Bajrami

Albinot Maloku

Marrëveshje mes subjekteve politike për krijimin e institucioneve të reja të vendit ende nuk ka. Edhe pas tentimit të gjashtë të mbledhjes themeltar të Kuvendit të Kosovës me 24 gusht çdo gjë ka ngelur në ajër. Jemi rehat për një gjë, pra nuk ka data të caktuara se kur do të provohet prapë themelimi i institucioneve të reja të dala pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit. Të gjithë me të gjithë po diskutojnë e askush zyrtarisht nuk di se çka po ndodh me politikën vendore. Një gjë dihet, e kjo është se në fillim të shtatorit kthehen në Kosovë edhe ndërkombëtarët pas pushimeve të tyre.

Politikanët vendor nuk po arrijnë deri te një marrëveshje që mund ta normalizonte çështje me qeverinë e re, e presidenti i vendit Hashim Thaçi edhe në këtë situatë politike të Kosovës, ku humbjet janë bërë përditshmëri, me shumë qejf po i realizon takimet jo-formale me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit e ka iniciuar një dialog të brendshëm serb për të “zgjidhur nyjën e Kosovës” e homologu i tij nga Kosova, do ekip shumë përfshirës. Me demk të dytë duan një fazë të re të dialogut Kosovë – Serbi. Edhe këtu askush nuk di asgjë zyrtarisht se çka mund të prodhojë të hajrit kjo fazë e re e dialogut të vjetër e të dështuar.

Në anën tjetër edhe pse vendi është pa qeveri e institucionet të reja, krerët e subjekteve politike, secili në formën e takatin e vet po i bëjnë zyrtare listat e kandidatët për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Befasi po del me qenë veç Skenderaj. PDK-ja si parti që ka drejtuar këtë komunë prej pasluftës, kësaj here nuk ka kandidat të vetin për kryetar komune. Emra të ri kandidatësh nuk është se nuk ka. Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës nuk arritën me u bind që të kandidojnë me femra për kryetare të ndonjë komune në Kosovë. E dështakja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka kandiduar përsëri prej Alternativës së saj, me shpresë që do të rikthehet në vendin prej të cilit dha dorëheqje për tu bërë deputete e Kuvendit. Kandidatët e listat për zgjedhjet lokale veç më po dihen zyrtarisht, por jo edhe programet e tyre për komunat ku garojnë.

Ka shumë gjëra që zyrtarisht nuk po dihen se çka po i ndodh Kosovës, por ka edhe të tilla që zyrtarisht tanimë janë bërë të qarta. Me një shtator i bije me qenë ditë e premte, edhe ditë e xhumasë, edhe dita e parë e Kurban Bajramit. Për pak sa nuk luajti hesapi edhe për këtë ditë feste për myslimanët bash sikur me datat e kushtëzimet në politikën vendore. Nuk bënë, u tha, të jenë dy festa edhe e xhuma edhe Bajram. Bashkësia Islame e Kosovës siç edhe e ka zakon me qenë në nivelin e detyrës, – pak me vonesa por nejse -, e sqarojë se dita e parë e Kurban Bajramit është të premten me një shtator e nuk lëvizë me asnjë kusht. Zarare nuk ka prej festave.

Nisur nga kjo se zarare nuk ka prej festave e festimeve. “Gazeta e Re” me një shtator, si me e pas planifikuar, i ka tre festa, pra edhe është e premte, edhe Bajram edhe vjetorin e parë të ditëlindjes. Një vit iku shpejt. I lehtë nuk ishte por edhe interesant ka qenë. Të bëmat e këtij mediumi online të Kosovës janë vërejt, ndje e përjetuar në forma të ndryshme, nga shtresa të ndryshme lexuesish.  Për disa ishim “të shkëlqyeshëm”, disa mendonin se “mundemi edhe ma mirë”, do të tjerë “jo interesant jeni”. Sidoqoftë, “Gazeta e Re” sot e ka Bajram, e për Bajram zakonisht urohen e kujtohen të mirat.

Andaj për këtë Bajram, së pari lexuesve të “Gazetës së Re” ju urojmë Kurban Bajramin duke ju dëshiruar të mbara, shëndet e plotë suksese. Bashkëpunëtorëve tanë veç urimeve, ju nisim falënderimet tona me të sinqerta. Të gjithë atyre që “Gazetën e Re” e kanë parë si dritare informimi ju jemi mirënjohës. Opinionistëve, analistëve të të gjitha fushave, atyre që kanë kontribuar duke dhënë intervista, prononcime e komente për “Gazeta e Re”, vendor e ndërkombëtar, ju falënderojë në emër të të gjithë stafit të redaksisë me shpresë për vazhdim të traditës së krijuar të bashkëpunimit. Në fund, por jo për nga rëndësia i falënderojë të gjithë gazetarët e palodhshëm të redaksisë së “Gazeta e Re”. Me fat ju qoftë Kurban Bajrami dhe ditëlindja e gazetës tuaj online.

Kategoritë
ANALIZA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet