Bombardimi serb i trashëgimisë osmane: Si u vendos një precedent në Hagë nga bibliotekari i Harvardit

Dokumenta e dorëshkrime 500-vjeçare të epokës osmane u shkërmoqën në hirin e një ndërtese që i ruante ato: Biblioteka Kombëtare e Bosnjës u granatua dhe u dogj nga serbët. Nuk ishte akti i parë i shkatërrimit kulturor të forcave serbe kundër grupeve të tjera etnike në Ballkan, as i fundit. Gjatë shtatë viteve të ardhshme, nacionalistët serbë të udhëhequr nga Slobodan Milosheviç shkatërruan tërë rajonin e Ballkanit.

Djegia e bibliotekës dhe pasurisë së saj ishte një veprim që tërhoqi András Riedlmayer drejt investigimeve të konflikteve në Ballkan. Dhe pothuajse 30 vjet më vonë, Riedlmayer, një bibliograf në Bibliotekën e Arteve të Bukura të Universitetit Harvardit, di më shumë rreth shkatërrimit të trashëgimisë kulturore të rajonit se kushdo. Në nëntë gjykime të ndryshme ndërkombëtare, ai dëshmoi kundër autorëve dhe ndihmoi në vendosjen e një precedenti në ndjekjen penale të këtij lloji të shkatërrimit si një krim lufte.

Riedlmayer ka punuar si bibliograf i artit dhe arkitekturës islame në Bibliotekën e Harvardit që nga viti 1985. Ai gjithmonë ka qenë i interesuar për rajonin e ish-Perandorisë Osmane, e cila përfshin Lindjen e Mesme dhe pjesët e Hungarisë ku lindi Riedlmayer, dhe Ballkanin gjithashtu. “Shkatërrimi i panevojshëm dhe i qëllimshëm i trashëgimisë kulturore është një krim që buron nga dëshira jo vetëm për të vrarë individë që janë pjesë e një grupi etnik ose fetar, por që synojnë të fshijnë ekzistencën e tyre,” shpjegon Riedlmayer.

Në rastin e rajonit të Ballkanit, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore ishte pjesë e një përpjekje për spastrim etnik nga qeveria nacionaliste serbe, e udhëhequr nga Millosheviç, shkruan Gazeta Harvard.

Alex Whiting, një profesor i drejtësisë në Harvard dhe ish-prokuror i gjykatës së Hagës, i atribuon dokumentacionit të Riedlmayerit meritën e ndryshimit të përhershëm të mënyrës se si ai shikon shkatërrimin e trashëgimisë kulturore.

“Në rastet kur mijëra njerëz janë abuzuar brutalisht, dëbuar, torturuar dhe vrarë, përpjekja për ta përqendruar gjykatën në shkatërrimin e një vend-adhurimi ose monumenti kulturor është e vështirë, por dokumentacioni i Riedlmayerit ka treguar se gjenocidi kulturor është gjithashtu një sulm ndaj njerëzve”.

Në 1999, Riedlmayer vizitoi zona të shkatërruara në ish-Jugosllavi, duke parë nga afër më shumë se 100 vende e objekte fetare dhe kulturore. Ai fotografoi dhe dokumentoi kishat dhe xhamitë e shkatërruara katolike, e mblodhi gjithashtu mbetjet e librave të djegur. Riedlmayer u largua nga rajoni me një ndjenjë të jashtëzakonshme të përgjegjësisë ndaj njerëzve që takoi. Kombet e Bashkuara donin që gjetjet e tij të ishin prova të krimeve të luftës. Ai besonte se kjo ishte një mundësi për të bërë të mundur që viktimat e Ballkanit të dëgjoheshin në skenën ndërkombëtare.

Një vit më vonë, ai u përball me Millosheviçin në gjyq. Ndërkoihë, gjatë dhjetë viteve pasuese, gjykata kërkoi që Riedlmayer të vazhdojë ekspertizën e tij shtesë për shkatërrimet kulturore në Ballkan, duke dëshmuar përfundimisht kundër 14 serbëve të paditur për krime lufte. Ndaj, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore u ndoq për herë të parë në Hagë si një krim lufte.

Gjykata e vendosi këtë krim në hartë. Tani kjo është pjesë e debatit dhe shërben për atë se si njerëzit e kuptojnë luftën dhe çfarë lejohet në luftë. Riedlmayer tha se shpresonte që precedenti i vendosur nga gjykata e Hagës të parandalonte të paktën disa shkatërrime të ardhshme të vendeve kulturore.

Dokumentet dhe fotografitë që ai ka mbledhur në Ballkan janë në dispozicion të studiuesve si pjesë e koleksioneve speciale të Bibliotekës së Arteve të Bukura. “Unë ende ndiej peshën e përgjegjësisë ndaj viktimave që kam takuar në 1999, historitë e tyre janë duke u thënë ende.” /tesheshi.com/

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet