BE kërkon heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut

Këshilli i Stabilizim-Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbajti takimin e tij të tretë, në të cilin u shqyrtuan zhvillimet e fundit kryesore lidhur me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e MSA-së.

Lidhur me marrëdhëniet në kuadër të procesit të Stabilizim-Asociimit, pjesëmarrësit diskutuan në veçanti kriteret politike, ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, thuhet në një deklaratë për media të BE-së.

Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit nga Kosova gjithashtu kishin një shkëmbim mendimesh në lidhje me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është thelbi i marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Ajo i ofron Kosovës një mundësi për përparim dhe afrim të qëndrueshëm me BE-në, në përputhje me perspektivën evropiane të rajonit dhe krijon mundësi tregtie dhe investimi”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesit e BE-së në këtë takim nënvizuan rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe efektiv të MSA-së, si dhe detyrimet kontraktuale, duke përfshirë në fushën e tregtisë dhe doganave.

BE ka shprehur keqardhje për rritjen e tarifave, siç thuhet, të njëanshme të qeverisë së Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, si dhe imponimin e barrierave jo-tarifore dhe insiston në heqjen e tyre të menjëhershme.

“Futja e këtyre tarifave dëmton interesat ekonomike të Kosovës dhe popullit të saj, duke zvogëluar rrjedhën e tregtisë dhe duke ulur atraktivitetin e Kosovës si një vend për investime dhe biznes. Çdo pengesë për tregtinë duhet të zgjidhet brenda forumeve dhe mekanizmave të përshtatshme, me pjesëmarrjen konstruktive të të gjitha palëve të interesuara, në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet më tej në deklaratë.

Bashkimi Evropian nënvizoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, duke përshpejtuar dhe intensifikuar punën me mirëbesim në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë.

“Të gjitha marrëveshjet e dialogut të dakorduara tashmë duhet të zbatohen plotësisht pa ndonjë vonesë të mëtejshme, në veçanti marrëveshjen 2015 për asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratë.

Në takimin e sotëm u diskutuan edhe prioritetet e reformave në fushat që përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektin për të drejtat themelore, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe punësimin, transmeton KosovaPress.

Në takim BE njohu progresin e bërë në zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformës dhe bëri thirrje për zbatimin e shpejtë të masave të pazgjidhura. Sa i përket liberalizimit të vizave, BE përkujton se Komisioni Evropian miratoi një raport në korrik 2018 mbi përmbushjen e standardeve të mbetura, ndërkohë që vendimi mbi propozimin e Komisionit aktualisht është duke u shqyrtuar në Këshill dhe Parlamentin Evropian.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet