Beteja për kreun e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut

Pas zhvillimeve të tensionuara të martën në mbrëmje në Bashkësinë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, një ditë pas, gjendja në këtë institucion duket e qetë. Sipas autoriteteve në këtë institucion fetar, aty po vazhdojnë të zhvillohen aktivitet e zakonshme.

“Ardhja ime është krejtësisht e zakonshme dhe si gjithmonë vazhdojmë me punë. Së shpejti do të vazhdojmë të kryejmë detyrat tona të përditshme”, ka theksuar para gazetarëve me të hyrë në Bashkësinë Fetare Islame, kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi.

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i autoriteteve të Qeverisë.

“Maqedonia e Veriut është shtet sekular dhe Qeveria nuk përzihet në punën e bashkësive fetare etnike në vend”, ka theksuar zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakoski.

Ai është distancuar nga çfarëdo lloj ndikimi të Qeverisë në zhvillimet e fundit në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut pas akuzave që adresoi mbrëmë ndaj strukturave udhëheqëse të shtetit, kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi.

Edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani i cili vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim ka theksuar se “shteti duhet t’i ndërmarrë të gjitha masat që ta garantojë pavarësi si dhe të sigurojë autonomi të bashkësive etnike fetare duke përfshirë këtu dhe Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut”.

Këto reagime vijnë pasi kryetari i Bashkësisë Fetare Islame kishte akuzuar drejtorin e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Qeverinë se janë të përfshira në ngjarjet e fundit në Bashkësinë Fetare Islame.

Eskalimi i situatës në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut erdhi si rrjedhojë e një vendimi të Gjykatës së Shkupit në bazë të cilit ishte emëruar Skender Buzaku në postin e kryetarit të ri të BFI-së. I njëjti, ka disa vjet që tenton të marrë drejtimin e këtij institucioni.

Ndërkaq gjatë ditës, Skender Buzaku, apo personi i cili, sipas vendimit të Gjykatës duhet të ulet në karrigen e Reisit, në vend të Sulejman Rexhepit, ka kërkuar që në institucionin më të lartë të Bashkësisë Islame të futet policia financiare për shkak, siç ka thënë ai, të kriminalitetit me mjetet e besimtarëve në këtë institucion.

“Kërkuam nga Policia Financiare të bëjë inspektimin e punës së BFI-së në sektorin financiar. Pra kërkojmë të verifikohet si është punuar dhe si janë harxhuar paratë e mbledhura nga besimtarët. Nuk ka puç në BFI, siç ka thënë Rexhepi, sepse të gjitha aktet e brendshme janë respektuar. BFI-në e pret një erë e re dhe do të shkojë përpara shumë më tepër. Nuk kam thirrur policinë në rrugë”, tha Buzaku.

Por, Rijaseti, si organi më i lartë i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, pas një seance të jashtëzakonshme ka konstatuar se kryetar i BFI-së mbetet Sulejman Rexhepi, ndërsa vendimin e gjykatës e ka quajtur “të manipuluar dhe falsifikuar”, pasi sipas Rijasetit, emërimet dhe shkarkimet në kreun e BFI-së i bëjnë organet e institucionit dhe jo gjykatat.

Nga BFI dhe Rijaseti, kanë theksuar për mediat se vula që ka përdor Buzaku është e vjedhur gjatë puçit ndaj këtij institucioni në maj të vitit 2015 dhe njëjta është denoncuar si e pa vlefshme. Njëherësh është thënë se nënshkrimi i Sulejman Rexhepit si kryetar i BFI-së është falsifikuar se gjoja ai jep dorëheqje ndërkohë që theksojnë se memorandumi që është përdorur, si vendim është i vjetër dhe ai nuk përdoret më shumë se 5 vjet.

Ekspertët, në anën tjetër, thonë se organet e drejtësisë dhe policia duhet të veprojë shpejt duke mos lënë hapësire për manipulime për një çështje kaq të ndjeshme ku preken dhe raportet ndëretnikë dhe ata fetare.

Qebir Avziu, ish zyrtar i lartë i organeve policore, aktualisht ligjërues në Fakultetin e Drejtësisë në Tetovë thotë se shumë lehtë mund të verifikohet nëse ka falsifikim të nënshkrimit dhe vulës së BFI-së dhe kjo duhet të bëhet sa më parë për të mos u lënë vend spekulimeve dhe ngritjes së tensioneve.

“Ka ekspertë të cilët janë përgjegjës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pra grafologeve u duhen vetëm 20 minuta të vërtetojnë nëse vula është ose jo origjinale, nëse ajo është vjedhur, kur është prodhuar vula dhe nëse ka firmë aty të kryetarit që përfaqëson Rijasetin është ose jo e falsifikuar”,sqaron për Radion Evropa e Lirë, Qebir Avziu.

Ndërkaq njohësit e çështjeve politike thonë se pas tensioneve në Bashkësinë Fetare Islame fshihen skenarë të errët për krijimin e trazirave gjatë fushatës për zgjedhjen e presidentit të shtetit dhe deinkurajimin e besimtarëve myslimanë për të dalë të votojnë me ç’rast drejtpërsëdrejti rrezikohet arritja e cenzusit që është kusht për të qenë zgjedhjet e suksesshme presidenciale.

Pavle Trajanov, ish ministër i Punëve të Brendshme tha për Radion Evropa e Lirë setensionimi i situatës në Bashkësinë Fetare Islame mund të sjell pasoja të pariparueshme në një situatë zgjedhore siç ndodhet vendi.

“Është më se e qartë se këtu ka interes politik që të shkaktohet një çarje mes myslimaneve të cilët kryesisht janë shqiptarë, me qëllim që të prishet procesi zgjedhor, ngase dihet mirëfilli se BFI ka ndikim të theksuar mes besimtarëve dhe mund t’i drejtojë besimtarët të votojnë për njërin apo opsionin tjetër ose të mos votojnë fare”, thotë Trajanov.

Ndryshe, gjatë ditës, të gjitha partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë theksuar se Bashkësia Fetare Islame është institucion i pavarur dhe autonom dhe si i tillë, politika duhet t’i mbajë larg duart dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të përzihet.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet