Bariu gënjeshtar

Provoi dy herë t’i gënjente fshatarët dhe në të dy rastet ia doli. Por herën e tretë, edhe pse ujku vërtetë ia sulmoi delet, askush nuk i besoi. Kot çirrej duke kërkuar ndihmë. Asnjeri nuk shkoi t’i bëhej krah. Ja kjo fabul e thjeshtë e cila e përbënë përrallën e vjetër të bariut gënjeshtar, na edukon rreth konsekuencave që vijnë pas gënjeshtrës si një akt i përbuzur nga të gjitha filozofitë, urtësitë e botëkuptimet. Ai që ma ka kujtuar ditëve të fundit këtë histori të vjetër popullore, është vet presidenti Hashim Thaçi.

Shkruan: Imer Topanica*

Thënë në gjuhën e Gjuro Shushnjiq, gjithë talenti i Thaçit, nëse veç mund ta konsiderojmë talent, qëndron te shkathtësia e tij për të manipuluar dhe  gënjyer opinionin. Ai është një peshkatar i vërtetë i shpirtrave njerëzor. Agjendat e tij politike (që në origjinë fare lehtë mund të mos jenë të tij), tash e sa dekada, karakterizohen në thelb nga idetë të cilat as për së afërmi nuk janë ndërlidhur me  çështje me të cilat janë preokupuar qytetarët e vendit.

Thaçi ka ardhur në shprehje si figurë politike, krejt aksidentalisht, falë rrethanave të jashtëzakonshme të krijuara në vend, për shkak të luftës. Por pastaj, në vijimësi është mbajtur në skenë i shtyrë nga qarqe politike, të cilat ia kanë imponuar disa agjenda vendit, ndonëse të gjithë synonin që Kosova të shndërrohej në një shtet ligjor e demokratik, vend i sigurt për qytetarët dhe i respektuar nga fqinjët. Ai, Thaçi, për sa kohë e kishte si rival të skenës politike Ibrahim Rugovën, u ndodh në një pozicion kundërshtues ndaj ideve të propozuara për ndryshim të flamurit dhe reformave të tjera, që shiheshin si projekte për ngritjen e kapaciteteve institucionale. Por para kësaj dhe përpara se të vinte në pushtet, ai kishte shfaqur karakterin e “të fortit” në politikë, duke ia dhënë vulën proceseve të njohura si nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, demilitarizimi i UÇK-së, formimi i qeverisë së përkohshme etj.

Ai po ashtu ishte kundër privatizimit, pro idesë së bashkimit kombëtar, kundër ndërrimit të flamurit etj, etj, përderisa nuk e shijoi pushtetin. Por ndërrimi i qëndrimeve, gjerësisht të njohura për opinionin e gjerë, nuk është se i kanë kushtuar shumë. Çdokush mund të nxjerr arsyetime e mund të identifikojë faktorë që e shpjegojnë fenomenin e mbijetesës së “kungullit mbi ujë” të Thaçit, në një periudhë tejet të ngjeshur me zhvillime, ku shquhet ajo fitore e që u arrit me ‘Pakon e Ahtisarit’ përkatësisht shpalljen e pavarësisë, deri te nisja e një procesi që po e rrënonte dal ngadalë sovranitetin e republikës më të re në Evropë, subjektiviteti i së cilës veç kishte filluar të njihej ndërkombëtarisht.

Kur jemi te bisedimet me Serbinë, ai ishte po ashtu kundër tyre fillimisht, pastaj ato i cilësoi si thjesht teknike, ani që më vonë dolën të jenë edhe politike. Dikur këmbëngulte që lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër, madje kërcënonte Dik Martin (Dick Marty), me një padi ndërkombëtare, pasi që ai akuzoi atë dhe figura të tjera të larta të UÇK-së, si kryes të krimeve të rënda gjatë luftës në Kosovë, por më vonë ai qe iniciatori kryesor i themelimit të Gjykatës Speciale, institucion të cilën pastaj, u përpoq ta zhbënte me çdo kusht brenda një nate.

Në rrethana normale, në një shoqëri të shëndoshë, një figurë me këtë lloj performance, do të ndëshkohej njëmijë herë, për më shumë, nuk do të vinte kurrë në shprehje të ndodhej në krye të institucioneve. Edhe po të vinte, ta zëmë në ndonjë rrethanë tepër specifike, atij nuk do t’i lihej kurrë në dorë një proces kaq i ndjeshëm politik.

Sjellja e tij ka treguar edhe një karakteristikë tjetër, ai nuk i beson më askujt, madje as bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Kjo është një cilësi e gënjeshtarit, për të cilin George Bernard Shaw do të thoshte që: “Dënimi i vërtetë për gënjeshtarin nuk është të mos i besojnë më, por ai të mos i besojë asnjërit!”

Andaj, desha të them që në fillim: detyrë e qytetarëve është që të shtunën, më 29 shtator, të dalin në shesh e të tregojnë që janë kundër lojërave të rrezikshme të një gënjeshtari. Sepse fundja e fundit, çdo sekondë që ky njeri e ushtron në këtë pozitë, është e dëmshme për shëndetin e qytetarëve, për kafshët, shpendët, për ambientin dhe përgjithësisht për të ardhmen e republikës.

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet