Avokati i Popullit publikoi rekomandimet për organizmin e votimit jashtë vendit

Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me Rekomandime me qëllim të ngritjes së çështjes së organizimit të votimit jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare dhe lokale te autoritetet përgjegjëse.

Raporti bazohet në analizën e legjislacionit vendor si dhe standardet ndërkombëtare, lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore parlamentare dhe lokale, me fokus në organizimin e votimit jashtë vendit.

Raporti i Avokatit të Popullit trajton tri çështje me interes për organizimin e votimit jashtë vendit.

Çështja e parë ka të bëjë me publikimin e rezultateve përfundimtare të votave jashtë vendit. Lidhur me këtë, Avokati i Popullit konstaton se korniza ligjore e Republikës së Kosovës parasheh ushtrimin e së drejtës së votës jashtë vendit. Nisur nga praktika gjyqësore Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) kur shteti i mundëson zgjedhjet jashtë vendit dhe garanton atë me kornizën ligjore në fuqi, është detyrim i shtetit të organizojë zgjedhjet në mënyrë të mirëfilltë dhe transparente. Megjithatë, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk parasheh publikim të rezultateve përfundimtare të votave nga jashtë. Së këndejmi Avokati i Popullit ka rekomanduar Ndryshim/Plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në nenin 106, paragrafi 4, ku do përfshihet edhe publikimi i rezultateve përfundimtare të votave nga jashtë vendit;

Çështja e dytë ka të bëjë me rregullën zgjedhore të KQZ-së për votim jashtë vendit e cila parasheh mënyrën e votimit përmes kutive postare të vendosura nga KQZ-ja, por nuk jep sqarim në lidhje me vendndodhjen e këtyre kutive postare. Duke u bazuar në standardet ndërkombëtare, votimi përmes postës, për votimin jashtë vendit, konsiderohet si metodë e pasigurt, e brishtë dhe jo transparente. Së këndejmi, Avokati i Popullit ka rekomanduar Ndryshimin/Plotësimin e Rregullës Zgjedhore 03/2013 neni 4, i cila do të duhej të përfshijë  përcaktimin e vendndodhjes se kutive zgjedhore dhe rolin e zyrave konsullore/ambasadave në procesin zgjedhor.

Në frymën e çështjes së dytë, Avokati i Popullit ka rekomanduar edhe Ndryshim/Plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, neni 96, i cili do të mundësonte, përveç votimit me postë edhe votimin fizik nëpërmjet zyrave konsullore apo ambasadave ku do të vendoseshin kutitë e votimit.

Kategoritë
DIASPORALajme

Të ngjajshmet