Azbesti është kancerogjen! Por a ndikojnë gypat e tillë në cilësinë e ujit për pije?

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se pavarësisht se a furnizohen përmes gypave të asbest-çimentos apo gypave nga materialet tjera, shumica e ujërave përmbajnë fibra të asbestit, për arsye se asbesti është i pranishëm në mjedisin natyror si rezultat i zbërthimit të mineraleve të caktuara si dhe nga shkarkimet industriale, ndotja atmosferike etj.

Shtresimi i fibrave të asbestit nga gypat e asbestit-çimentos lidhet me agresivitetin e ujit të furnizuar. Të dhëna nga hulumtime të shumta epidemiologjike tregojnë se ekspozimi ndaj asbestit ajror të lëshuar nga uji i rubinetit gjatë dusheve ose spërkatjeve është i papërfillshëm.

Azbesti është kancerogjen i njohur me anë të rrugës së thithjes/frymëmarrjes. Bazuar në njohuritë e deritanishme shkencore, nuk ka evidencë që ingjestimi (marrja përmes gëlltitjes) i asbestit dëmton shëndetin. Edhe pse është studiuar mirë, nuk ka prova bindëse për kancerogjenitetin e asbestit të ndërlidhur me ujë të pijshëm. Pikërisht për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk ka përcaktuar vlerë parametrike kufizuese për sasinë e asbestit në ujin e pijshëm.

Asbesti ka strukture fijore të gjatë dhe të hollë, si gjilpëra. Kur këto fije/fibra mikroskopike lëvizen nga rrymimet ajrore, ato lundrojnë në ajër dhe mund lehtësisht me frymëmarrje të futen në mushkëri. Shkencëtarët Asbestin e kanë njohur si një kërcënim për shëndetin e njerëzve sepse këto fibra kur futen në mushkëri mund të shkaktojnë kancer dhe sëmundje tjera të mushkërive. Ne të gjithë jemi të ekspozuar ndaj niveleve të ulëta të asbestit në ajër, mirëpo ka më shumë të ngjarë të përjetojmë çrregullime të lidhura me asbest varësisht nga përqendrimet e larta të asbestit dhe kohëzgjatja e ekspozimit.

Në shumicën e vendeve të Evropës dhe në SHBA janë ende në funksion sasi të konsiderueshme të rrjeteve të ujësjellësit nga gypat e asbest-çimentos dhe nuk ka iniciativa apo programe për zëvendësimin e tyre për arsye shëndetësore. Rrjedhimisht, as Kompanitë Publike të Ujësjellësit në Kosovë nuk kanë nevojë që për arsye shëndetësore të planifikojnë zëvendësimin e gypave të asbest-çimentos.

Studimet e ndryshme kanë konfirmuar që marrja e asbestit përmes inhalimit (organeve të frymëmarrjes) mund të shkaktojë kancer të mushkërive. Rrjedhimisht, problemi sa i përket përdorimit të gypave të asbest-çimentos për sistemet e furnizimit me ujë është për personat të cilët i ekspozohen pluhurit të asbestit gjatë punës me këta gypa, për shkak të rrezikut të inhalimit të këtij pluhuri. Ky fakt imponon domosdoshmërinë që Kompanitë Publike të Ujësjellësit të ndërmarrin masat e duhura mbrojtëse për mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve të cilët i ekspozohen rrezikut nga pluhuri i asbestit.

Nga sa u tha më lart, nuk ka asnjë arsye që publiku të shqetësohet për rrezikun e ujit të cilin e konsumojnë nga sistemet publike të ujësjellësit, qoftë nga gypat e asbest-çimentos apo nga materialet tjera. Cilësia e këtij uji mbikëqyret rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në pajtim të plotë me standardet dhe metodat e aplikueshme në vendet e Bashkimit Evropian.

Kategoritë
FamiljeShëndetësi

Të ngjajshmet