Blerim Gashani: A e kemi pasur përnjëmend për Kosovën?

Blerim Gashani është një zë kritik, mjaft i njohur për lexuesit shqiptar gjithandej trevave tona. Qindra artikuj, të natyrës publicistike, që godasin fort trendin regresiv kulturor, i janë publikuar në shtypin ditor dhe në mediat elektronike në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Ai u lind më 25 dhjetor 1974 në Tërstenik (Qëndresë), të Drenasit. Pas përfundimit të shkollës fillore, përkatësisht të mesme, ai i vijoi studimet themelore në degën e Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës. I ka të mbaruara edhe studimet themelore për Komunikim Masiv dhe Gazetari në Universitetin AAB. Përveç në arsim, ai ka edhe një përvojë të gjatë edhe si përkthyes, zanat të cilin e ka zhvilluar nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare të cilat kanë vepruar në vendin tonë.

Me publicistikë, ka filluar relativisht vonë, por mjaftueshëm për t’u shndërruar në një autor të shquar për lexuesit. Një pjesë të artikujve të publikuar, i mblodhi para dy vitesh në librin ‘Vjeshtë e ngrime’, libër në të cilin është në bashkautorësi me motrën e tij, poeten Naxhije Gashani. Libri është një përmendore e kujtesës dhe dhimbjes, kushtuar fatit tragjik të motrës së tyre të ndjerë Mihane Gashani – Deliu dhe gjithë viktimave të pafajshme të cilat pësuan në luftën e fundit.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re ai u është përgjigjur pyetjeve që kanë të bëjnë me dekadencën kulturore nëpër të cilën ka kaluar Kosova këtu e sa dekada, për gjendjen aktuale politike si dhe për shkëndijat e pakta që janë duke na falë besim e shpresë për një të ardhme më të mirë.

GER: Sentencat: “…ne kemi fituar sepse kemi mbetur njerëz” dhe “lufta më e vështirë njerëzore, është lufta për të mbetur njeri”, i kemi shkëputur nga libri ‘Vjeshtë e ngrime’, ku ju jeni bashkautor me motrën tuaj, poeten Naxhije Gashani. Nuk mund ta shmangnim as nga fillimi i kësaj interviste këtë libër, që s’është veçse një përmendore e dhimbjes njerëzore, një ndjenje të cilës kemi filluar t’ia harrojmë aromën… si u bë që u tjetërsuam kaq shumë z. Gashani?

 Gashani: Disa vjet më parë, mora me makinë një të moshuar buzë rruge. Tipike për gjeneratën e tij, filloi me atë se kush, nga dhe i kujt isha e shumë pyetje të tjera që të rinjtë shakaxhi do t’u thoshin “sikur me e nxjerr letërnjoftimin”. Kur i tregova, kaloi në pyetje tjera: ku po gjendesh, kah ke qenë, si keni kaluar në luftë, a jeni dëmtuar? I tregova shkurt, por nuk shpëtova me aq. Prandaj, i tregova se sikur mijëra familje në Kosovë, edhe ne kishim humbur disa anëtarë të familjes. Plaku u ndal, u step, ofshau, pushoi pak dhe shtoi: “Auuh, ju paskit dhanë shumë për këtë vend, për liri, po ndjehem i vogël pranë jush”. U nguta: “Jo, jo, mixhok, familjarët e mi kanë qenë civilë të pafajshëm, nuk kanë qenë luftëtarë. Nuk ka asnjë arsye që ju të ndjeheni i vogël pranë meje, sepse unë nuk kam dhënë asgjë për këtë liri”. Nuk u dorëzua dhe m’tha “sigurisht, ju ndjeheni krenarë”. Me mirësjellje dhe me fjalë të matura, sidomos për shkak të moshës, i thashë së unë refuzoj një gjuhë, e cila flet se qenka krenari që na i kanë vrarë fëmijët tanë, pleqtë dhe familjarët e pafajshëm, sepse, përveç se është një rrenë e madhe dhe një krenari artificiale, kjo do të ishte përbuzja më e madhe ndaj gjakut të tyre të pafajshëm. Plaku më shikoi me habi dhe gjatë rrugës që na kishte mbetur, më foli shumë gjatë, por që mund të përkthehet shkurt si “për së pari herë, po takoj dikënd që nuk dëshiron ta shfrytëzojë e kapitalizojë humbjen gjatë luftës”.

Po, ne mendojmë se lufta më e vështirë, është lufta për të mbetur njeri. Bashkë me Naxhën e kemi shkruar këtë libër për dhimbjen, por edhe për kujtesën, për detyrën, obligimin, por edhe për refuzimin. Sidomos, për refuzimin.

Ju, me të drejtë përmendni tjetërsimin. Pse na ndodhi ky tjetërsim? Nuk mund të na ndodhte ndryshe. Sepse:

Shqiptarët e Kosovës përjetuan frikën, traumën, tmerrin, terrorin, vrasjet, deportimet. Traumatike ka qenë edhe qetësia në oborret tona të shkreta pas kthimit nga ploja dhe vrasja e kujtimeve. Mirëpo, më e lemerishme ka qenë faza kur shqiptarët panë se sharlatanët, kriminelët, primitivët, servilët pakurrizorë e militantët katilë e kishin okupuar krejt hapësirën, ku kjo popullatë do të mund të shëronte traumat e veta. Kishte filluar tjetërsimi. Për ta luftuar këtë tjetërsim, ne filluam refuzimin e  krenarisë së paqenë, retorikës boshe e të jashtëkohshme, parakalimet, deklamimet, fodullëkun primitiv, folklorizmin romantik, hipokrizinë, falsitetin. Dhe me këtë refuzim, kemi shkruar librin “Vjeshtë e ngrime”, kushtuar motrës sonë, Mihane Gashani – Deliu, por që është edhe protestë e dhimbjes për të gjithë shqiptarët e Kosovës që u vranë në mënyrë mizore.

 GER: Kush ka faj më tepër, në këtë rrokullisje të pandërprerë drejt një pellgu amoral, ata që vijojnë t’i kontribuojnë kësaj apo ata që heshtin?

Gashani: Ju që po më pyesni, unë që po ju përgjigjem, ata që (mund të) na lexojnë, në këtë vend, kemi faj të gjithë, sepse kemi dështuar të gjithë. Natyrisht se jo të gjithë njësoj, por të gjithë i kemi kontribuar dhe vazhdojmë t’i kontribuojmë këtij moçali. Disa me shumë zhurmë, pjesa tjetër, shumë më e madhe, me heshtje, me heshtje të plotë. Kemi dështuar të gjithë ne që kemi duruar që në këtë shoqëri të mbizotërojë rrena, të mbizotërojë i keqi, i ligu, frikacaku arrogant. Kemi dështuar ne që e kemi ulur në vendin e madh më të keqin nga ne, ne që kemi lejuar të na e vjedhin votën, ne që kemi lejuar të na i zbresin me dhunë fëmijët nga autobusët për t’i futur në tubimet parazgjedhore, ne që nuk kemi reaguar kur kemi parë linçimin e burrave, grave e familjeve më të mira që i kemi pasur. Kemi dështuar sepse kur ka filluar frikësimi, kërcënimi, rrahja, reketimi, haraqi, hajnia, ne nuk kemi reaguar. Kemi dështuar kur toka e Kosovës është privatizuar për më pak se një euro për ari dhe kur ndërmarrjet më të vyera të Kosovës u janë dhënë njerëzve më pak të vyer dhe më të ligj që ky popull ka prodhuar ndonjëherë. Kemi dështuar kur kemi parë të keqin që po udhëheq, por për arsye se ishte “i yni” kemi heshtur. Kemi dështuar kur kemi parë se kjo shoqëri po kalbet dhe ne nuk kemi dhënë asnjë alarm. Asnjë!

Megjithatë, sikur thamë më lart, dikush ka dështuar më shumë e dikush më pak. Kush ka dështuar më shumë? Më së shumti, në këtë vend ka dështuar elita. Nëse shprehemi në mënyrë pakëz më të vjetruar, këtu ka dështuar njeriu i shkolluar, i emancipuar, i kulturuar, i ngritur; njeriu që flet e shkruan për bukuri. Këtu kanë dështuar, sidomos, intelektualët. Dhe këtu ka një paradoks. Intelektual është ai njeri i ngritur, i shkolluar dhe i emancipuar, që përveç shkëlqimit në profesionin e vet, në fushën bazë të angazhimit të tij, e ngritë zërin për të mirën e përgjithshme, në luftën e së mirës kundër së keqes. Eh, mu këtu, intelektualët e këtij vendi kanë dështuar. Me heshtje, pra. Me këtë heshtje, ata/o jo vetëm që kanë mundësuar mbizotërimin e së ligës në këtë shoqëri, por edhe ia kanë hequr vetes titullin “intelektual”. Përgjithmonë! Kjo për shkak – është e tepërt të shpjegohet – se heshtja e turpshme dhe “profesioni” intelektual nuk shkojnë bashkë.

 GER: Përfaqësuesja e Kosovës në Futboll, vitin që iku, ia doli që në mënyrë të shkëlqyeshme ta përmbyllte sezonin, duke korrur një sukses të pabesueshëm. Me këtë rast, ju jeni shfaqur tërë ngazëllim. A do të thotë kjo që ju keni shpresa se në të ardhmen, një brez i ri, i formuar, i ndërgjegjshëm, do ta bëjë Kosovën një vend të jetueshëm? Një shtet ku ka rend dhe ligj?

 Gashani: Së pari, më duhet t’ua sqaroj lexuesve tuaj, për shkak se mund t’u shkaktojë habi serioziteti, me të cilin unë merrem me futbollin. Më duhet t’u them, pra, se unë mendoj se futbolli nuk është vetëm një sport i zakonshëm, futbolli nuk është vetëm futboll. Futbolli në ditët tona është shumë më shumë se kaq. Armiqësitë, rivalitetet, inatet, zilitë, garat, ndeshjet antike e mesjetare të njerëzve e popujve,  janë zhvendosur në fusha të blerta. Dhe, përveç gjakut e vdekjes së rivalit, ende gjithçka është aty. Dëshira, gjakimi, lufta për fitore, djersa, inati, rivaliteti, dafinat e triumfuesit, dëshpërimi i të mundurit dhe politika, sidomos politika, ende janë aty! Në kohën e sotme, është luks i madh të trajtohet futbolli vetëm si një sport i thjeshtë. Dhe, këtu na ndihmon rasti i SHBA-së. Ata e kanë luksin ta trajtojnë futbollin si futboll, jo më shumë. Prandaj, edhe temë e jetës së banorit të superfuqisë nuk është futbolli. Tjetër rast, janë vendet skandinave. Futbolli tek ata është argëtim i ëmbël, jo më shumë. Dhe, kjo nuk lidhet vetëm me ekonominë e standardin e jetesës, sepse gjermanët do të na e prishnin këtë argument. Edhe pse superfuqi ekonomike, dhe jo vetëm, por për shkak të historisë – sidomos që lidhet me L2B – Gjermania ende nuk e trajton futbollin vetëm si atë lojën ku 22 sportistë vrapojnë pas një topi në një fushë të blertë. Pas një mea culpa legjendare, katarzës, rindërtimit, por edhe turpërimit dhe turpit të ndjerë në asht, fitorja e kombëtares së tyre në Zvicërr më 1954, ishte ilaçi për plagën që nuk po shërohej.

Për t’iu kthyer pyetjes suaj, po, unë kam qenë i lumtur dhe i ngazëllyer nga performanca, por edhe sukseset, e Kombëtares së Kosovës në futboll. Kjo më ka dhënë, sikur thotë Barak Obama, guxim për të shpresuar dhe shumë dashuri për djelmoshat tanë. Dhe, pse i dua dhe pse mendoj se duhet t’i duam këta djelmosha dardanë?

Sepse ata na tregojnë dhe na e dëshmojnë potencialin tonë, mundësinë, forcën, talentin, energjinë, elanin, vullnetin, këmbënguljen, stabilitetin e disiplinën e shqiptarit. Ata na treguan si është dhe çka mund bëhet shqiptari nëse ka rend, nëse ka shkollë, nëse ka ekonomi, nëse ka shtet, nëse ka disiplinë, nëse ka respekt, nëse ka dinjitet, nëse ka dashuri.

Këta gladiatorë modernë na e kujtojnë si është jeta pa partitë kriminale dhe mjerane politike të shqiptarëve, pa elitat e plogështa, inferiore dhe të korruptuara shqiptare. Ata na tregojnë si do të ishte jeta pa këta mekanizma që i frenojnë shqiptarët dhe i lënë në baltë, në mjerim, pa perspektivë, pa shpresë.

Prandaj, më ngazëllejnë aq shumë këta kurbetqarë, sepse, na e tregojnë qenien tonë në shkëlqim, në krenari, na e shfaqin shqiptarin me kokën lart. Ata janë dëshmia se ne mund të dalim nga balta ku po na mbajnë dhe të jetojmë me dinjitet. Ka shpresë!

 GER: Lexuesve, pa dyshim, u kujtohet artikulli: ‘Ushtari Rajan dhe pesë vëllezërit Dvorani’, i publikuar vite më përpara, ku ju, ndër të tjera, kritikoni paaftësinë e skenaristëve dhe regjisorëve tanë, për ta ndërgjegjësuar shikuesin vendor dhe sidomos atë të huaj, me atë se ç’ka ngjarë këtu. A thua çdo cep i shoqërisë është kontaminuar nga soji i të paaftëve?

 Gashani: Ma merr mendja se e keni parë atë foton e fëmijëve të familjes së Adem Jasharit. Aty shihen 18 fëmijët e familjes më të njohur shqiptare, që pozojnë së bashku, të buzëqeshur, të lumtur e të shkujdesur në oborrin e shtëpisë së tyre. Vetëm 6 nga ta i kanë shpëtuar plojës. Kur e shikoj atë foto, ndjej trishtim, dhimbje, pikëllim, boshllëk në zemër. Çuditërisht, menjëherë pas kësaj, ndjej një ngushtim dhe një siklet. Dy dekada kanë kaluar dhe nuk ka asnjë film për fatin e kësaj familjeje. Vetëm nga buzëqeshja e ngrirë e fëmijëve të Jasharëve, vetëm nga gazi i tyre fëmijëror, popujt tjerë do ta kishin bërë një film. E mos të flasim për brumin gjigant heroiko-tragjik nga kjo familje, që pret dorën e artistëve për ta formësuar e për ta përjetësuar. Dorën, që nuk zgjatet, apo…që nuk ekziston.

Shkrimin për Hajriz Dvoranin e kam shkruar në njërën nga ato ditët kur kam qenë i tmerruar nga mungesa e mbamendjes në këtë shoqëri. Kur kam qenë i pikëlluar për vrasjen e kujtesës për njerëz e familje që kanë dhënë çmim të lartë për lirinë. Në një nga ato ditët, kur kam vrarë mendjen pse shumica e shqiptarëve e dinë kush është ushtari Rajan, sepse kanë parë filmin “Shpëtimi i ushtarit Rajan”, mirëpo, shumica absolute e shqiptarëve nuk kanë dëgjuar kurrë për Hajriz Dvoranin, nuk kanë dëgjuar për pesë vëllezërit e tij. Shqiptarët e dinë se ushtari Rajan ishte i vetmi që kishte shpëtuar nga 4 vëllezërit e familjes amerikane, por nuk e njohin Hajriz Dvoranin, që është i vetmi që ka mbijetuar nga gjashtë vëllezërit e tij. Pesë vëllezërit e tij janë vrarë nga serbët në  pranverën e vitit 1999. Këtë shkrim e kam shkruar në njërën nga ditët kur kam qenë i turpëruar pse ende nuk ka një film për Hajriz Dvoranin dhe familjen e tij. Shkrova disa fjalë për kineastët tanë, sepse ndjehem i frustruar dhe, sidomos, i turpëruar pse ende nuk kemi një film të mirë nga brumi i luftës së fundit.

Përgjigjen në këtë pyetje po e përfundoj, njëjtë sikur këtë shkrim: “Përkujtimi i dhembjes nuk bëhet për hatër të ushtarëve Rajan dhe vëllezërve Dvorani. Përkujtimi i tyre ndihmon identifikimin tonë më dhembjen. Me dhembjen e Nanës që ka humbur pesë djem. Po të kishim art, po të kishim letërsi, po të kishim kinematografi, ne do të mund të identifikoheshim me dhembjen e kësaj familjeje dhe të mijëra familjeve tjera si kjo. Nëse jo për ta, atëherë për ne, për veten tonë. Sepse, në mos për asgjë tjetër, identifikimi me dhembjen na bën më të mirë. Dhe – ma merr mendja se këtu pajtohemi – sa shumë kemi nevojë të bëhemi më të mirë!”

 Për ta përmbyllur përgjigjen: po, çdo cep i shoqërisë sonë është i kontaminuar – ashtu si thoni ju me shumë të drejtë – nga njerëz të paaftë. Çdo institucion, çdo organ, çdo ndërmarrje, çdo organizatë e organizëm në Republikën e Kosovës është i udhëhequr nga të paaftit. Përjashtimet minore vetëm sa e përforcojnë rregullën ose na bëjnë me dije se nuk i njohim mirë ato (përjashtimet, pra).

GER: Hapur dhe pothuajse në mënyrë të vazhdueshme i keni kritikuar pa përjashtim të gjitha partitë, duke mos i kursyer as ato në opozitë. A konsideroni që ndonjëra prej tyre, njëfarësoj, jep shenja që mund t’i vë në binarë detyrat që nuk i kanë kryer ato të cilat e kanë pasur pushtetin në dorë?

 Gashani: Po, është e vërtetë ajo që thoni. Unë jam përpjekur dhe përpiqem të ngris zërin kundër të gjitha grupeve e strukturave që e sollën Kosovën në këtë gjendje. Natyrisht, më së shumti e kam kritikuar PDK-në, sepse për mendimin tim ajo është fajtorja kryesore për plagët e sotme të Kosovës, por jo si parti politike, sepse unë nuk e konsideroj si të tillë. Pavarësisht se shpesh thuhet se kemi shumë parti politike, duhet thënë se në Kosovë kemi vetëm dy parti politike: LDK dhe VV. Të tjerat, janë disa grupe të organizuara politike që ose janë degë të jashtme të Partisë së Punës së Shqipërisë (PDK-ja p.sh.), prona klanore (AAK), prona biznesi të një familjeje (AKR) dhe grupe tjera lilipute satelitore. Sot, dy partitë e vetme janë në opozitë dhe Kosovën e sundojnë – nuk po them e qeverisin – këto grupet e klanet tjera. Prandaj, në përgjigjen time do të flas vetëm për dy partitë – LDK-në dhe VV-në.

LDK-ja, natyrisht jo kjo që përfaqësohet nga paria e saj aktuale, ka qenë struktura politike, por edhe emancipuese, më e ndritshme e shqiptarëve – jo vetëm të Kosovës – gjatë gjithë historisë sonë. LDK-ja nuk ka shoqe në krejt rrugëtimin politik të shqiptarëve, gjatë gjithë historisë. Në kohën kur popujt që po dilnin nga komunizmi, po nxirrnin parti të reja apo vazhdimësi të partive sunduese, që hapnin plagë tjera, që kërkojnë shekuj të shërohen (shihni Shqipërinë, sa për ilustrim), shqiptarët e Kosovës sa janë udhëhequr nga LDK-ja, jo vetëm që nuk kanë hapur plagë të reja në trungun e vet, por kanë filluar të shërojnë plagët e shkaktuara nga komunizmi dhe robëria. Me kohë, e goditur pa mëshirë – nga jashtë vendit, por edhe nga brenda, nga të huajt por, më së shumti nga shqiptarët – LDK e humbi ritmin, e humbi primatin e dikur e humbi edhe rrugën.  Prapëseprapë, dhe kjo mund të tingëllojë si paradoksale, mendoj se LDK ende ka potencial ndërtimi, zhvillimi dhe përparimi të Kosovës. Sa për kritikë, unë vazhdoj ta kritikoj LDK-në, sepse thellë-thellë, ia dua frymën paqësore dhe konstruktive dhe besoj ende në të e në potencialin e saj shtetndërtues. Po ashtu, e kritikoj, sepse dëshiroj që ajo të flakë nga vetja personat, që tani për tani bëjnë se e udhëheqin.

Vetëvendosje! në anën tjetër, nuk ka histori emancipuese, por ka strukturë të fortë organizative, shtrirje jo-artificiale (sikur disa parti tjera), ka shumë energji mobilizimi, shumë ide për rrëzimin e partive-pushtet që po sundojnë Kosovën dhe ka vullnet të çeliktë e vendosmëri për t’i jetësuar, për t’i çuar deri në fund idetë dhe vizionin e tyre. Funksionon shumë mirë si frymë, si lëvizje, si parti, si grup, si ekip, por edhe ka qindra udhëheqës e anëtarë që kanë vlera të larta edhe si individë. Derisa LDK ka performancë më të mirë, nëse është në pozitë, në vendimmarrje dhe ka më pak ide e vullnet të dobët për t’u ngjitur aty, me VV-në ndodh krejt e kundërta dhe ky është problemi më i madh që ka kjo parti. Ata kanë vizion, ide, performancë të shkëlqyeshme, konsekuencë, vendosmëri, energji dhe vullnet për të hipur në pushtet, por aty fillon problemi për ta. Pushteti e vret performancën dhe normalitetin në këtë parti dhe kjo vjen si pasojë e mungesës së një kauze të madhe në ngjizjen e kësaj partie.

Prandaj, këtij vendi i nevojitet energjia, vendosmëria, idetë dhe vullneti i VV-së për ta rrëzuar klasën kakistokratike që po e shkatërron Kosovën, por i nevojitet edhe përvoja historike, konstruktiviteti, filozofia politike dhe substanca paqësore e LDK-së për ta ndërtuar Kosovën pastaj.

Kush mund të mundësojë bashkëpunimin, jo bashkimin, e të dyjave, duke krasitur barishtet e këqija dhe rrodhet në trupat e dy partive të vetme të shqiptarëve të Kosovës, do të mund të garantonte lindjen e një Kosove të re, por kjo është shumë utopike për t’u kthyer shpejt në realitet. Së paku, jo derisa “mandela” i VV-së të harrojë dhunën e anarkinë si mjet për arritjen e qëllimeve politike. Tashmë, janë shfaqur shumë shenja për këtë harresë, që sikur tek idhujt e tij, është e pritshme.

 GER: Cila është zgjidhja z. Gashani? Nga duhet t’ia fillojmë?

 Gashani: Ky vend pa përjetuar një plojë, një krim kundër njerëzimit e për pasojë një traumë që nuk është shëruar. Dështimi në trajtimin e këtyre krimeve dhe kësaj traume ka prodhuar krimin tjetër dhe turpin e kësaj shoqërie. Prandaj, kjo shoqëri ka nevojë për shërim, që arrihet vetëm me drejtësi. Pa drejtësi – po e shihni edhe sot – edhe liria e pavarësia vihen në dyshim. Pa drejtësi, jo vetëm që nuk mund ta ndërtojmë Kosovën, por nuk mund t’i ndërtojmë as kosovarët!!!

Pas drejtësisë dhe sundimit të ligjit, pastaj duhet të vazhdojmë me zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi, kulturë e të tjera me rend. Në të njëjtën kohë dhe për të jetësuar këto që thamë, duhet të thërrasim dhe të tërheqim pjesën e popullatës që është e gatshme dhe e përgatitur për hapësirën publike, për jetën intelektuale, për vendimmarrje, për qeveri, për diplomaci e të tjera. Ne e kemi një popullatë të tërë që e kemi shtyrë në margjina, për t’u lënë sharlatanëve të merren me sferën publike dhe me vendimmarrjen.

Mirëpo, krejt këto nuk jetësohen pa arritur drejtësi. Këtu ka ndodhur krimi – në të gjitha fushat – dhe pa u adresuar ky krim, kjo shoqëri  nuk mund të ngihet frymë.

 GER: Krejt për fund, si e shihni Republikën tonë pas dhjetë viteve?

 Gashani: Mendoj se ajo çfarë do të jetë Kosova jo vetëm pas dhjetë vjetësh, por edhe më tej, do të varet nga sjellja politike, në dy vitet e ardhshme dhe këtu ka dy skenarë. Njëri, nëse Kosova vazhdon të sundohet nga kjo klasë kriminale dhe injorante dhe, skenari i dytë, nëse me ndonjë mrekulli – që tek ne gjithmonë vjen si ndihmë ndërkombëtare (ku doemos duhet të përfshihet mërgata jonë e vyer) – të lirohemi nga ta.

I pari skenar natyrisht se është shumë i zymtë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për shqiptarët përreth dhe do të përfshinte temat e përfolura, korrigjimin e këmbimin e territoreve, që do të sjellin katastrofa të tjera dhe do t’i japin fund Kosovës si entitet politik. Po ashtu, do të shkaktonte deportime e pastrime etnike dhe shumë nga shqiptarët do të shpërndaheshin nëpër botë. Prapë!

Skenari i dytë është më optimist dhe ai do të ishte një fillim. Një fillim – dhe këtu  nuk guxojmë ta gënjejmë vetveten – i vështirë i ndërtimit të shtetit të Kosovës. Nëse lexuesit tuaj mendojnë se fjala “fillim” në këtë fjali është shkruar gabim, dua të përsëris se ne ende nuk kemi filluar ta ndërtojmë Kosovën.

Fryma nacional-demokratike, lëvizja popullore, lëvizja pacifiste, lufta e armatosur, Rambujeja, Viena, Shpallja e Pavarësisë, Kushtetuta, njohjet, Haga (verdikti i saj për shpalljen e pavarësisë), anëtarësimet në organizmat dhe mekanizmat ndërkombëtarë dhe punë të tjera të mëdha janë bërë për liri, për të mbijetuar, për të ekzistuar, për të mos u shfarosur, për të vazhduar jetën në këtë vend që quhet Kosovë. Së dyti, disa prej këtyre punëve, nuk kanë pasur sukses, kështu që është dashur që miqtë ndërkombëtarë të na i kryejnë. Lëvizja popullore me orientim marksist ka prodhuar lëvizjen e armatosur, e cila ka margjinalizuar pacifistët, por që të dyja bashkë dhe asnjëra veç-e-veç nuk ia kanë arritur ta largojnë Serbinë nga Kosova. Pastaj, Rambujenë, Vjenën, Shpalljen e Pavarësisë, Kushtetutën, Hagën, njohjet ndërkombëtare dhe anëtarësimet në organizmat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, të gjitha këto na i kanë nisur, organizuar, diktuar dhe përfunduar miqtë ndërkombëtarë. Kjo është e vërteta. Sado që dhemb, kjo është e vërteta. Ajo që dua të them është se këto nuk e bëjnë shtetin e Kosovës. Shtetin e Kosovës duhet ta bëjmë ne. Shteti dhe kombi janë marrëveshje, prandaj së pari ne duhet të merremi vesh me njëri-tjetrin.

A është Kosova shtet i pavarur, apo krahinë e shqiptarisë? A ka Kosova simbole shtetërore, kombëtare, tranzicionale apo nuk ka fare? A do të bashkohemi me Shqipërinë tani, në BE, në ndonjë organizëm tjetër apo fare? A është Kosova shteti ynë, apo një fazë kalimtare? A është Kosova kjo, brenda kufijve të sotëm, apo kufijtë e saj janë “mobilë”? A është Kosova republikë apo shumësi krahinash, feudesh dhe çifligjesh? A është Kosova me Perëndimin, me Lindjen, në mes, me të dyja, apo me asnjërën? A është Kosova shtet shqiptarësh apo i qytetarëve të saj, pavarësisht etnisë dhe dallimeve tjera? A është Kosova peng i minoritetit të saj më të madh? Kosova merr pjesë si përfaqësuese apo si kombëtare në Ligën e Kombeve në futboll? A është Kosova vend ku sundon ligji apo ka persona, subjekte e familje që janë mbi ligjin?

Dhe, pyetje tjera që kërkojnë përgjigje. Pastaj, pyetja më e rëndësishme është: Kush do t’u japë përgjigje pyetjeve të mësipërme?

Akademia dhe akademikët, klasa intelektuale, partitë politike aktuale, krahinat, fiset, bandat, klanet, familjet feudale…nuk mund t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve. Prandaj, në skenarin e dytë duhet të paraqitet një frymë e re në politikën e Kosovës.

Atëherë, Kosova do të fillonte rrugëtimin e vërtetë dhe do ta ndalnim zhbërjen e Kosovës, që po kulmon me skenarin e parë. Tani kur po shkruajmë, nën ethe dhe nguti, skenari i parë është duke u implementuar dhe po ndihmohet nga vetë shqiptarët, jo vetëm të Kosovës. Po duket se po hyjmë në sfidën finale, ku do të duhet të përgjigjemi vetëm në një pyetje:

A e kemi pasur përnjëmend për Kosovën?/Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet