Bankat: Monedhat virtuale ‘BitCoin’ paraqesin një rrezik

Bankat Kosovare dhe ato Shqiptare: Monedhat virtuale ‘BitCoin’ paraqesin një rrezik

Monedha virtuale Bitcoin është kthyer në një temë të nxehtë globale ndërsa në muajt e fundit ka tërhequr vëmendjen e një sërë aktorësh të rëndësishëm në vend, kryesisht të institucioneve financiare dhe doganave.

Ndërsa Bitcoin filloi të pushtonte tregun Kosovar, erdhi reagimi i Doganës së Kosovës e cila tha se në gjashtë mujorin e parë të 2017-ës janë importuar pajisje për prodhimin e Bitcoin me vlerë 800 mijë euro.

Banka Qendrore e Kosovës shprehej se përdorimi i monedhave dixhitale përbën rrezik dhe mund të rezultojë me humbje financiare.

Një shqetësim të ngjashëm ngriti edhe Banka e Shqipërisë e cila në një deklaratë për shtyp shprehej se kuadri ligjor në fuqi nuk parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri dhe mund të përbëjë rrezik.

Por ndërsa në Shqipëri ngritet alarmi, Posta Austriake ditën e djeshme nisi një bashkëpunim me Bitpanda për shitjen e Bitcoin në zyrat e saj postare. Në Francë Bitit ofron karta me parapagim të cilat funksionojnë njëlloj si kuponët Bitpanda.

Në Kore, bursa Coinplug shet bitcoin përmes kuponëve Oktbitcards ndërsa në Kanada Bitaccess ofron shërbime të ngjashme përmes kuponëve Flexpin.

Në Zvicër, kompania shtetërore e metrove SBB shet bitcoin nga kioskat e biletave.

Deklarata e Bankës së Shqipërisë

Duke marrë shkas nga interesimi mediatik dhe nga ai i publikut të gjerë më në veçanti, në lidhje me blerjen, zotërimin apo tregtimin e mundshëm të parave virtuale, të tilla si BITCOIN, Banka e Shqipërisë e gjen me vend të sjellë në vëmendjen e opinionit publik se kuadri ligjor në fuqi dhe ai rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale. Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Si pasojë, në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë.

Të gjithë faktorët relevantë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Autoritetin Bankar Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane, janë duke punuar intensivisht për të vlerësuar të gjithë problematikën që lidhet me paranë virtuale, me qëllim rregullimin dhe mbikëqyrjen adekuate të saj.

Autoriteti Bankar Evropian, si autoriteti kompetent dhe i pavarur për të garantuar rregullim dhe mbikëqyrje të kujdesshme të sektorit bankar evropian me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, në fund të vitit 2013 publikoi¹ rreziqet me të cilat do të përballen konsumatorët kur blejnë, mbajnë ose tregtojnë monedhat virtuale.

Po kështu, dhe Banka Qendrore Evropiane është ndalur në këtë problem dhe ka theksuar në publikimet² e saj se asnjëherë nuk duhet vënë shenja e barazisë midis parasë virtuale dhe parasë elektronike. Ndërsa kjo e fundit është aktivitet i rregulluar ligjërisht dhe i mbikëqyrur sikurse dhe ne Shqipëri, paraja virtuale është një aktivitet tërësisht jashtë syrit dhe kontrollit të autoriteteve.

Banka e Shqipërisë sjell në vëmendjen e publikut shqiptar nevojën për një ndërgjegjësim sa më të plotë të këtij të fundit mbi rreziqet që shoqërojnë këtë lloj veprimtarie. Për këtë qëllim, më poshtë po rendisim një listë me ato më kryesoret, që e shoqërojnë:

Së pari, vlera e monedhave virtuale të tregtuara apo investuara në platformat përkatëse të këmbimit nuk është e garantuar dhe është mjaft e paqëndrueshme. Vlera e monedhave mund të manipulohet duke bërë që investuesi të përballet me një humbje të konsiderueshme jashtë kontrollit të tij. Gjithashtu, ka një mundësi të madhe që si pasojë e mungesës së likuiditetit të kundër palës, të mos mundësohet asnjëherë konvertimi i monedhës virtuale sërish në monedhë konvencionale (fiat).

Së dyti, këmbyesit e parasë virtuale janë shoqëri të panjohura, të parregulluara apo regjistruara në një juridiksion të caktuar. Për rrjedhojë, kushdo që investon paratë e tij në monedhë virtuale të këmbyera nga këto shoqëri, do të përballet me rrezikun e humbjes si rrjedhojë e problemeve të natyrave të ndryshme që ato mund të shfaqin.

Së treti, për sa kohë platformat janë vetëm virtuale dhe pa mundësi enkriptimi, ato janë mjaft të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike. Në këto kushte, investimi bëhet i pasigurt dhe ai mund të sulmohet në çdo kohë nga hackers dhe të humbasë përgjithmonë, pa pasur mundësi rikuperimi. Kjo, përsa kohë nuk ka asnjë mundësi mbulimi apo mbrojtjeje, siç është për shembull fondi i sigurimit të depozitave në banka.

Së katërti, për sa kohë investimi në këto monedha ka anonimat, ai mund të përdoret nga individë të caktuar edhe për të mundësuar aktivitete të jashtëligjshme si pastrim parash, financim terrorizmi apo kontrabandë mallrash të paligjshme.

Së pesti, me kërkesë të skemës së monedhës virtuale, nevojitet që personat të bëjnë identifikimin e tyre në platformat elektronike, si për shembull nëpërmjet skanimit të pasaportës, të retinës apo të gjurmëve të gishtërinjve. Aplikimi i këtyre mënyrave të identifikimit nga ana e programit (IT software) nuk janë subjekt i ligjeve dhe rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale apo të standardeve të sigurisë. Për rrjedhojë, nuk ka asnjë garanci që këto kredenciale do të administrohen në mënyrë të sigurt për të shmangur vjedhjen apo keqpërdorimin e tyre.

Për gjithë sa më sipër, i bëjmë apel publikut shqiptar që të tregohet i matur dhe i përgjegjshëm në administrimin e kursimeve apo likuiditeteve të lira që zotëron. Ai duhet t’i orientojë investimet drejt produkteve dhe instrumenteve financiare të ofruara nga institucione të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Banka e Shqipërisë, duke mirëkuptuar transformimin e madh që vjen nga teknologjia e informacionit, shpreh angazhimin e saj për të informuar në vazhdimësi publikun shqiptar në lidhje me risitë e parasë virtuale, si dhe rregullimin dhe administrimin e rreziqeve që shoqërojnë këtë produkt.

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet