Austri, të paktën një i vrarë dhe disa të plagosur në sulmin e dyshuar terrorist

Policia konfirmoi se persona të armatosur me pushkë shënjestruan njerëz në gjashtë lokacione në qendër të kryeqytetit austriak.

Ministri austriak i Punëve të Brendshme, Karl Nehammer, ka bërë të ditur se autoritetet në Austria po trajtojnë disa të shtëna në kryeqytetin Vjenë si një sulm terrorist.

“Mund të konfirmoj se ky është një sulm i dukshëm terrorist”, tha Nehammer për televizionin ORF, duke shtuar se ata besojnë se ishin të përfshirë disa persona të armatosur.

Nehammer njoftoi se disa persona janë plagosur nga të shtënat.

Në llogarinë e saj në twitter, policia konfirmoi se persona të armatosur me pushkë shënjestruan njerëz në gjashtë lokacione në qendër të kryeqytetit austriak.

Të paktën një person është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur, përfshirë një oficer i policisë.

Policia njoftoi se një i dyshuar u qëllua dhe u vra.

Një operacion i madh policor po zhvillohet në kryeqytetin austriak, me policinë që apeloi tek qytetarët të qëndrojnë larg vendeve publike.

“Të shtëna në rrethin e Qytetit të Brendshëm. Ka persona të lënduar. Qëndroni larg vendeve publike dhe transportit publik. Mos shpërndani foto dhe video”, shkroi në twitter policia e Vjenës.

Kategoritë
BotaLajme