Blerim Burjani: LDK e shkarkoi veten nga pushteti

Profesori dhe juristi Blerim Burjani u lind në Prishtinë, shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje. Fakultetin Juridik e kreu në Universitetin e Prishtinës, e po ashtu edhe studimet e magjistraturës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Ka mbajtur disa poste me rëndësi, ndër to edhe këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Këshilltar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ishte Përfaqësues i Qeverisë në CEFTA etj.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re ai reflekton mbi situatën politike kosovare, me fokus të veçantë për situatën e zgjedhjeve, koalicioneve parazgjedhore të krijuara dhe perspektivës së vendit.

GeR: Z. Burjani tashmë gjendemi para një procesi zgjedhor të parakohshëm, për legjislaturën e re. Do të donim të dinim vlerësimin tuaj për punën e qeverisë në ikje. Për çka do të mbahet mend Qeveria e Kryeministrit Isa Mustafa?

Burjani: Kjo qeveri do të mbahet mend për faljen e borxheve për qytetarët si përpjekje për ta zbutë krizën sociale. Kjo përpjekje erdhi pasi vendi u përball me eksodin e qytetarëve, menjëherë pas themelimit të kësaj qeverie. Kjo nuk ishte falje e plotë, por ishte administrim i borxheve të qytetarëve duke negociuar me ta për të  shlyer borxhet me këste. Reforma ekonomike  veçmas ajo fiskale, pra pakoja fiskale 1, ishte angazhim i kësaj qeverie për të gjetur zgjidhje për lehtësimin  e bizneseve ekonomike dhe për lehtësimin e jetës se qytetarëve. Kështu duke tentuar të ndikojë uljen e çmimeve për disa produkte, tentim që dështoi për shkak se bizneset nuk i morën parasysh rekomandimet e qeverisë, për më shumë kishte edhe ngritje çmimesh të disa produkteve nga frika se  këto biznese do të humbnin si rezultat i masave qeveritare. Pastaj reformimi pensional i filluar dhe i lënë në gjysmë, pastaj përpjekja për nxjerrjen e ligjit  e sigurimeve shëndetësore,  pastaj mos gatishmëria për t’u ballafaquar me problemin e mjekeve që mbajnë punë dhe kontrata të dyfishta (edhe në QKUK dhe UP), pastaj përpjekja që bëri ministria, për rimburësim të kuponave fiskal, për pakon e 2 fiskale, të cilën siç dihet nuk arriti ta zbatojë. Kjo qeveri do të mbahet mend për gazin lotsjellës, për demarkacionin, për padëgjueshmërinë e partiakëve të Isa Mustafës të cilët e dërguan deri te mocioni. Do të mbahet mend se si vet LDK, që e drejtonte qeverinë, e rrezoj atë. Sepse fundja, për shkak të asaj se 7-8 deputetë nga radhët e kësaj partie nuk e përkrahën liderin e tyre, u rrëzua qeveria. Sikur të ndodhte votimi i demarkacionit, praktikisht nuk do të kishte rënë. Përfundimisht kjo qeveri do të mbahet mend për  mos aftësinë e saj që të marr vendime të rëndësishme.

GeR: Shtet-ndërtimi vazhdon të jetë çështje me shumë sfida, por sipas jush çka është ajo që po e sfidon më së shumti shtet-ndërtimin e Kosovës?

Burjani: Korrupsioni, nepotizmi, kontrolli i pasurive publike nga klasa e politikanëve, marrja me politikë vetëm për përfitime ekonomike, monopolizimi i ekonomisë (që është e kundërligjshme), grabitja e pasurive, marrja me përfitime pa bazë, mos funksionimi i duhur i organeve të drejtësisë, cilësia e dobët e arsimit, pasiguria e qytetarëve dhe gjëra të tjera, janë krizat me të cilat do të vazhdojë të ballafaqohet vendi. Shteti duhet të ketë tri shtylla të prioritetit, zhvillimin ekonomik, mbrojtjen adekuate shëndetësore me sigurime përkatëse dhe mbrojtje sociale adekuate për kategoritë e margjinalizuara. Por gjithsesi jo duke projektuar skema përfitimesh të panevojshme dhe në vazhdimësi, se kjo pastaj quhet zhvatje dhe grabitje e buxhetit të Kosovës. Kategoritë e ndryshme të sistemit shtetërorë deri më tani janë orientuar qysh me e hangër buxhetin e qytetarëve dhe jo si me shtue këtë buxhet. Kjo është e dëmshme. Këtu kultivohen ndjenjat e  grabitjes por jo edhe shtimit të kontributit për buxhetin, përmirësimin e rendit,  funksionimin e ligjit, funksionimin e sistemit të pavarur gjyqësor dhe gjëra tjera. Ndoshta sfidë e madhe do të mbetet përmirësimi i pushtetit gjyqësor.

GeR: Republika e Kosovës para veti si çështje vazhdon t’i ketë demarkacionin dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Cili është opinioni juaj çfarë kahje do të marrin këto dy çështje me ardhjen e Qeverisë së re të vendit?

Burjani: Demarkacioni është çështje teknike dhe  e politizuar skajshmërisht, si e tillë në vetvete e panevojshme fare, demarkacioni e asociacioni janë përdorur si pretekst për të rrezuar qeverinë. Janë të pashmangshme “betejat” se kush do të vij në pushtet ose cilët do të zgjidhen deputetë. Ndërkohë, Kosova rrezikon të izolohet e të ngecë në procesin e integrimeve evropiane, në NATO etj. Është e pakuptimtë kjo çështje. Aspak nuk ishte sfidë reale, por meqenëse synimi ishte si të arrihej pushteti. Këto ishin absurde të mëdha që kanë përcjellë ish kuvendin dhe qeverinë. Këto gjëra duhet zgjidhen patjetër dhe pa shtyrje. Procese të tilla kanë pasur edhe Gjermania, Britania, SHBA-të, pra s’ka asgjë nga shtyrja e proceseve nëpërmjet zgjedhjeve dhe luftës për pushtet që mbretëron në kokat e këtyre njerëzve.

GeR: Cili mund të jetë ndikimi i Gjykatës Speciale në krijimin e qeverisë së re të Kosovës?

Burjani: Mund të jetë ndikim i madh, kur dihet se nëse fiton krahu i luftës që e ndien veten të kërcënuar nga kjo gjykatë,  është tregues jo i mirë. Humbja e popullaritetit tek qytetarët, po ashtu nuk është shenjë e mirë, teksa ata tentojnë të gjithë se bashku, me çdo kusht, ta rikthejnë pushtetin e tyre. Për këtë koalicion sprova më e madhe do të jetë kjo gjykatë, s’ka shpëtim veç vonim. Krahu i luftës u bë bashkë për të shpëtuar më lehtë. Shumica prej tyre dyshohen për përvetësime kundërligjore, kontroll të ekonomisë publike dhe private, keqpërdorime të pozitave zyrtare duke punësuar njerëz  partiakë ,familjarë nëpër borde, ndërmarrje ekonomike publike, private dhe duke ndërtuar biznese ekonomike të paligjshme me para pa prejardhje të ditur. Pra kjo ishte gabim i madhe dhe strategjik edhe i bërjes se këtij koalicioni.

GeR: Tashmë po dihet, Lëvizja Vetëvendosje do të shkojë në zgjedhje pa ndonjë koalicion parazgjedhor. Çfarë vendi mund ta ketë pas 11 qershorit ky subjekt politik?

Burjani: Ky subjekt s’ka njerëz me përvojë dhe profile profesionale. Ky është një grup njerëzish të mbledhur shkaku i një ideologjie të shpikur. As nuk janë parti e majtë e as inteligjente. Është e krijuar thjesht për të kundërshtuar, lëvizje të tilla ka përplot nëpër botë. Të tilla ka në Evropë e veçmas në Amerikën Latine, shumica nuk mbërrijnë kurrë as të bëhen parti se s’kanë njerëz, por kanë protestues kundër pushtetit, pa koncept për t’i rrëzuar qeveritë që i konsiderojnë të këqija, por vetëm për t’u bërë pengesë në punë dhe pa angazhim adekuat  në jetën qytetare. Të tillët janë të aftë për të sharë, fyer, madje edhe kolegët e tyre deputetë, për të hedhur gaz lotsjellës, duke mos i kontribuar askujt. Pra ky subjekt duhet të reformohet rrënjësisht nëse do të ketë pushtet  në të ardhmen kështu si janë vështirë se do të kenë përkrahje, askush nga qytetarët nuk do të krijohen probleme, por zgjidhje, pra s’ka gjë prej një koncepti të tillë, duhet bërë shumë në reformimin e tyre përndryshe do të jetë problem për këtë subjekt politik që është bërë parti pa transformim adekuat reformues.VV dhe LDK duket të kenë më shumë fat kësaj here për të votuar për shkak të bërjes se një blloku të njerëzve të luftës dhe kështu gjasat LDK dhe VV i kanë më të mëdha si kurrë më parë. Është herët ende për të përfunduar mendimin për këtë çështje por se  po shihet se PDK iu ka bërë nderë këtyre dy subjekteve me bërje të e një koalicioni që nuk dihet se a të prishet menjëherë pas zgjedhjeve apo pas fillimit të procedurës së bërjes së qeverisë.

GeR: Dhe për fund, në mendimin tuaj, çfarë i dallon partnerët e koalicionit PDK-AAK-NISMA me ata të LDK-AKR?

Burjani: I dallon shumëçka. E para, PDK përbëhet nga njerëzit me profil dhe të kaluar ushtarake. Komandantë të dalë nga lufta, të cilët e kanë mbajt pushtetin që nga viti 2007,  e deri tani. Nëse shikoni përbërjen e pistave ka ricilkim pothuajse krejtësisht të e njëjtë të njerëzve që kanë përfunduar edukim gjatë posteve publike, dikur klasë  e varfër feudale, e tash e pasur skajshmërisht. Ky koalicion ishte tërësisht i pa dobishëm dhe abstrakt i bërë për interesa personale të liderëve të tyre. Ky koalicion duket të jetë bërë për shkak të rënies së dukshme të interesit për këta njerëz dhe për shkak të gjykatës speciale. Ideja është që këta të qëndrojnë në skenë dhe të kontrollojnë pasuritë e tyre të shumta të bëra në mënyrë te çuditshme. LDK dhe AKR janë koalicion më i natyrshëm. LDK është qe një kohë të gjatë në pushtet. Qe 17 vite, por e pa reformuar. Pozitive është se ky koalicion ka ekspertë  të shumtë brenda tyre dhe s’ka njerëz problematik që bien ndesh me rendin dhe ligjin. Pra kryeministri i propozuar vjen nga profili ekonomik dhe po ta krahasojmë me koalicion tjetër, që si dihet as për çka është, përveç që mund të vlerësohet se ka mundësi të zgjidhe probleme të tjera, vetëm politike, kjo i bie që qytetari do të mbetet i varfër  dhe pa shpresë për mirëqenie sociale, shëndetësore  dhe ekonomike. Pra s’ka as për çka bëhet? Për demarkacion dhe asociacion? Ky është koalicion për këto gjëra dhe për t’u mbrojtur me mirë nga gjykata speciale asgjë tjetër./gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet