Behxhet Shala: Vetëvendosje ndryshe do të mendojë dhe veprojë si pushtet e ndryshe në opozitë

Behxhet Shala është Drejtor Ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), njëhershëm njohës i mirë i rrethanave politike. Ai ishte i dënuar politik dhe në burgjet e ish Jugosllavisë ka qëndruar 8 vite e 6 muaj prej të cilave mbi 5 vite në vetmi. Herën e parë ishte në burgjet e Bosnje dhe Hercegovinës, kurse herën e dytë i dënuar nga Gjyqi Ushtarak në Zagreb, ku vuajti dënimin për 12 vite. Në këtë periudhë të vuajtjes së dënimit në burgjet e Kroacisë, i ndau dhomat me  shumë personalitete politike si Baca Adem Demaçi, Hafir Shala, Fehmi Lladrovci, Tahir Hani  dhe shumë figura të tjera politike, ndërsa në Bosnje me Rexhep Malen, Skender Kastratin dhe Agim Sylejmanin.

Pas përfundimit të burgut, më 1990, e themeloi Nën-Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Podujevë, ndërsa nga viti 1996 është njeri ndër udhëheqësit e KMDLNj në Kosovë. Përveç fushës së të drejtave të njeriut, që nga viti 1997,  merret edhe me analiza politike ku shkruan rregullisht komente e analiza. Është opinionist i rregullt i gazetës Epoka e Re si dhe gazetave tjera të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re Shala vlerëson procesin zgjedhor, ndërsa jep komentet e tij edhe rreth zhvillimeve të tjera që pritet të ndodhin.

Ndër tjera, Shala kur flet për Lëvizjen Vetëvendosje, thotë se ajo e “shfrytëzoi për mrekulli pakënaqësinë politike, sociale dhe ekonomike të qytetarëve të pakënaqur. I sfidoi ndërkombëtarët kur të tjerët zvarriteshin dhe jargiteshin pa dinjitet para tyre. E stërpërdori bashkimin kombëtar, ndonëse nuk mund të bëjë asgjë në këtë drejtim”. Sipas tij, “Vetëvendosje ka fituar sepse kanë dështuar të tjerët dhe do të ishte shumë mirë që t’i lejohej asaj ta udhëheq qeverinë, që pastaj ta shihnim në provë idealizmin apo materializmin e tyre”.

GeR: Z. Shala sapo ka mbaruar edhe një procesi zgjedhor i parakohshëm për Kuvendin e Kosovës. Do të donim të dinim cili është vlerësimi juaj për këtë proces zgjedhor?

Shala: Gjatë tërë procesit zgjedhor KMDLNj ndonëse nuk ka qenë i përfshirë në procesin e monitorimit rregullisht ka informuar opinionin për ecurinë e fushatës sikur edhe për procesin e votimit. KMDLNj ka një përvojë për monitorimin e zgjedhjeve, duke qenë se i ka monitoruar katër palë zgjedhje pas përfundimit të luftës, duke parashikuar rezultatet e zgjedhjeve me një saktësi mbi 99%, ndonëse kushtet teknike dhe ato financiare ishin shumë më të vogla se sa tani. Bosët ndërkombëtarë e eliminuan rrjetin monitorues perfekt të KMDLNj për shkaqe politike dhe nga vëzhguesit tanë themeluan një rrjet tjetër monitorues që po e kryen punën shumë mirë. Fushata dhe dita e zgjedhjeve kaluan mirë dhe ishte në suaza të një shteti me një traditë dhe demokraci të konsoliduar, prandaj meritojnë lëvdata shumica e subjekteve politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mediat si dhe rrjeti monitorues i DnV.

Problemet ishin kryesisht të natyrës teknike që nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Këtu vlen të theksohet ndërhyrja flagrante dhe e papenguar e Serbisë në procesin zgjedhor përmes terrorizimit të votuesve dhe subjekteve politike serbe që nuk donin të ishin në kuadër të Listës Serbe. Serbia kishte për qëllim që Lista Serbe të jetë fitues absolut me ç’rast edhe arriti duke e shndërruar në një satelit parapolitik dhe paramilitar të Serbisë në Kosovë. Kështu duke ia rritur kapacitetet shantazhuese dhe bllokuese deri në atë masë sa do t’i rri si shpata e demokleut mbi kokën e shtetit të brishtë siç është Kosova me synim që ta shndërrojë në një shtet krejtësisht jofunksional dhe të varur nga Serbia. Faktikisht me këtë Serbia po bëhet përcaktues dhe pronar i proceseve të rëndësishme të Kosovës e që do të duhej të ishin ekskluzivisht çështje e brendshme e Kosovës.

GeR: Shtet-ndërtimi i Kosovës vazhdon të jetë çështje me shumë sfida, e cila përfshin edhe aspektin e brendshëm e po ashtu edhe atë të jashtëm të saj. Nisur nga rrethanat politike që i prodhuan zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë, çfarë opsioni do të ishte më i nevojshëm për vendin?

Shala: Opsioni i vetëm për Kosovën do të ishte, në mos përjashtimi i tërësishëm i Serbisë nga Kosova, atëherë vendosja e rolit të Serbisë për aq sa e lejojnë dokumentet ndërkombëtare që përcaktojnë raportet midis dy shteteve sovrane, duke e zbatuar reciprocitetin në këto marrëdhënie siç veprojnë të gjitha shtetet normale. Është e palejueshme toleranca e madhe ndërkombëtare ndaj Serbisë e cila, me ndërhyrjen flagrante në rregullimin dhe punët e brenda një shteti sovran e vë në pikëpyetje ekzistencën e Kosovës si shtet, duke e shndërruar në një hapësirë gjeografike pa pronarë apo me shumë aksionarë. Sigurimi i integritetit territorial dhe shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e vendit në përputhje me Kushtetutën dhe duke i trajtuar të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, është opsion i vetëm që garanton siguri dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjinore, moshore, racore, bindjeve politike apo statusit shoqëror. Çdo opsion tjetër do të ishte shumë i dëmshëm për Kosovën ndërsa, mbështetur në zhvillimet aktuale në Kosovë, rajon dhe më gjerë, opsioni qytetar për Kosovën, duket të jetë në domenin e ëndrrave. Për këtë paqëndrueshmëri politike, ekonomike, sociale dhe të tjera në përgjegjësi mbajnë oportunistët ndërkombëtarë që kanë instaluar dhe mirëmbajtur struktura të paafta dhe të korruptuar vendore, që kanë shpërdoruar së bashku me standardin dhe ardhmërinë e qytetarëve të Kosovës.

GeR: Republika e Kosovës para veti si çështje vazhdon t’i ketë Demarkacionin dhe Asociacionin e Komunave me shumicën serbe. A mendoni se do të mund të ndryshohet ndonjë gjë në këto dy çështje me qeverinë e re të Kosovës?

Shala: Absolutisht jo. Të gjithë ata që flasin dhe premtojnë se ligjet e Kosovës janë mbi marrëveshjet ndërkombëtare dhe se do t’i ndryshojnë këto marrëveshje, ose janë injorantë, ose janë mashtrues ordinerë. Aq më parë që edhe Kushtetuta e Kosovës, në rast të konfliktit, parasheh që të mbizotërojë Pakoja kriminale e Ahtisarit. Marrëveshjet ndërkombëtare, nëse nuk kërkohet në mënyrë eksplicite që ratifikimi të bëhet në pajtim me Kushtetutën e vendit janë të detyrueshme dhe të pakundërshtueshme. Është gjithashtu mashtrim që përdoret për përfitime politike dhe materiale pohimi se Mali i Zi ka shprehur gatishmëri ta rinegociojë demarkacionin në kohën kur është ratifikuar në Skupshtinën e Malit të Zi. Ndërkaq për arbitrazh duhet pajtimi i dy palëve, e që Mali i Zi nuk do të pajtohej. Pse Mali i Zi ta fusë ferrën në këmbë të shëndoshë? Ata janë deklaruar për fqinjësi të mirë me Kosovën dhe, në të njëjtën kohë kanë deklaruar se ka përfunduar demarkacioni, me ratifikimin e Kuvendit të Malit të Zi. Ndërkombëtarët po thonë se çështja në fjalë është në rregull ndërsa Kosova nuk ka kapacitet refuzues si dhe argumente për t’i bindur për të kundërtën. Disa harta apo kujtime nga fëmijëria se kufiri ka qenë këtu se si i kemi ruajtur delet në ato territore, janë argumente qesharake dhe na bëjnë joserioz para botës. Nëse kundërshtoni diçka në një kontest territorial, nuk është me rëndësi se a ka letra kundërshtari por se a keni letra ju. A keni tapi apo fletë poseduese sepse, askund në botë nuk ka tokë të askujt dhe tokë pa pronarë. Tash, disa “partizanë” të mbrojtjes së kufirit të Kosovës po mundohen të lahen dhe rehabilitohen në kohën, kur jo vetëm Kosovën por edhe shpirtin ia patën shitur dhe falur Jugosllavisë dhe Serbisë. Nëse dikush arrijnë t’i ndryshojë këto marrëveshje, do t’u përkulem deri në tokë dhe nëse këta do t’i ndryshojnë këto marrëveshje atëherë pse mos ta kthejmë Sanxhakun e Nishit, Hotin, Plavën, Gucinë dhe Ulqinin, Çamërinë dhe atë fshatin në Afganistan ku jetojnë hundëzakët me prejardhje shqiptare?! Të bëhemi seriozë, më në fund!

GeR: Cili mund të jetë ndikimi i Gjykatës Speciale në krijimin e Qeverisë së re të Kosovës?

Shala: Nuk do të ketë asnjë ndikim sepse Kosova nuk i ka vetëm 10 shtylla dhe nëse njëra prej tyre shembet e pati atëherë puna e Kosovës dhe shqiptarëve. Gjykatat për krime lufte, hiç këtu atë të Nurembergut, kanë qenë gjykata politike dhe kanë shërbyer, jo në ndarje të drejtësisë për viktimat, por në ndërprerjen e luftës dhe ndërtimin e “paqes” përmes një pajtimi politik. Nga proceset e saj viktimat kanë mbetur të pakompensuara si dhe kriminelët, kryesisht nuk janë ndëshkuar, e që nuk është shenjë e mirë apo porosi që u dërgohet shkelësve potencialë të drejtave të njeriut dhe ligjeve të luftës, kur në të ardhmen që do të mund të shërbente si masë parandaluese.

Gjykata Speciale është e papranueshme dhe e pabesueshme sepse do të ndajë “drejtësi” ekskluzivisht në baza etnike duke u marrë vetëm me shqiptarë dhe me UÇK në ndërkohë që të tjerët amnistohen. Për krime të luftës nuk duhet të ketë mëshirë dhe duhet të dënohen të gjithë ata që iu dëshmohet fajësia mirëpo drejtësia kurrsesi nuk mund të ndahet në mënyrë selektive. Nëse i analizoni me kujdes Gjykatën për Krime Lufte për ish Jugosllavinë atëherë lehtësisht e vëreni se të gjithë të gjykuarit dhe të dënuarit  janë politikanë me afat të skaduar të përdorimit përjashtuar shqiptarët apo z. Limaj dhe Haradinaj që kanë qenë aktivë në politikë!

Pretendimet e kësaj gjykate vështirë se do të dëshmohen aq më parë që kemi të bëjnë me dëshmitarë të pabesueshëm që kanë pasur mundësi të dëshmojnë në Tribunalin e Hagës, nuk e kanë bërë këtë dhe tash e bëjnë ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë, si dhe me kohën kanë ikur edhe gjurmët. Është i gabueshëm dhe i papranueshëm arsyetimi se shqiptarët nuk kanë bërë krime dhe se kanë bërë luftë çlirimtare ngase janë mbrojtur. Nuk ka lufta të pastra nga aspekti i të drejtave të njeriut por ka luftëra të ndyra dhe më pak të ndyra, me më shumë ose me më pak viktima. Nuk është problemi te dënimi i atyre që mund të kenë kryer krime duke shkelur ligjet e luftës sa është shqetësues përpjekja dhe sadizmi i disa politikanëve që duan të përfitojnë politikisht në kurriz të kësaj gjykate, që unë e quaj raciste ngase merret me raste ekskluzivisht një-etnike,  në një luftë shumetnike.

Kjo Gjykatë do ta thellojë edhe më shumë ndarjen brenda shqiptarëve duke krijuar armiqësi të reja dhe do të jetë zhgënjyese për ata që me të drejtë kërkojnë dhe presin zbardhjen e vrasjeve të pasluftës. Kjo Gjykatë do të merret ekskluzivisht me Raportin e Dik Martit. Drejtësia selektive është abuzim me të drejtat e viktimave dhe shfajësim për ata që kanë planifikuar, kanë urdhëruar, kanë bërë, nuk kanë penguar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Krijimin e Qeverisë së Kosovës e kanë në dorë dhe do ta bëjnë ndërkombëtarët  por edhe Serbia përmes Listës Serbe.

GeR: Po faktori ndërkombëtar në Kosovës, çfarë roli mund të ketë në krijimin e qeverisë së re?

Shala: Faktori ndërkombëtar në Kosovë dhe republikat banana, ka rol përcaktues për formimin apo shkarkimin e qeverive që u duhen apo që më nuk u hyjnë në përdorim. E kemi rastin e Shqipërisë, Maqedonisë dhe të Kosovës.

Kur ne nuk merremi vesh në gjuhën shqipe, atëherë ndërkombëtarët me ndihmën e përkthyesve, na bindin se ata gjithmonë kanë të drejtë ose kur nuk kanë të drejtë. Lërini ju rrahagjoksjen e disa politikanëve se nuk bëjmë koalicion me këtë apo me atë edhe nëse  e kërkojnë ndërkombëtarët sepse nuk kanë tope ta bëjnë këtë. Për fat tonin të mirë, ndërkombëtarët i konsiderojmë miq edhe kur na e fusin deri në fund, prandaj e kemi një pretekst kur detyrohemi të tërhiqemi nga “parimet” e mosbashkëpunimit se, këtë e bëjmë me kërkesën e miqve ndërkombëtarë dhe për interesa shtetërore! Jemi të shquar për dyfytyrësi dhe pafytyrësi.

Pas certifikimit të rezultateve, ndërkombëtarët do ta caktojnë përbërjen e qeverisë dhe koalicionet e mundshme në bazë të oportunitetit politik dhe interesave tjera. Ne do të dëgjohemi por nuk do të pyetemi fare për përbërjen e qeverisë. Në dhomë dhe takim me ndërkombëtarët në seancat dëgjimore jemi pleshta kurse në raport me qytetarët dhe kundërshtarët – armiqtë politikë sillemi si luaj! Pikërisht kështu!

GeR: Dhe për fund, si pasojë e cilave rrethana Lëvizja Vetëvendosje doli të jetë partia e cila i dyfishoi votat e veta?

Shala: Vetëvendosje shfrytëzoi për mrekulli pakënaqësinë politike, sociale dhe ekonomike të qytetarëve të pakënaqur. I sfidoi ndërkombëtarët kur të tjerët zvarriteshin dhe jargiteshin pa dinjitet para tyre. E stërpërdori bashkimin kombëtar ndonëse nuk mund të bëjë asgjë në këtë drejtim sepse Shqipëria nuk po tregon interesim për bashkim kombëtar.

Folklorizmi politik në një mjedis të pamjaftueshëm të emancipuar politik ka efekte të bombës atomike. Varfërinë e përgjithshme, papunësinë e madhe u shndërroi në lajt motiv për mobilizim dhe veprim. Punoi jashtëzakonisht shumë me diasporën në kohën kur subjektet e mëdha politike kishin problem që të sigurojnë që anëtarësia e tyre të dalë në votim. I shpalli luftë krimit të organizuar dhe korrupsionit në kohën kur edhe në radhët e saj ka kriminelë dhe të korruptuar. Ishin jashtëzakonisht aktiv në rrjetet sociale dhe për dallim prej subjekteve tjera politike ishin përshkrues të mrekullueshëm të gjendjes ndonëse nuk ofronin asnjë zgjidhje apo ofronin zgjidhje që zgjonin krenari kombëtare ndonëse ishin të parealizueshme. Punuan shumë me të rinjtë në kohën kur subjektet tjera të zhytura në vetëkënaqësi bënin shtatë palë qejfe. E promovuan një nacionalizëm atraktiv dhe afirmativ kur në mesin e tyre kishin edhe bijë të spiunëve dhe ata që e sulmuan Vetëvendosjen në kohët më të vështira për ta. U morën me tema të mëdha siç ishte Demarkacioni dhe Asociacioni – Zajednica, Gjykata Speciale, bisedimet me Serbinë, sovranitetin, Ushtrinë e Kosovës, integrimin e Veriut dhe për këtë kundërshtim e paguan një çmim kur të tjerët kërkonin flladin. Dhe, për të mos e zgjatur më shumë mendoj se arma më e fortë ishte manipulimi me masa edhe kur nuk kishin të drejtë në kohën kur kundërshtarët e tyre politikë nuk ishin në gjendje t’i bënin dy fjalë bashkë. Vetëvendosje, linçimin publik e ka përdorur si armë të fuqishme për arritjen e qëllimeve politike që iu shpagua në zgjedhjet e fundit.

Vetëvendosje ka instaluar një disiplinë spartane, i ka fshehur për mrekulli çarjet dhe dallimet edhe në rast kur ka pasur konflikte të mëdha. Vetëvendosje është treguar e vendosur në përpjekje për t’i bindur edhe ata që i kanë njohur mirë dhe nuk janë pajtuar me ta.

Vetëvendosje, me një fjalorë të fortë dhe kërcënues i ka heshtur kundërshtarët sikur që e ka fituar simpatinë e radikalëve idealistë kombëtarë ndonëse më nuk e bartë as vet lëkurën e idealizmit.

Vetëvendosje ka fituar sepse kanë dështuar të tjerët dhe do të ishte shumë mirë që t’i lejohej asaj ta udhëheq qeverinë që pastaj ta shihnim në provë idealizmin apo materializmin e tyre, zgjidhjen e temave të mëdha apo ikje nga përgjegjësia, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar apo shkrirje në këto fenomene. Do ta shihnim si do të bashkohemi me Shqipërinë apo si do të pajtohemi me Serbinë. A do të bëhemi nacionalistë afirmativ apo konformistë destruktiv.

Vetëvendosje ndryshe do të mendojë dhe veprojë si pushtet dhe ndryshe në opozitë. Por, marrë parasysh letërnjoftimin e Vetëvendosjes, me biometri kombëtare dhe nacionaliste, vështirë se ndërkombëtarët do t’i hapin derën Vetëvendosjes rrugës për qeverisje. Ndërkaq, në një koalicion eventual me LDK, Vetëvendosje do të ishte shumë dominuese dhe brenda një apo dy vitesh do ta gërryente aq shumë partinë e Isës që ta shndërroi në një mbetje mortore politike. AKR do ta përdorte vetëm si një mundësi për ta pirë një kafe të mirë në një takim të rastësishëm në Swiss Diamond. Alternativa nuk do të mund ta luante as rolin e kondomit sepse janë të tërët me vrima. Megjithatë, po të vendosja unë, do t’ua besoja udhëheqjen e qeverisë. Por, unë nuk e vendos dhe nuk jam aspak vendimmarrës për formimin e qeverisë!/Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet