Beteja kundër drogës

Të dhëna të frikshme nga autoritetet zyrtare qarkullojnë në opinionin publik, për sa i përket përdoruesve të drogave në vend. Për më keq, kategoria më e rrezikuar nga kjo dukuri negative, janë të rinjtë, duke përfshirë këtu edhe nxënësit e shkollave të mesme – shkruan Gazeta e Re.

Mobilizimi kundër abuzimit me droga, ka përfshirë shumë institucione. Në nivel nacional është ngritur një mekanizëm i ashtuquajtur Task Forcë Shtetërore – Anti-drogë dhe Siguri në Shkolla. Sot kjo ‘Task Forcë’, ka mbajtur një takim konstuitiv ku ministrat e ministrive anëtare të këtij mekanizmi, bashkë me institucionet e tjera të linjës, kanë raportuar për aktivitetet e derisotshme si dhe rreth masave që duhet ndërmarr më tutje, në kuadër të luftës kundër abuzimit me droga nga të rinjtë.

Raportet e Policisë së Kosovës, ndërkaq, janë shqetësuese. Numri i përdoruesve, mbetet i lartë, ndërsa dukuria ka prekur edhe nxënësit e shkollave të mesme.

Vetëm gjatë vitit të kaluar janë hapur 1866 raste dhe prej tyre janë identifikuar 2322 persona të dyshuar, ndërsa janë arrestuar mbi dymijë persona.

Operacione të gjera nga autoritetet e rendit, mjaft të shpeshta, janë ndërmarr në këto vitet e fundit, ndërsa disa prej tyre fokus kanë pasur shkollat e mesme. Në kuadër të këtyre operacioneve, një urdhër operativ, i cili ka të bëjë me parandalimin e drogave nëpër shkolla nga periudha 2017 – 2019, ka rezultuar me hapjen e 678 rasteve.

Të dhëna të ngjashme janë publikuar edhe sot, pas mbajtjes së takimit konstituiv në kuadër të Task Forcës.

Avdullah Hasani, Shef i Task Forcës Shtetërore për Anti Drogë dhe Siguri në Shkolla, e ka paralajmëruar me plot entuziazëm nismën e mbështetur nga vet kryeministri duke shkruar se:

«Sot, bashkë me ministrat, zëvendësministrat, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Zëvendës Kryeprokuroren, Avokatin e Popullit, në hapjen e fillimit të punimeve të mbledhjes së parë konstituive të Task Forcës Anti Drog tek të rinjtë dhe Siguri në Shkolla. I lumtur që nën përkrahjen e kryeministrit Haradinaj po e nisim një mision të veçantë, luftimin dhe largimin e drogës nga të rinjtë dhe institucionet shkollore. Ky do të jetë qëllimi ynë primar!».

Në takim, ndërkaq, kryesisht është raportuar për ecurinë e kësaj “beteje”, ndërsa janë shpalosur të dhëna tronditëse që tregojnë se dukuria është shtrirë deri tek të rinjtë e shkollave të mesme.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, aktivitetet i policisë ka qenë shumë i madh «në fushën e parandalimit të drogave në shkolla dhe jashtë shkollave. Për parandalimin e këtyre dukurive jemi marrë me shumë aktivitete dhe kemi bërë shpërndarjen e fletushkave. Janë arrestuar 984 persona, 194 nxënës, 790 nuk kanë qenë nxënës. Janë bërë 31mijë e 125 vizita kontakte në shkolla, janë kontrolluar 68 mijë persona dhe janë kontrolluar 36 mijë e 659 vetura. Janë mbajtur 565 ligjërata në shkolla dhe 33 mijë e 112 fletushka u janë shpërndarë nxënësve».

Ministri Skender Reçica e ka lavdëruar punën e ‘Task Forcës’, duke u shprehur i bindur se ajo do të bëjë që numri i përdoruesve të rinj, të ulet dukshëm, ndërsa nga prokurorja Sevdije Morina, është bërë e ditur se gjatë këtij viti janë trajtuar 511 raste të të dyshuarve për përdorim të drogës.

“Beteja” kundër drogës, duhet të intensifikohet, ndërsa kjo ‘Task Forcë’ premton që do të shndërrohet në një mekanizëm të denjë për ta zhbërë dukurinë. Për këtë, siç edhe u tha në takimin e sotëm, janë të bindur të gjithë anëtarët në kuadër të saj./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet