Beteja e LDK-së dhe LVV-së për pozitën e kryeministrit

Edhe optimistët më të mëdhenj duket që janë në dilema tash për tash. Sa u krijua përshtypja që dy partitë më të mëdha opozitare të deridjeshme, po aviteshin në kuptimin e qëndrimeve, duket që kjo ide përsëri po zbehet. Megjithëse ka zëra nga vet anëtarët e partive, që thonë se përpjekjet për të arritur pranë asaj që është marrëveshje për koalicion parazgjedhor, ende nuk kanë pushuar – shkruan Gazeta e Re.

Lëvizja Vetëvendosje ka filluar ta humbas durimin. Anëtarët e saj kanë filluar ta akuzojnë kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për mungesë sinqeriteti.

Sipas Albulena Haxhiut, LDK së fundi ka dhënë sinjale të qarta që nuk dëshiron më të vazhdojë bashkëpunimin me LVV-në. Kjo është lexuar qartë, sipas saj, nëpërmjet sinjaleve të qarta.

«E para për shkak se kanë kandiduar kandidatin për kryeministër me koncensus pa pasur asnjë diskutim me LVV-në. Edhe ne si subjekt politik kemi mundur shumë herët që ta thërrasim Këshillin e Përgjithshëm, madje kemi pasur edhe presione nga aktivistët tanë që ta formailizojmë kandidatin tonë për kryeministër, që nuk e kemi bërë për shkak që kemi dashur të diskutojmë se cilat janë çështjet që duam t’i çojmë përpara, dhe nuk duam të bëjmë diçka të njëanshme» – ka thënë ajo për Telegrafin, duke shtuar se për më tepër, personi i cili është ngarkuar për të vendosur rreth koalicionit, është i njohur për pozicionin anti-LVV.

«Pra që nga vitit 2014, Lutfi Haziri është personi që në vazhdimësi e ka penguar bashkëpunimin tonë si dy subjekte politike».

Nga ana tjetër Glauk Konjufca në Debat Plus ka përsëritur propozimin e tij, që Vjosa Osmanit të i jepej posti i kryeparlamentares:

«Unë e kam thënë shpesh që nëse i analizoni figurat politike, duhet ta gjesh vendin e duhur për personat e duhur. Në rastin e Albinit me Vjosën, po e ripërsëris: Vjosa Osmani, është e projektuar si kryetare e Parlamentit. Ajo është e denjë për këtë pozitë. Unë kam respekt të madh për Vjosën».

Naser Rugova, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së në një intervistë për Zërin ka thënë se gjendja nuk është edhe aq e pashpresë, mirëpo edhe ai ka përsëritur që Kryeministre e Koalicionit LDK & LVV, duhet të jetë Vjosa Osmani:

«Qe një vit e gjysmë në Kuvendin e Kosovës ne si parti më e madhe opozitare bashkë me LVV-në kemi marrë iniciativa që ta pengojmë keqqeverisjen e vendimet e dëmshme në kurriz të vendit nga Qeveria e PAN-it. Me iniciativën e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, janë bërë edhe takime në nivel të kryetarëve të partisë me LVV-në, janë analizuar dhe janë marrë hapat konkretë për një bashkëpunim të mundshëm. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur në mënyrë unanime për një “Jo” të madhe ndaj koalicionit me PDK-në, para dhe pas zgjedhjeve. Në anën tjetër, është një mendim i përgjithshëm që opozita aktuale e vendit duhet të udhëheqë me Kosovën dhe konsideroj se disa dallime programore e konceptuale me LVV-në janë të kalueshme. Qëndrimet tona janë përafruar dukshëm dhe unë besoj se një bashkëpunim i tillë i afërt qoftë para, qoftë paselektoral me Lëvizjen Vetëvendosje e rikthen shpresën dhe besimin qytetar në politikëbërje e institucione. Unë shoh kah fundi i nëntorit një qeveri të re, të shpresës LDK – LVV, të udhëhequr nga Vjosa Osmani».

Për analistin politik Arton Demhasaj, kjo qasje e LDK-së nuk është aspak e sinqertë: «Në fakt, LDK-ja është për një bashkëngjitje të Vetëvendosjes në LDK, por ky nuk është koalicion dhe nuk është as ftesë e sinqertë nga ana e LDK-së. Kur dy parti politike dëshirojnë të arrijnë një koalicion bashkërisht i diskutojnë të gjitha mundësitë edhe për listën, edhe për të nominuarit për kryeministër dhe bashkërisht i prezantojnë këto. Por kur njëra prej tyre e propozon kandidatin për kryeministër dhe pret që partitë tjera të bashkohen në karvanin e saj, atëherë kjo është e pasinqertë dhe është një tendencë për ta pamundësuar arritjen e një koalicioni të tillë».

Demhasaj për Zërin, ka thënë se të mashtruar po mbeten në këtë rast vetëm votuesit, sepse përndryshe në politikë gjithçka është e lejueshme:

«Politikisht gjithçka është e lejuar, sepse nuk ka rregulla që ndalojnë ose që lejojnë. Ligjërisht kryeministri votohet në Kuvend dhe kjo mund të ndodhë që kryeministri e mban mandatin dy vjet, pastaj pas dy vjetëve jep dorëheqje për arsye të ndryshme dhe i njëjti koalicion sipas Kushtetutës së Kosovës ka të drejtë ta propozojë edhe kandidatin tjetër për kryeministër e të zgjidhet mandatari tjetër. Por ky mendoj se është mashtrim që u bëhet votuesve».

Pas nominimit të Osmanit për kryeministre nga ana e LDK-së, menjëherë kanë shpërthyer sondazhet duke e matur atë me liderin e LVV-së Albin Kurtin. Por përkrahja për këtë të fundit, duket të jetë më e madhe. Megjithatë ende ka kohë për t’u marrë vesh për një koalicion parazgjedhor, i edhe sipas analistëve, do të ishte i pamposhtur./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet