Besim A. Ismaili: ELA AS, ka për qëllim zbutjen e mungesës së kuadrove në skandinavi me profesionist ballkanas, përkatësisht shqiptarë

Besim A. Ismaili është i specializuar në MIT, për Big Data dhe ‘Inteligjencë Artificiale’. Po ashtu në MCTS në Biznes Inteligjence nga Microsoft dhe i certifikuar në këtë lëmi nga universitetet më të mira në botë, duke filluar nga Harvard e deri te Stanford.

Ai është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në fushën AI dhe Big Data. Është vlerësuar si punëtori më i mirë nga vet miliarderi dhe filantropi norvegjez Petter Stordalen.

Është edhe afarist dhe pronar i bizneseve në fushën e AI në Norvegji. Njëra kompani është fituese e Fintech Hackathon në Vjenë dhe ka një kontratë për inovacion me Innovation Norway, si dhe një me Bankat e Kosovës. Është finalist i Silicon Valley Vikings dhe pjesë e familjes xPlorico në Oslo, e po ashtu edhe 2 herë finalist në DND (Den Norske Dataforrening – asociacioni norvegjez i profesionistëve në të dhënat digjitale), për implementimin e sistemit inteligjent të të dhënave në korporata.

Blogues aktiv në këtë lëmi, si dhe folës në eventet më të rëndësishme në këtë fushë brenda dhe jashtë Norvegjisë.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, ai ka reflektuar mbi mundësitë e zgjerimit të tregut ballkanas, e veçanërisht atij shqiptar, në fushën e të dhënave dhe inteligjencës artificiale. Mbi zgjerimin e kapaciteteve, e në veçanti shfrytëzimin e resurseve humane, potencial – sipas tij, i mjaftueshëm, për t’u futur në tregun e madh të globit.

 GER: Z. Ismaili, ç’fushë është ‘data science’? Ç’mund të na thuash rreth saj në këtë fillim bisede?

B.Ismaili: Data Science është fushë multidiciplinare. Në thelb ajo shfrytëzon metoda shkencore për procesimin e të dhënave me qëllim të “vjeljes” së njohurive dhe informatave të dobishme, për ta zgjidhur një problem. Më tutje, ajo është një simbiozë e statistikës, mihjes së të dhënave (Data Mining) dhe inteligjencës së biznesit (Business Intelligence), por me mjete më të sofistikuara, me algoritme më të avancuara dhe metoda procesimi më të shpejta.

GER: Pse “zbulimi” i kësaj fushe cilësohet si revolucioni i katërt industrial?

B.Ismaili: Në fakt, Data Science është fushë e vjetër, aq sa mund të jetë statistika dhe fushat e ndërlidhura me të. Avancimi në pjesën hardwerike duke mundësuar shpejtësi, volum dhe diversitet në procesimin e të dhënave dhe në anën tjetër rritja enorme e prodhimit të të dhënave në 10 vjetet e fundit, e ka bërë këtë fushë që të jetë lider në revolucionin e 4-rt industrial, atë të ‘Inteligjencës Artificiale’.

Sa për kuriozitet, në 10 vjetet e fundit janë prodhuar më shumë të dhëna, se sa tërë pjesa tjetër e historisë njerëzore. Madje mund të themi që trendi vazhdon në mënyrë eksponenciale.

GER: Sa janë të përfshira vendet shqiptare në këtë lloj industrie?

B.Ismaili: S’mund të themi që s’janë të përfshira. Por përfshirja e tyre, megjithatë, nënkupton disa nivele shumë të margjinalizuara. Lider mbetet sektori privat.  Këtu nënkuptojë atë bankar dhe kryesisht korporatat e mëdha që kanë buxhet dhe resurse, për t’i bërë këto lloj hulumtimesh.

Të merremi vesh, shtetet e mëdha dhe të fuqishme e kanë ‘Inteligjencën Artificiale’ si strategji kombëtare. Madje, madje disa kanë themeluar institucione të dedikuara për këtë fushë.

GER: A kanë potencial tek ne, për t’u përfshirë në këtë lloj tregu, apo, siç kam përshtypjen unë (si një injorant i kësaj fushe), mbetet një botë e paeksploruar për njerëzit e vendeve tona?

 B.Ismaili: Vendet e Ballkanit kanë potencial të madh që të kontribuojnë me resurse humane. Ato kanë ekspertë në fushat si: matematikë dhe statistikë. Veçanërisht këto dy fusha gjejnë shumë përdorim në dizajnimin e algoritmeve për një proces më të mençur. Kudo në botë, qoftë në perëndim, qoftë në lindje, ka mungesë kuadri, ndërsa kërkesa është eksponenciale. Njëra prej kompanive të cilën e drejtoj unë, ELA AS, ka për qëllim zbutjen e mungesës së kuadrove në skandinavi nëpërmjet inkuadrimit e profesionistëve nga Ballkani, kryesisht nga Kosova. Shqipëria, nga ana tjetër, të mos harrojmë, ka avancuar mjaft në këtë drejtim.

GER: Nëse institucionet arsimore në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, do të prodhonin kuadro që mund të shërbejnë në këtë fushë, a do të kishte treg të garantuar për ta në Evropë?

 B.Ismaili: Shtetet e Ballkanit e shohin vetveten si të përjashtuar nga vet tregu ballkanik. Madje në çdo fushë, e sidomos në këtë e cila kërkon resurse të mëdha teknologjike. Por, pjesa e resurseve humane mund të jetë një vlerë që veç e posedojnë. Vendet që përmendet, kanë një sistem klasik të edukimit, ku shkencave natyrore u kushtohet mjaft vëmendje në sistemet e arsimit dhe pikërisht kjo, mund të ju japë një përparësi në tregun global, nëse dinë ta shfrytëzojnë. Po ashtu, interneti mundëson kurse falas në akademitë si Coursera, edX ose Datacamp dhe në njëfarë forme është një trajtim fer ndaj padrejtësive që na i shkakton tregu global.

Për fat të keq, nuk pres shumë nga institucionet vendore që të bëjnë diçka në këtë drejtim, sepse çalojnë në gjëra elementare sa i përket edukimit të mirëfilltë, sidomos pjesës së vënies në shërbim praktik të edukimit formal. Data Science është shumë e ndërlidhur me skenarë real të problemeve dhe për këtë, vënia në praktikë e njohurive të matematikës dhe statistikës është shumë e nevojshme.

GER: Çka duhet bërë për të përfituar më tepër nga kjo “industri e re”?

B.Ismaili: Edhe pse në çdo hap jemi të prekur nga kjo teknologji, ne nuk e vërejmë. Që nga kërkimi në Google, e deri te reklamat e dedikuara për konsum, gjithçka kontrollohet nga algoritme të mençura.

Përfitimet që ka (dhe do të ketë), njerëzimi nga kjo teknologji janë shumëdimensionale. Duke filluar nga leximi e deri te hulumtimet shkencore, në efiçiencën e proceseve industriale, në përpunimin e barnave të reja në farmaceutikë, në gjetjen e kurimit për kancerin e deri te kontrolli i objekteve fluturuese brenda dhe jashtë atmosferës së tokës.

Si konsumues të kësaj teknologjie, jeta jonë do të jetë më e lehtë dhe punët mekanike do të zëvendësohen me robotë ose procese të automatizuara. Njerëzit do të punojnë vetëm në pjesët ku jemi dëshmuar si më të mirë dhe të pazëvendësueshëm. ‘Inteligjenca Artificiale’ nuk do ta zëvendësojë mjekun, por mjeku që shfrytëzon ‘Inteligjencën Artificiale’ do ta zëvendësojë atë që nuk e shfrytëzon atë. /Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet