe mbi 100 euro.

Kështu bëhet e ditur nëpërmjet një komunikate për media nga KRU “Prishtina”.

“Kompania Rajonale e Ujësjellësit “ Prishtina ” Sh.A., krahas lehtësimit të kritereve për programimin e borxheve kërkon nga konsumatorët që, të përmbushin obligimin e tyre financiar ndaj pagesës së faturave të rregullta mujore për shpenzimin e ujit. Për të përmbushur këtë mision me sukses dhe për të ofruar furnizim stabil me ujë të pijshëm dhe cilësor, sigurisht që kërkohet angazhim maksimal dhe ka kosto të lartë në trajtimin e ujit dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit në vazhdimësi. KRU “ Prishtina ” sh.a. ka filluar me procedimin e konsumatorëve borxhlinj në procedurë përmbarimore tek Përmbaruesit Privat ( kjo vlen për konsumatorët me borxhe mbi 100 euro)”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërkohë që thuhet se zyra ligjore është duke përgatitur vazhdimisht edhe lëndë të tjera për procedurë përmbarimore.

“Për një muaj ( janar-shkurt 2021) janë dërguar rreth 1000 lëndë të borxhlinjve te Përmbaruesit Privat ( kryesisht sektorin e bizneseve), me ç’rast zyra ligjore është duke përgatitur vazhdimisht edhe lëndë të tjera për procedurë përmbarimore. Inicimi i kësaj procedure përmes Përmbaruesve Privat do të krijonte shpenzime shtesë për ju dhe do të vështirësonte përmbushjen e obligimit tuaj duke paguar taksën shtesë. Ujësjellësi i Prishtinës është një ndër institucionet e fundit që po merret me dërgimin e lëndëve te Përmbaruesit, për shkak që kemi pasë konsideratë për periudhën e pandemisë”, thuhet ndër tjera në komunikatë.

Kategoritë
LajmeVendi