Bisedimet me Serbinë, finalja dhe kompromiset

Kosova dhe Serbia si dy vende të Ballkanit Perëndimor, ka vite që ndodhen nën një presion ndërkombëtarë, ku për integrimin e tyre në BE, janë kushtëzuar me një varg marrëveshjesh e kompromisesh të ndërsjella. Opinioni publik në vend, konsideron që në këtë seri përpjekjesh për normalizim marrëdhëniesh, Kosova ka rrezikuar mjaft në dëm të saj, por diçka ngjashëm mendon edhe një pjesë e opinionit serb, për sa i përket shtetit të tyre. Vet BE – nga ana tjetër, konsideron që ka ardhur momenti final. Zyrtarët e BE-së të ngarkuar me detyra speciale për Ballkanin po thonë se marrëveshja duhet të arrihet tash – shkruan Gazeta e Re.

Sot në Bruksel Presidenti i Kosovës HashimThaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, pritet të takohen përsëri. Nikoqire e takimit është Frederika Mogherini Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Sipas njoftimeve zyrtare nga zyra e Mogherinit, në këtë takim pritet që të dy krerët e shteteve të konfirmojnë gatishmërinë për intensifikimin e punës për arritjen e një marrëveshjeje obliguese ligjore, “për normalizimin gjithëpërfshirës”. Këta hapa, po cilësohen si themelor për rrugëtimin e tyre drejt Evropës. Mediat citojnë burimet e BE-së të cilat thonë se pjesëmarrja është konfirmuar nga të dy palët.

 Një pjesë e opinionit publik në Kosovë, u frikësohet kompromiseve të reja në dëm të Kosovës

Ka pasur një reaksion të gjerë në sferën publike, madje duke konsideruar performancën e presidentit në kuadër të këtij procesi, si tejet të rrezikshme dhe për më tepër: të papranueshme. Protesta e 29 shtatorit si dhe tentimi i deputetëve që nëpërmjet një rezolute t’i vendosin vija të kuqe presidentit në këtë proces bisedimesh, e konfirmojnë këtë. Por cilat janë kompromiset e ashtuquajtura të dhimbshme të cilat Kosova i ka pranuar në dëm të saj? Violeta Haxholli, në një opinion të saj të publikuar para pak ditësh, numëroi 40 kompromise të tilla. Sipas saj gjatë periudhës 2007 – 2016 Kosova ka pranuar ndër të tjera:

 Mospërfshirjen e luftës çlirimtare në Kushtetutën e Republikës së Kosovës;

Mospërfshirjen e simboleve dhe ngjyrave të flamurit kombëtar në flamurin e shtetit të Kosovës;

Decentralizimin në baza etnike;

Bërjen e gjuhës serbe gjuhë zyrtare, krahas gjuhës shqipe;

Krijimin e një kanali televiziv publik në gjuhën serbe;

Dhjetë (10) vende të garantuara në Kuvend për subjektet që përfaqësojnë komunitetin serb;

Një (1) nënkryetar Kuvendi nga subjektet që përfaqësojnë komunitetin serb;

Një Komision të përhershëm të Kuvendit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve me (1/3) e anëtarëve nga subjektet që përfaqësojnë komunitetin serb;

Së paku një (1) ministër në Qeveri nga komuniteti serb;

Së paku dy (2) zëvendësministra në Qeveri nga komuniteti serb. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë (12) ministra Qeverisë i shtohet edhe një zëvendësministër i tretë, i cili përfaqëson komunitetin serb;

Dy (2) anëtarë nga komuniteti serb në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe të paktën njëri prej tyre gjyqtar;

Një (1) anëtar serb në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve;

Ofrim të sigurisë shtesë dhe masa tjera mbrojtëse për gëzimin e plotë të të drejtave, privilegjeve dhe imuniteteve të tyre për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë (KOS), duke përfshirë klerin dhe pjesëtarët, aktivitetet dhe pronat e saj;

Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë (KOS) të jetë e vetmja pronare e pronës së saj në Kosovë me diskrecion të plotë sa i përket menaxhimit të pronës së saj dhe qasjes ndaj premisave të saj;

Të gjitha komunat në të cilat komuniteti serb është shumicë të kenë: a) Autoritetin për të ushtruar përgjegjësinë për çështje kulturore, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore të serbëve dhe të tjerëve brenda territorit komunal, si dhe përkrahjen për komunitetet fetare lokale; si dhe b) Të drejta të avancuara pjesëmarrëse në zgjedhjen dhe shkarkimin e komandantëve të stacioneve policore;

Shkollat të cilat mësojnë në gjuhën serbe mund të zbatojnë planprograme ose tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë;

Universiteti i Mitrovicës Veriore të jetë institucion autonom i arsimit të lartë. Universiteti përcakton vetë rregullat dhe procedurat e qeverisjes së brendshme të tij dhe ndërveprimin me autoritetet publike;

Lejimin e bashkëpunimit të komunave me shumicë serbe me institucionet në Republikën e Serbisë – bashkëpunimi i tillë merr formën e ofrimit të asistencës financiare dhe teknike nga ana e institucioneve të Serbisë në implementimin e kompetencave komunale;

Lejimin e financimit të aktiviteteve komunale nga Republika e Serbisë;

Pas kompromiseve të mësipërme në Planin e Ahtisaarit Kosova më tutje pranoi edhe kompromise të tjera si:

Fillim të edhe një procesi tjetër dialogu me Serbinë, në vitin 2011;

Për hir të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë të mos shtronte në dialog, ndër të tjera, kërkesën për kërkimfalje nga ana e Serbisë, kompensimin për reparacionet e luftës e kthimin e personave të pagjetur;

Pranoi ndryshimin e formatit të dialogut nga teknik në politik;

Përfshirjen në dialog të çështjeve të brendshme të Kosovës;

Përfshirjen e veriut të Kosovës në dialog;

Lejimin e përdorimit të targave KS krahas targave RKS, me Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë;

Pranoi që Serbia t’i kthente kopjet e regjistrave civilë dhe jo origjinalet, me Marrëveshjen për Regjistrat Civilë;

Pranoi që Serbia t’i kthente kopjet e regjistrave kadastralë dhe jo origjinalet, me Marrëveshjen për Regjistrat Kadastralë;

Pranoi përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës me fusnotë;

Mosvendosjen e simboleve të shtetit të Kosovës në pikat kufitare me Serbinë, me Marrëveshjen për IBM;

Heqjen e mbishkrimit Republikë nga vulat doganore të Kosovës;

Pranoi themelimin e një kompanie të re, degë e një kompanie serbe, për furnizim me energji të komunitetit serb, me Marrëveshjen për Energji;

Themelimin e një kompanie të re, degë e një kompanie serbe, për furnizim me shërbime të telefonisë për konsumatorët serbë, me Marrëveshjen për Telekomunikacion;

Amnisti dhe integrim në institucione të Kosovës të personave nga komuniteti serb që kanë qenë pjesë e Mbrojtjes Civile;

Krijimin e fondit të veçantë zhvillimor vetëm për komunat veriore serbe;

Krijimin e divizionit të veçantë të Gjykatës së Apelit për rastet e komunitetit serb;

Krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në 23 nene;

Shpërbërjen e Asociacionit vetëm me vendim autonom të Kuvendit të Asociacionit;

Komandant regjional serb për komunat veriore;

Vazhdim të lejimit të vizitave të zyrtarëve serbë pavarësisht fjalimeve provokative dhe fyese për Kosovën; dhe

Vazhdim të dialogut me Serbinë pavarësisht lobimit të saj kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare.

 Por vet protagonisti i “këtyre dyshimeve”, Presidenti Hashim Thaçi, ka mohuar të ketë në plan ndonjë hap tjetër që për rrjedhojë, do ta dëmtonte në çfarëdo mënyre Kosovën. Ndonëse është kritikuar e akuzuar se duke e hapur temën e ridefinimit të kufirit me Serbinë, ai e ka vënë në pazar sovranitetin e republikës, ai është kundërpërgjigjur duke thënë se ai po synon t’ia bashkojë territorit të Kosovës, Kosovën Lindore, përkatësisht (Preshevën, Bujanofcin dhe Medvexhën). Kundër idesë së negocimit janë shfaqur edhe Gjermania, Britania dhe Kroacia, ndërsa vendet e tjera të BE-së po qëndrojnë neutrale, e disa nga zyrtarët e këtyre shteteve kanë thënë se pranojnë çfarëdo marrëveshje të arritur ndërmjet të dy palëve, duke lënë të nënkuptohet se ajo do të pranohet edhe nëse është në dëm të Kosovës, apo anasjelltas.

E përditshmja e pavarur serbe ‘Danas’, duke marr shkas vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës 10% për produktet serbe dhe ato nga Bosnja e Hercegovina, për takimin ka thënë se mund të jetë edhe më i tensionuar, ndërsa citon Thaçin i cili për homologun e tij serb ka thënë se “më me dëshirë do të bisedonte me dreqin, se sa me të”. Sikurse Thaçi, i cili është i ndërgjegjshëm për sa u përket mospajtimeve të spektrit politik, që kanë të bëjnë me qëndrimet e tij në lidhje me vijën kufitare me Serbinë, ashtu edhe homologu serb ndodhet në një presion të madh. Nga njëra anë ai është i shtyrë nga presioni ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën, si kusht për integrime, dhe në anën tjetër nga ai vendor, për të mos e lëshuar “tokën e premtuar, Kosovën”. Në këto kushte, askush nuk beson se mund të ketë një finalizim të procesit, të paktën edhe për do kohë. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet