Beteja për centimetrat e fushatës elektorale

Intensifikimi i fushatës zgjedhore, të parakohshme, i ka përfshirë sidomos mediat virtuale. Ndërsa shumica e kandidatëve për deputet po krijojnë llogari të reja në rrjetet më popullore sociale, target e shumicës prej tyre duket të jenë jo vetëm votuesit e brendshëm, por edhe ata të jashtëm, që jetojnë dhe veprojnë në diasporë – shkruan Gazeta e Re.

 Nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës (KQZ), është shpallur një afat kohor në të cilin votuesit e interesuar që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, të mund të regjistrohen. Kështu aplikimet online për t’u regjistruar si votues nga diaspora, kanë nisur nga tridhjetë (30) gushti i këtij viti. Por dita e fundit është vetëm edhe nesër me dhjetë (10) shtator.

 Potencialin elektoral të diasporës, s’do mend, e kanë hetuar edhe partitë politike.

 «Unë për dekada isha pjesë e diasporës, kisha brengat edhe shqetësimet e mija për rrugëtimin që vendi jonë po merr dhe vendosa të kthehem dhe të behëm pjesë e jetës aktive politike në vend. Nëse jeni nga Republika e Kosovës, por jetoni jashtë Kosovës, ju mund të aplikoni për t’u regjistruar për të votuar me postë për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2019» – ka shkruar Behxhet Pacolli në llogarinë e tij në Facebook, duke provuar të i joshë kështu bashkatdhetarët tanë që jetojnë në mërgim.

I pari i AKR-së, për më tepër, konsideron që Kosova ende nuk e ka bërë pjesë të jetës politike diasporën: «Duke marrë përvojën e diasporës në të gjithë botën, Kosova duhet t’i bëjë ata pjesë të vendimmarrjes, të formësimit të ekonomisë sonë dhe të rritjes së investimeve përmes projekteve të zgjuara, kreative dhe inovative.»

«Shfrytëzoni të drejtën tuaj për votim nga jashtë dhe bëhuni pjesë aktive e ndryshimit dhe shpresës në vend» – ka bërë thirrje Pacolli, duke e shoqëruar këtë copë tekst me vegëzen ku mërgimtarët mund të aplikojnë për t’u regjistruar.

Thirrje të ngjashme ka pasur edhe nga kandidatë për deputet nga radhët e partive të tjera, por më të zëshëm kanë qenë ata nga Lëvizja Vetëvendosje. Ky subjekt gëzon një popullaritet më të madh në diasporën shqiptare, në krahasim me rivalet e saj.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri më sot janë pranuar gjithsej trembëdhjetëmijë (13 mijë) aplikacione, e ndërsa afati i fundit, siç e thamë më sipër, përfundon nesër.

Kjo shifër është konfirmuar nga vet zyrtarët e KQZ-së. Sipas Valmir Elezit, zëdhënës i KQZ-së: «Prej 30 gushtit kur ka filluar ky proces dhe deri në mesditën e së dielës (8 shtator) janë pranuar 13 mijë aplikime për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës».

Ai për gazetën Zëri ka sqaruar se këto aplikime janë bërë nëpërmjet disa formave. Nëpërmjet email-adresave të Shërbimit Votues të KQZ-së, përmes fahut postar të KQZ-së, si dhe fax-it të KQZ-së. Ndryshe nga zgjedhjet e fundit, ku afati për të aplikuar ishte më i shkurtër, vetëm 8 ditë, për këto zgjedhje ai do të jetë 12./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet