Ballkani Perëndimor një problem i vështirë për t’u zgjidhur

Me gjithë intensifikimin e përpjekjeve nga ana e shteteve më të fuqishme të BE-së, skepticizmi rreth zgjidhjeve të çështjeve të të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, është rritur. Në vitet e fundit ka pasur një progres që nuk mund të mohohet, por pika më e nxehtë mbetet Kosova dhe Serbia – shkruan Gazeta e Re.

Integrimet në Bashkimin Evropian (BE) duket të jenë një proces i vështirë për vendet e të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor. Ndërsa politikat e zgjerimit në këtë pjesë të Evropës, nuk po ecin mirë, disa nga vendet, janë duke u përballur me kriza të vazhdueshme politike e ekonomike. Disa nga ekspertët konsiderojnë që këto vende duhet të trajtohen më seriozisht nga institucionet e BE-së, duke nënkuptuar këtu oferta më konkrete.

Samiti i Vendeve të Ballkanit i cili përfundoi këto ditë në Poznan të Polonisë, u komentua në këtë frymë. Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj që nga atje njoftoi për një sukses të vogël, por që qartë tregonte që s’ishte aspak entuziast.

«Së bashku me liderët e rajonit në Poznan nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit për Institutin e Teknologjisë së Qëndrueshme, që do të jetë qendër shkencore për trajtimin e kancerit dhe hulumtimeve biomedicinale» – njoftoi Haradinaj, duke theksuar që i tërë projekti do të jetë i mbuluar financiarisht nga BE.

Por në një konferencë për shtyp ai tregoi që ndër të tjera është biseduar edhe për çështjen e bisedimeve me Serbinë, si dhe liberalizimin e vizave.

«Ja dramaturgjia e viteve e muajve të fundit: BE hap perspektivën e çeljes së bisedimeve me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Këto vende ndërmarrin përpjekje të shumta t’i përmbushin kushtet e duhura. Maqedonia e Veriut madje ia del me heqjen dorë nga emri i shtetit të bëjë një pajtim historik me Greqinë, edhe Shqipëria nis procesin e dhimbshëm të vetingut të kërkuar nga BE për verfikimin e të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve. Lëvdata nga të gjitha anët. Por çfarë ndodh? Vendet anëtare të BE nuk e respektojnë premtimin e dhënë nga vetë ata në vitin 2018 dhe e shtyjnë sërish çeljen e negociatave» – komenton ekspertja Adelheid Feilcke – përcjell DW.

Procesi ka ngecur edhe me vendet e tjera, sipas saj. «Mali i Zi dhe Serbia negociojnë ndërkohë prej disa vitesh, edhe pse procesi ngec. Për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën as që mund të flitet për negociata. Kosova është i vetmi vend në Europë pa lëvizje të lirë, dhe liberalizimi i premtuar i vizave shtyhet rregullisht. E që do mund të priten lehtësime me një të ngarkuar të BE për politikën e Jashtme, Joseph Borrell, vendi i të cilit Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kjo është më se e diskutueshme. Fakti që të dyja protektoratet e BE-së janë më pak të përgatitura për BE tregon ndoshta më qartë, se çdo gjë tjetër mungesën e koherencës në politiken evropiane për Ballkanin Perëndimor.»

 E për sa i përket konferencës në Poznan, ndonëse nga liderët nuk po cilësohet si një dështim dëshpërues i BE-së për ta rehabilituar Ballkanin, rezultatet duket qartë që janë të vogla. Fillimisht, shkruajnë mediat e njohura evropiane, duhet të ndryshohet qëndrimi i Francës, për sa i përket zgjerimit të BE-së. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim, por drita e gjelbër për to askund nuk po shihet. Kosova e Serbia, për shkak të raporteve pothuajse të ngrira, janë edhe më të pashpresa, ndërsa pritja duket sfilitëse edhe për Malin e Zi.

Të vetëdijshëm që pritjet e gjata nuk prodhojnë asgjë të mirë, krerët e BE-së vendosën që ta shpërblejnë disi këtë durim duke i miratuar tetë projekte të reja infrastrukturore, vlera e të cilave prek shumën 700 milionë euro.

Por sipas profesorit Ivaylo Ditchev ka një mori problemesh në horizont, të cilat janë pengesat e vërteta në rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Grindjet ndërmjet vendeve, për çështje shpesh triviale, përbëjnë, ndër të tjera, këtë seri problemesh.

«Disa politikanë kujtojnë fëmijët problematikë të BE, si Bullgarinë, Greqinë apo Rumaninë. Kurse populistët parimisht janë kundër anëtarësimeve në BE të vendeve me shumicë muslimane si Kosova apo Bosnje-Hercegovina. Të tjerët kanë tendencën ta harrojnë Ballkanin Perëndimor. Krahas lodhjes me zgjerimin, mjaft e diskutuar këto vite është edhe pyetja: Sa seriozisht e ka vetë ky rajon me anëtarësimin në BE? » – pyet Ditchev.

Ai reflekton edhe brenda kufijve të vet shteteve, duke detektuar një mori problemesh të tjera siç janë përplasjet e brendshme në Bosnje mes grupimeve etnike, që pengojnë së pari stabilizimin ekonomik e politik të vet këtij shteti. Sipas tij, përkundër deklarimeve të krerëve politikë të këtyre vendeve, problemet me të cilat karakterizohet rajoni, nuk kanë të bëjnë me relacionet me BE-në. Duke e parë këtë pjesë të Evropës nga të gjitha prizmat e mundshëm politik dhe jo vetëm, sipas njohësve të zhvillimeve politike, del që integrimi i kësaj pjese ka më shumë pengesa, se sa që mund të mendohet. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet