Bie çmimi i naftës mes tensioneve SHBA-Kinë dhe rrezikut për valën e dytë të COVID-19

Këshilltari për tregti i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, thekson se ka një “mungesë besimi” midis Kinës dhe SHBA-ve.

Çmimet bruto të naftës u ulën të martën mes përshkallëzimit të marrëdhënieve SHBA-Kinë dhe shqetësimeve për rreziqet e valës së dytë të koronavirusit të ri (COVID-19).

Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent tregtohet me 42.80 dollarë për fuçi me një rënie prej 0.65 për qind pas mbylljes të hënën me 43.08 dollarë për fuçi.

Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) ishte në 40,41 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë duke shënuar një humbje prej 0.12 për qind pasi u mbyll një ditë më parë me 40,46 dollarë për fuçi.

Këshilltari i tregtisë i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, tha të hënën se marrëveshja tregtare e fazës së parë midis SHBA-ve dhe Kinës ka “mbaruar”, në një intervistë për rrjetin amerikan Fox News, duke shtuar se “Ata erdhën këtu më 15 janar për të nënshkruar marrëveshjen tregtare, dhe kjo ndodhi plot dy muaj pasi ata e dinin që virusi ishte përreth”.

Komentet e Navarros shkaktuan shitje në tregun e aksioneve në SHBA dhe rënie të çmimeve të naftës së papërpunuar përpara se ai të pretendonte se komentet e tij ishin nxjerrë jashtë kontekstit.

“(Komentet e mia) nuk kishin aspak lidhje me marrëveshjen tregtare të fazës së parë, e cila vazhdon të ekzistojë. Unë thjesht po flisja për mungesën e besimit që ne kemi tani në Partinë Komuniste Kineze, pasi ata gënjyen për origjinën e virusit të Kinës duke lejuar shtrirjen e pandemisë në botë”, shpjegoi ai në një deklaratë.

Investitorët mendojnë se çdo tension midis SHBA-ve dhe Kinës, dy ekonomive më të mëdha në botë dhe konsumatorëve të naftës, mund të shkaktojë një perspektivë më të dobët globale ekonomike dhe vlerësim të kërkesës së naftës për këtë vit dhe deri në vitin 2021.

Ekonomia globale dhe kërkesa e përgjithshme e naftës në të gjithë botën pritet të ulet për gjysmën e parë të këtij viti për shkak të COVID-19.

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet