Beqaj: Problemi mbetet si do të zhvillohet dialogu Prishtinë-Beograd

“Problemi im është se a do të zgjidhet përfundimisht ky proces i dallimeve substanciale në kuadër të kufijve ekzistues apo do të jetë përfundimi i epilogut afatgjatë të dialogut me nënkuptimin e ndryshimit të kufijve”, tha politologu kosovar.

Partitë e deritanishme opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, duke u pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cila ka qenë në pushtet që nga viti 2007 dhe koalicioni AAK-PSD i udhëhequr nga kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

Diferenca midis dy partive opozitare që grumbulluan më shumë vota është vetëm rreth 5 mijë vota, por ende nuk janë numëruar votat me kusht të cilat janë rreth 35 mijë, ato me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Mirëpo Behlul Beqaj, analisti politik i intervistuar nga Anadolu Agency (AA) beson se këto dy parti politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe LDK-ja e Isa Mustafës, do ta formojnë qeverinë e re të vendit.

Po ashtu edhe Kurti, para mbështetësve pas shpalljes së rezultateve preliminare, i bëri thirrje LDK-së për bashkëpunim në formimin e qeverisë së ardhshme.

Politikologu nga Kosova, Behlul Beqaj, beson se formimi i qeverisë së re kërkon një zgjidhje racionale, që sipas tij nënkupton respektimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve të cilët kanë votuar për ndryshim. Beqaj thotë se partitë me shumicë votash (VV-LDK) duhet të jenë bartës të qeverisë së ardhshme, sepse “çdo zgjidhje tjetër do të ishte e gabuar”.

“Besoj se do të formohet koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Unë e di që ka të atillë, edhe në LDK edhe në Vetëvendosje, që ndoshta nuk e dëshirojnë këtë koalicion, por besoj se do të dominojnë ata të cilët janë të prirë për një proces pozitiv dhe në këtë kuptim të tjerët të cilët janë pengesa për ndërtimin dhe zhvillimin e këtij koalicioni do të jenë në margjina”, tha Beqaj për AA.

Beqaj vlerëson se LDK-ja kishte një feniks në këto zgjedhje të quajtur Vjosa Osmani, e cila u prezantua si kandidate për kryeministre si shpresë për ringjalljen e LDK-së dhe që grumbulloi më shuma vota për LDK-në në në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Ndërsa Kurti, kandidati më i votuar, sipas Beqajt pasqyron integritet personal, komunikon qartë me publikun dhe tregon ndryshim pozitiv.

Duke u bazuar në fushatën parazgjedhore ku të dy palët theksuan “sundimin e ligjit dhe vetingun në gjyqësor si përparësi”, Beqaj shprehet se një program i përbashkët i këtyre dy partive për të qeverisur nuk duhet të jetë problem.

Për sa i përket zhvillimit ekonomik, sipas Beqajt në disa gjëra ato duhet të kërkojnë pajtim ngase Vetëvendosje i përket të majtës politike, ndërsa LDK të djathtës konservatore.

Politikologu kosovar thekson se përmbysja e partive, që kanë qenë në pushtet deri më tani, ka ndodhur për shkak se qytetarët kanë votuar kundër tyre, pasi siç thotë ai, “sundimi i gjatë i të cilëve ka pasur pasoja shkatërrimtare ndërsa partitë fituese kanë paraqitur disa sinjale se ndryshe e perceptojnë politikën dhe politikbërjen”.

“Derisa 20 vite politika e komandantëve është shërbyer me qytetarët e Kosovës. Te këto parti (VV-LDK), së paku në fushatën zgjedhore, shihet se këta dëshirojnë që politika të bëhet në shërbim të tyre (qytetarëve). Dhe, ky është një dallim substancial. Dhe kjo është një arsye pse eventualisht mund të presim ndryshimin”, tha Beqaj.

Lidhur me Listën Serbe, e cila fitoi mbi 52 mijë vota dhe është fituesja e të gjitha subjekteve politike serbe të Kosovës, Beqaj thekson se kjo parti shihet nga shqiptarët e Kosovës dhe nga serbët autoktonë si një instrument i drejtpërdrejtë i Beogradit në Kosovë.

Sipas Kushtetutës, përfaqësuesve serb në institucionet e Kosovës, përveç 10 vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, në qeveri u takon edhe një pozitë ministrore. Kurti në deklaratat e tij të para pas zgjedhjeve theksoi se nuk e do Listën Serbe në Qeveri.

Por sipas Beqajt, Lista Serbe është një realitet institucional në Kosovë dhe duhet të pranohet dhe respektohet si e tillë.

Sa i përket dialogut me Serbinë, që të dy kandidatët për kryeministër, si Albin Kurti ashtu edhe Vjosa Osmani, gjatë fushatës deklaruan se nëse do të qeverisin do të ketë dialog, Beqaj kujton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i cili i jep presidentit të vendit vetëm rol këshillues në këtë proces.

Beqaj thotë problemi më i madh është si do të zhvillohet ky dialog dhe jo kush do ta udhëheqë atë.

“Problemi im është se a do të zgjidhet përfundimisht ky proces i dallimeve substanciale në kuadër të kufijve ekzistues apo do të jetë përfundimi i epilogut afatgjatë të dialogut me nënkuptimin e ndryshimit të kufijve, që do të jetë një fazë shumë e rëndësishme me pasoja jo vetëm në raportet tona, por edhe në rajon. Unë shpresoj se kjo e dyta nuk do të ndodhë”, tha Beqaj.

Kujtojmë se Kosova mabjti zgjedhjet e parakohshme parlamentare për shkak të dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqjen në mënyrë të pakthyeshme pasi mori një ftesë për të folur si i dyshuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Jehona e daljes në votimin e të dielës ishte 44,18 për qind. Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje fitoi 25,49 për qind të votave kundrejt LDK-së me 24,83 për qind, të pasuara nga PDK me 21,5 për qind dhe koalicioni AAK-PSD me 11,57 për qind. Lista Sërbe siguroi 6,61 për qind të votave.

Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht dhe ato nga diaspora. KQZ ka bërë të ditur se votat me kusht dhe nga diaspora do të numërohen gjatë ditëve në vazhdim.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet