Bekë Berisha: Albin Kurti, shpata e drejtësisë, e ka punësuar balldëzkën në AKP

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti e ka punësuar motrën e gruas së tij në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP)

Me ironi, Berisha ka thënë se s’e beson që “shpata e drjetësisë” ka ndikuar politikisht për ta punësuar motrën e gruas së tij.

“Veç po më befason, ballduzka e Albin Kurtit. Ai shpata e drejtësisë, e me e shti aty në punë me ndikim politik… kjo… unë bile s’besoj. Ndoshta është ndonjë montazhë”, ka thënë Berisha.

Ai ka përmendur edhe familjarë tjerë të anëtarëve të LVV-së, që sipas tij janë punësuar në AKP.

“Ylli Kaloshi është djali Hydajet Hysenit. Teraza Hajdari është.. çka e ka qëta, kunatë a çka e ka Rozeta Hajdari? Nermin Pakashtica, ballduzka e Kurtit, po ballduzka. Besa Belegu tek o çika e hallës së Mimoza Kusarit”, ka thënë Berisha në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit.

Këto deklarata të Berishës erdhën pasi deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, e pyeti drejtorin menaxhues të AKP-së, Valon Tolajn për punësimin e vajzës së ministrit të Ekonomisë, Blerim Kuçit në këtë institucion.

“Nëse vazhdon qështu, tani po ia nisim, unë po t’i përsëriti prapë. Dmth sa herë t’folsh, ma jep fjalën, unë t’i përsëriti prapë. Qëllimi është a po dojmë me e hetu privatizimin si proces, a po dojmë me u marrë me emra me e zënë ngusht ndokë. Hekuran, ndërroje qasjen”, ka thënë Berisha.

Ai ka kërkuar konfirmim nga drejtori i AKP-së nëse ata që i përmendi punojnë në këtë institucion. Por, Tolaj, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të Muratit e Berishës. Ai tha se nuk i komenton familjarët e të tjerëve.

Kategoritë
LajmeVendi