Beteja për Kosovën, e zhvendosur në Tiranë

Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, prej kohësh është bërë pjesë e “spektakleve” politike që për temë kanë Kosovën. Së fundi është komentuar gjatë përplasja e tij me homologun kosovar, i cili ia bëri me dije që të mos përzihej në punët e shtetit të cilin ai e drejton – shkruan Gazeta e Re.

Nga Samiti i Brdo Brijunit na vijnë lajme se raportet ndërmjet liderëve ballkanik, megjithatë, janë të relaksuara. Presidenti Ilir Meta i pyetur rreth atmosferës që po mbretëron atje dhe për shpresën e rinisjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një konferencë për shtyp, ai tha që:

“Nuk di të them nëse ky samit ka afruar më tepër dy liderët Kosovë-Serbi, por di që atmosfera ka qenë shumë pozitiv këtu. Do të donim që dialogu Kosovë –Serbi të kishte përfunduar dje. Jo sot dhe as nesër.  Samiti i Brdo Brijonit është një samit që ka një format të përcaktuar”.

Çështja është se krerët politikë nga Kosova e Shqipëria, janë rreshtuar kundër njëri tjetrit dhe kjo u bë e qartë fill pas Samitit të Berlinit. Taksa dhe kufijtë, janë çështje në të cilat ata assesi nuk janë duke gjetur unitet. Në këtë kontekst përçarjesh politike, i priti Tirana zyrtare. I gjithë fokusi ka qenë te “shtrëngimi i duarve ndërmjet presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq”, akt i cili megjithatë, ndodhi. Mediat me njëfarë entuziazmi e kanë pasqyruar aktin në fjalë.

Sipas analisti Agron Gjekmarkaj në një opinion të tij, ka vënë theksin pikërisht në dallimet e liderëve për sa u përket variacioneve të mundshme të zgjidhjes së problemit Kosovë – Serbi.

Sipas tij Berisha e Haradinaj, janë rreshtuar kundër Thaçit e Ramës, të parët duke kundërshtuar idenë e kufijve, ndërsa të dytët duke i fshirë vijat e kuqe në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Sipas tij presidenti serb “e ka pranuar me dhimbje dështimin e tij! Ai ka punuar për interesat e veta me ngulm dhe me një farë suksesi! E pabesueshme duket, por ia doli që të shndërrojë në partizan të kësaj kauze edhe Presidentin Hashim Thaçi e Kryeministrin Edi Rama! Do të mbetet enigmë e madhe, e cila me kalimin e viteve do të mistifikohet kjo përfshirje e tyre në këtë aferë kaq të rëndë, e cila u refuzua nga Europa e bashkuar! Prekja e kufijve, shkëmbimi i territoreve, si një vijë ndarëse ka përcaktuar qysh tani protagonistët e vet në të dyja anët e veta! Dyshja Berisha-Haradinaj me atë ThaçiRama, të cilët nuk janë sot në një pozicion aspak të lakmueshëm, përsa i përket çështjes kombëtare se tanimë ajo është e tillë në çdo kuptim! Sali Berisha, i cili vokacionin për Kosovën e ka të hershëm e të demonstruar nëpërmjet shumë faktesh e ngjarjesh me intuitë, ishte i pari dhe më këmbëngulësi që denoncoi rrezikun e madh që kanosej nëse kjo ndodhte, duke ia shtuar vetes kudo simpatitë andej e këtej kufirit! Berisha, në këtë pikë, dukej i gatshëm të sakrifikonte shumë, edhe në plan personal, edhe në raport me zëra të ndryshëm nga SHBA, të cilët nuk e prisnin nyjën gordiane, duke folur me nënkuptime! Nga ana tjetër, Rama dhe Thaçi u përpoqën që këta zëra t’i tërhiqnin nga vetja për arsye personale që lidhej me pushtetin dhe karrierën e tyre! Në këtë kontekst, ata dalin shumë ligsht në këtë histori! Nuk jemi të sigurt se pas 40 vitesh nuk do i radhisin pas Enver Hoxhës kur të flitet për Kosovën në tekste!”

Nga ana tjetër, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, ka organizuar protesta kundër pjesëmarrjes në Samitin e Brdo-Brijonit të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe Milorad Dodik President i Republika Srpska në Bosnje. Kjo lëvizje, këta të dy i ka shpallur persona non-grata. Protesta qe paralajmëruar si paqësore, por policia megjithatë ka intervenuar, pa çka është kritikuar nga organizatorët.

Samiti, duket që nuk do të prodhojë më tepër rezultate se sa ai i Berlinit dhe në këtë vazhdë përpjekjesh, vetëm Parisi mund të bëjë një diferencë, qoftë edhe të vogël. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet