Avionët ushtarakë amerikanë fluturuan mbi Shkup, përshëndetën anëtarësimin në NATO

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, deklaroi se “sot edhe në qiellin maqedonas mund të shihnim se është e saktë teza se ‘Ne jemi NATO’”

Dy avionë të aviacionit luftarak amerikanë të shoqruar nga katër avionë të aviacionit ushtarak grek sot kryen fluturim mbi territorin e Republikës së Maqedonisë në nder të anëtarësimit të vendit në NATO. Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, pasi avionët amerikanë me flurutim mbi Shkup përshëndetën anëtarësimin e vendit në aleancë me “Mirëserdhët në NATO”, deklaroi se “sot edhe në qiellin maqedonas mund të shihnim se është e saktë teza se ‘Ne jemi NATO’”, pasi Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s pas përpjekjeve 30-vjeçare.raporton Anadolu Agency (AA).

“Për fat të keq nuk patëm mundësi në mes të pandemisë me koronavirusin ta kremtojmë anëtarësimin tonë, megjithatë, ngjarja e sotme e aksionit të koordinuar të përbashkët të armatës sonë së bashku me komandat e NATO-s dhe me forcat ajrore të SHBA-së, tregojnë se integrimi nuk është vetëm politik, por real, ushtarak dhe mbrojtës”, tha Shekerinska.

Koloneli Valentin Ivanovski deklaroi se këtë që sot ndodhi ishte një operacion i ndërlikuar ajror i forcave ajrore të NATO-s me pjesëmarrjen e dy avionëve të SHBA-së dhe katër avionëve F-16 të aviacionit ushtarak grek.

“Fluturimi është plotësisht i organizuar nga komanda e forcave për Evropën dhe i udhëhequr përmes qendrave operative ajrore, ku është i përfshirë edhe qendra jonë e re operative ajrore dhe ku të gjitha fluturimet dhe koordinimi u kryen përmes sistemit për kontroll të sistemit ajror”, deklaroi Ivanovski.

Avionët amerikanë fluturuan dje nga shteti federal Dakota Jugore dhe kishin fluturim të pandërprerë 30 orësh me mbushje të karburantit në ajër.

Ambasadorja amerikane në Shkup Kate Marie Byrnes theksoi se fluturimi i sotëm është shprehje e mbështetjes së përhershme të SHBA-së për Maqedoninë e Veriut dhe një gjest përmes të cilit i dëshirojnë mirëseardhje vendit si anëtarja e 30-të e NATO-s.

“Me të drejtë dhe është e saktë se gjatë disa javëve të fundit fokusi ynë më i madh ishte lufta e përbashkët kundër COVID-19, por nuk duhet lejuar që ajo të mjegullojë arritjet historike të vendit, hyrjen në NATO dhe marrjen e dritës së gjelbërt për fillimin e negociatave aderuese me BE-në. Këto ishin aspiratat e dy vendeve tona më shumë se dy dekada”, tha ambasadorja.

Qytetarët e interesuar patën rastin që ta shohin fluturimin e avionëve amerikanë dhe avionëve shoqërues të aviacionit ushtarak grek mbi Shkup.

Rikujtojmë se më 27 mars, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg theksoi se Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30 e NATO-s pas përfundimit të të gjitha proceseve zyrtare.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet