Bizneset kërkojnë unifikim të POS-ëve bankar, për BQK-në ky është proces kompleks

Në vendin tonë po mbetet një sfidë për tregtarët dhe konsumatorët derisa kryejnë pagesa ose transaksione nëpërmjet POS-ëve bankar. Në Evropë dhe ku do në botë klienti e ka një POS. Bankat komerciale po realizojnë edhe të hyra prej 4 përqind nëpërmjet pagesave. Thuajse shumica e bankave komerciale në Kosovë kanë POS-a të veçantë dhe po krijojnë huti dhe kohëzgjatje për shërbimet e konsumatorëve nëpër dyqane.

Për këtë, Rrjeti i Shitësve me Pakicë po kërkon që të bëhet unifikimi i POS-ëve, si instrumentet i pagesave me kartela të bankave komerciale, ndërsa zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës shprehën se është një proces kompleks që të realizohet një kërkesë e tillë.

Përveç kësaj, bankat komerciale po realizojnë edhe të hyra prej 4 përqind nëpërmjet pagesave me POS-a.

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj thotë për KosovaPress, se në rajon, Evropë dhe kudo në botë, klienti e ka një POS dhe paguan në mënyrë elektronike përmes një POS-i.

Metaj deklaron se edhe për klientin është shumë më e leverdishme nëse e ka vetëm një pos, po ashtu në këtë mënyrë edhe pagesat janë shumë më të mëdha, qarkullimi më i madh krahas keshit.

Metaj: Transaksionet munden me u kryer në kuadër të një POS-i të vetëm

“Si rrjet jemi adresuar te BQK-ja që kemi pasur takime me zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, kërkesa jonë ka qenë integrimi i krejt POS-ëve nga të gjitha bankat që operojnë në Kosovë në një POS. Praktika të tilla ne shohim që ka edhe në rajon, në Evropë dhe ku do në botë që klienti e ka një POS dhe paguan në mënyrë elektronike përmes një POS-i. Edhe për klientin është shumë më e leverdishme nëse e ka vetëm një POS, po ashtu në këtë mënyrë edhe pagesat janë shumë më të mëdha, qarkullimi më i madh krahas keshit… Nuk është e nevojshme prej arkës në arkë me kërkuar POS-in e bankës x, ose POS-in y, por në një formë është ai POS dhe të gjitha transaksionet munden me u kryer në kuadër të një POS-i të vetëm, edhe një tarifë të vetme”, deklaron Metaj.

Ajo thotë se sipas BQK-së, kamata është 4 përqind për kryerjen e këtyre transaksioneve.

Kryetari i Shoqatës së Bankave në Kosovë, Petrit Balija, pohon për KosovaPress, se kjo shoqatë e mbështet një gjë të tillë, sepse konsolidimi i POS-ëve i ndihmon edhe institucionet financiare, por edhe qytetarët ose klientët e bankave.

Balija thotë se një konsolidim i POS-ëve do të ulëte koston e infrastrukturës bankare, koston e mirëmbajtjes dhe do të ulëte edhe investimet nga secila bankë në këtë fushë, duke krijuar një mundësi të ndarjes së kostove në mes të bankave. Ai beson që kjo do të rezultonte edhe në uljen e çmimeve për shfrytëzimin e tyre nga ana e klientëve.

Balija: Konsolidimi i POS-ëve kërkon një koordinim së pari nga BQK-ja

“Ne e mbështesim një zhvillim të tillë, megjithatë se sa është e mundur mbetet të shihet në të ardhmen për shkak se kërkon një koordinim të shumë akterëve të këtij aktiviteti, duke filluar nga rregullatori(BQK), shoqata e bankave, bankat komerciale dhe institucionet e pagesave. Kështu që ne e mbështesim këtë zhvillim, por nuk mund ta realizojmë të vetëm, duhet një koordinim gjithëpërfshirës i të gjithë akterëve… bankat janë të gatshme që të gjejnë një mundësi të përshtatshme, e cila ka fizibilitet komercial në mënyrë që të realizohet. Inkurajon reduktimin e parasë së gatshme si dhe për shitësit me pakicë besoj se është e mirëseardhur, sepse ul numrin e POS-ëve, të cilët edhe ata duhet ta kenë në pikat e tyre te shitjeve”, deklaron Balija.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti për KosovaPress, thotë se unifikimi i POS-ëve, apo çdo zhvillim që ndërlidhet me infrastrukturën aktuale mbi instrumentet e pagesave me kartela, është një proces kompleks.

Ahmeti thotë se BQK-ja ka iniciuar dhe koordinuar diskutime, dhe analiza rreth kësaj çështje, ku së fundi edhe në Shoqatën e Bankave janë organizuar punëtori me kompani të ndryshme zhvilluese, mirëpo ende janë në diskutim të modaliteteve të ndryshme.

“Në bazë të praktikave në shtetet tjera, zhvillimet e tilla mund të realizohen nga sektori privat, ndërsa si BQK ne mund t’i mbështesim në rolin e rregullatorit mbikëqyrës. Në funksion të këtyre zhvillimeve, ne veç jemi duke finalizuar infrastrukturën rregullative për licencimin dhe krijimin e kushteve për operatorët që mund të ofrojnë shërbime të tilla. Në lidhje me kërkesën e Rrjetit të Shitësve me Pakice, ne i kemi udhëzuar që në bashkëpunim me bankat komerciale të koordinohen në gjetjen e zgjidhjeve të kërkuara”, thotë Ahmeti në një përgjigje elektronike.

Mësohet se në Kosovë janë rreth 11 mijë POS-a bankar nëpër dyqane, ndërsa në Shqipëri rreth 9 mijë.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet