Bonucci: Gabova që u largova nga Juventusi

Mbrojtësi italian është pishman që vitin e kaluar ka luajtur për Milanin.

Leonardo Bonucci tregon që ëndërron për t’u bërë trajner i Juventusit një ditë dhe se vendimi për t’u larguar tek Milani ishte një gabim, shkruan KosovaPress.

Mbrojtësi i kombëtares italiane, këtë verë u kthye përsëri te “Zonja e Vjetër”, ekip me të cilin synon ta përfundojë karrierën.

“Ëndrra ime është që një ditë të bëhem trajner i një ekipi të madh, me shumë mundësi Juventusit”, ka thënë Bonucci për Corriere dello Sport.

“Kam shfrytëzuar mundësitë që më janë dhënë për të punuar me trajnerë të ndryshëm për të mësuar sekrete nga ata”.

“Allegri? Me të kemi pasur mosmarrëveshje, por më pas i kemi shtrënguar dorën njëri tjetrit dhe kemi vazhduar punën”.

Bonucci gjithashtu kujton edhe finalen e humbur në Kardif nga Real Madridi dy vite më parë me rezultat 1-4.

“Ndeshja që dua ta harroj është ajo ndaj Realit në finalen e vitit 2017. Më dhemb sa herë e kujtoj”.

“Largimi im nga Juventusi ishte një gabim, pasi me këtë fanellë mund të tregoj vlerat e mija si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, ka përfunduar ai.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet