Bllokohen 46.2 ton produkte të pasigurta nga Brazili

Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë ndaloi hyrjen e 46.2 produkte të pasigurta nga Brazili për territorin shqiptar, si dhe ndëshkoi me 5.25 milionë lekë për kundravajtje ligjore tri supermarkete në Tiranë.

Sipas njoftimit për shtyp të AKU-së, gjatë kontrollit të ushtruar në pikën e kalimit kufitar në Durrës dy ngarkesa me produkte importi, të dyja me origjinë nga Brazili dhe destinacion Shqipërinë , nga ku rezultoi 27 ton “Fileto pule” me ngarkesë mikrobiologjike (Salmonella app) dhe 19.2 ton “Kafe kokërr e papjekur” me mangësi në dokumentacionin shoqërues.

“Ndërsa gjatë kontrollit në 3 supermarkete u konstatua importim i produkteve ushqimore në kundërshtim me ligjin, ushtrim aktiviteti i palicencuar, kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP), veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit, tregtim i produkteve me afat përdorimi të kaluar, si dhe etiketim i produkteve jokonform ligjit”, thekson njoftimi i AKU-së.

Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori 9 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 5.25 milionë lekë për 3 subjektet, “Tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu” me destinacion asgjësimin për produktin oriz të importuar në kundërshtim me ligjin, si dhe “Kthimi në vendin e origjinës” për 46.2 ton produkte importi të vlerësuar si të pasigurta për konsum human.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet