“Aventurat” e Thaçit në Paris dhe “lufta e ftohtë” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Presidenti Hashim Thaçi, ka bërë përpjekje që maksimalisht ta shfrytëzojë vizitën në Paris, duke u takuar qoftë edhe për pak qaste me liderë të ndryshëm botërorë. Por opinioni vendor, gjithë vëmendjen e ka pasur te raporti Kosovë – Serbi, përkatësisht te një takim tjetër i radhës me presidentin serb Aleksandër Vuçiq – shkruan Gazeta e Re.

Fotografitë dhe videot që ilustrojnë momentet kur Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi është takuar me liderë të ndryshëm botërorë, janë të shumta. Faqja e tij zyrtare në facebook është përditësuar aq shpesh këto dy ditë, si asnjëherë tjetër.

“Pallati Elysee në Paris sot është qendër e mikpritjes së liderëve nga mbarë bota. Shënimi i 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore është mesazh botëror për rëndësinë e madhe të paqes” – raportoi presidenti nga atje, sapo këmbët i shkelën në Paris. Përveç nikoqirit, ndaj të cilit ai shprehi falënderime të përzemërta, ai u takua edhe me liderë të tjerë.

“Në Paris takova presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të cilin e falënderova për mbështetjen e SHBA-së për Kosovën dhe rolin e saj vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin. Në këtë periudhë të rëndësishme për Kosovën ishte inkurajuese të dëgjoj se presidenti Trump mbështet “100% arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Ne në Kosovë jemi dhe do të mbetemi përherë mirënjohës ndaj SHBA-së dhe popullit amerikan” – vijon raportimi tjetër i presidentit.

Mbishkrimi që mori më shumë vëmendje, qe ai ku shihej presidenti teksa bisedonte ulur me Kancelaren Gjermane Angela Merkel:

“Një takim të rëndësishëm në Paris kisha edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Temë kryesore e diskutimit tonë ishin dialogu dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përkrahja gjermane është përcaktuese për arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila afron edhe më tepër rajonin tonë me Bashkimin Evropian, si dhe e forcon paqen dhe stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor.”

Siç dihet, Gjermania mbetet një ndër kundërshtaret e hapura të idesë së promovuar nga presidenti, për sa i përket ndryshimit apo shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Nuk janë dhënë detaje të tjera për sa i përket këtij takimi me kancelaren, dhe për më shumë, nëse fjala ka rënë edhe rreth çështjes së vijës kufitare me Serbinë.

Por si për ta shuar kureshtjen, Thaçi njofton opinionin që: “Në Forumin e Paqes në Paris kërkova që të mbështeten përpjekjet tona dhe të Evropës për forcimin e paqes përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Qytetarët e Ballkanit e njohin shumë mirë konfliktin e interesave, ndikimeve dhe ideologjive. Por, bota demokratike assesi nuk duhet të lejojë që forcat shkatërruese të ngadhënjejnë mbi mendjet dhe kryeqytetet e Ballkanit, Evropës dhe më gjerë. Kundërshtarët e paqes janë në dijeni se një marrëveshje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta prekte planin e tyre destruktiv, plan ky që synon të thyejë Evropën, të shemb standardet demokratike, të mashtrojë dhe të përçajë evropianët dhe të imponojë një moral të vjetër, që e kanë vuajtur dhe duruar gjatë gjeneratat e përparme. Por, derisa ata e dinë shumë mirë pse e kundërshtojnë paqen në mes Kosovës e Serbisë, edhe ne e dimë shumë mirë pse duhet të angazhomi me çdo forcë që ta arrijmë atë. Popujt tanë ia kanë borxh vetvetes dhe gjeneratave të reja që ta zhdukin vijën e frontit që ka lënduar rajonin tonë me shekuj. Ia kemi borxh edhe Evropës, sepse është e vetmja rrugë që mund të garantojë lirinë e qytetarëve tanë, respektin për të drejtat fondamentale të njeriut dhe zhvillimin ekonomik të vendeve tona.”

Një raportim tjetër i presidentit, ndërlidhet edhe me një aktivitet që ka të bëjë pak me diplomacinë kulturore. Ai njofton që i ka dhuruar Bibliotekës së Paqes në Paris një libër të shkruar nga Adem Demaçi, Mandela i Evropës “i cili i kaloi 28 vjet në burg si i burgosur politik, i burgosur i ndërgjegjes. Përkundër vuajtjeve dhe burgut të gjatë, ai e gjeti forcën që të përcillte edhe mesazhe të bashkëpunimit dhe paqes. Demaçi e përfaqësoi më së miri vullnetin e Kosovës për të mos u dorëzuar kurrë në betejat për liri e pavarësi, por edhe për pajtim e paqe. Këtë mesazh e përçova edhe unë në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në Paris, në këtë datë historike.”

I fundit në këtë seri raportimesh të presidentit, i cili duket që u mishërua mirë me rolin e korrespondentit, është ai i takimit të befasishëm me presidentin e Rusisë Vladimir Putin:

“Në Paris e takova për herë të parë Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mundësia e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjore dhe obliguese ishin fokusi kryesor i bisedës sonë. Lidhur me këtë çështje, presidenti Putin ishte i qartë: “Në rast se ju (Kosovë–Serbi) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështes këtë marrëveshje” – shkruan presidenti duke e komentuar takimin.

Demostat, citon Wolfgang Petrisch, ish përfaqësues i BE-së për Kosovën, të ketë thënë që është e rëndësishme që dy krerët e shteteve (Kosovës dhe Serbisë), janë takuar në Paris. Duke e komentuar një takim të mundshëm ndërmjet tyre, Petrisch ka thënë se “në Ballkan, edhe pas njëqind vjetëve luftim, të cilat filluan nga një konfrontim austriako-serb, konfliktet nuk kanë mbaruar”. Sipas Petrisch, në këtë përvjetor të Luftës së Parë Botërore, është mirë që të dy krerët e të dy vendeve ta kenë kuptuar që vetëm përpjekja për paqe mund t’i bashkojë ata në një Evropë unike./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet