Bisedimet Kosovë – Serbi: Nuk ka dritë në fund të tunelit

Kanë kaluar vite prej kur një proces i quajtur teknik, “degradoi” në një ndër çështjet më të mëdha që mund të përcaktojë të ardhmen e dy vendeve, jo vetëm në kuptimin e raporteve të ndërsjella, por edhe me vet BE-në. Megjithatë epilogu i procesit, nuk ka filluar ende të shkruhet – raporton Gazeta e Re.

Kyle Scott, ambasador amerikan në Beograd, sot ka takuar Presidentin Aleksandër Vuçiq, me të cilin kanë biseduar edhe për çështjen e Kosovës. Nga mediat beogradase ai citohet të ketë thënë se të dy palët në këtë nivel bisedimesh, duhet të tregohen më fleksibile dhe më tolerante.

Nga ana tjetër, Vuçiq është shprehur i kënaqur që raportet tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, janë intensifikuar mjaft kohëve të fundit, por nuk e ka lënë pa e problematizuar taksën prej 10% e Kosovës, të vënë për produktet serbe dhe boshnjake, duke e cilësuar këtë akt si shkelje të marrëveshjes për tregti të lirë, përkatësisht marrëveshjen për Evropën Qendrore, e njohur si CEFTA.

Në histori të procesit, nuk është vetëm taksa prej 10% ajo që u konsiderua si goditje ndaj përpjekjes për të arritur një marrëveshje. Beogradi zyrtar, ani që u ka prirë rasteve të mospërfilljes së marrëveshjeve të arritura, përherë e ka akuzuar Prishtinën zyrtare me të njëjtën akuzë.

Sot, e beogradasja Danas, e ka rikujtuar një rast tjetër, për të cilin të dy palët e shfrytëzuan për propagandë kundër njëra tjetrës. Artikulli tendencioz, hedh dyshime rreth rastit të Oliver Ivanoviqit, duke e cilësuar si një projekt të përbashkët ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Pasi që Shërbimi Policor i Kosovës dyfishoi çmimin për informacion që mund të kontribuojë në ndriçimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Presidentit të Iniciativës Qytetare Serbe për Demokraci dhe Drejtësi, gazeta Danas nga Prokuroria Speciale e Kosovës nuk mori përgjigje për pyetjet se pse shuma nga 10 u ngrit në 20 mijë euro, dhe nëse ky është një sinjal se hetimi është afër fundit.

Artikulli citon trashëgimtaren e Ivanoviqit – Ksenija Bozoviq, e cila ndër të tjera është shprehur skeptike për sa i përket zbardhjes së rastit në fjalë.

“Ne u kujtoi atyre se më 16 nëntor bëhen dhjetë muaj që nga vrasja e përfaqësuesit më të shquar politik për serbët në Kosovë” – ka thënë Bozoviq, duke kërkuar nga ndërkombëtarët të cilët kanë ardhur në Kosovë, me një mision themelor: mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke bërë presion më të madh në autoritetet përkatëse që rasti të zgjidhet sa më parë.

Sipas saj, indiferenca e Beogradit dhe Prishtinës karshi rastit, s’mund të interpretohet ndryshe vetëm si një pjesë e një strategjie të përbashkët ndërmjet palëve.

“Heshtja rreth vrasjes së Oliver Ivanoviq-it ka qenë padyshim një projekt i përbashkët i autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë, qysh nga fillimi” – ka thënë ajo.

Ajo ka kujtuar që në kohën kur ka ndodhur vrasja, Beogradi zyrtar e ka cilësuar si “një akt terrorist” duke kërcënuar madje edhe me ndërprerje të negociatave që zhvilloheshin me ndërmjetësimin e Bruksel-it.
Gjithsesi, pas presionit ndërkombëtar, Beogradi jo vetëm nuk i ka ndërprerë, por as nuk ka arritur ta fus në kuadër të agjendës së bisedimeve çështjen në fjalë, për ç’gjë ka insistuar opinioni publik në Serbi.

Në anën kosovare, vetshpallja e Presidentit Hashim Thaçi, si përfaqësues i vetëm në këtë proces bisedimesh, ka prodhuar krizën disa muajshe parlamentare, e cila duket që nuk do të tejkalohet pa zgjedhje të parakohshme. Në këto kushte, në tunelin e bisedimeve Kosovë-Serbi, dritë, nuk po duket askund./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet