Bizneset që nga fillimi i pandemisë COVID-19 kanë humbur 1 miliard euro

Nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri më tani humbjet e bizneseve në vend janë 1 miliard euro, që është një alarm për vendimmarrësit.

Kështu është thënë në konferencën e përbashkët të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kryetari i OEK, Berat Rukiqi theksoi se nëse nuk intervenohet kolapsi ekonomik është i pa shmangshëm, që sipas tij, do të ketë mbyllje të vendeve të punës dhe falimentim të bizneseve.

“Nga fillimi i pandemisë COVID-19 humbjet në ekonomi janë në vlerën 1 miliard euro, dhe duhet ndërhyrë shpejt për pjesën e përgjegjësisë që ka qeveria në adresimin e kësaj situate të rëndë. Nëse nuk intervenohet me mjete në ekonomi gjatë fundit të këtij muaji dhe fillimi tetorit kolapsi është i pashmangshëm dhe mbylljen e vendeve të punës dhe bizneseve”, tha Rukiqi.

Ai tha se gjendja ekonomike është e rëndë dhe institucionet po tregojnë paaftësi për trajtimin e kësaj gjendje.

Ndërsa, edhe sot nuk ka kaluar në Kuvend, Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka ka thënë se mos kalimi i ligjit në Kuvend për rimëkëmbje është për keqardhje.

“Ky Ligj është mjaft me rëndësi për vendin, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të shkaktuar nga COVID-19. Debati në Kuvend është i natyrës politike. Kemi nevojë për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe atij edukativ”, tha Zeka.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e marrëveshjes të arritur në Shtëpinë e Bardhë që do të jetë mjaft e dobishme sipas tij, nëse nisin së zbatuari.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi

Të ngjajshmet