Asambleistët

Albinot Maloku

Me 22 tetor të këtij viti qytetarët do të zgjedhin anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave, për mandatin e gjashtë të qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës, që prej pas luftës e këndej. Vendi e respekton parimin e subsidiaritetit të dalë nga Karta Evropiane e Qeverisjes Lokale përmes kuvendeve komunale me synim të lehtësimit të jetës së qytetarëve, duke qenë autoriteti shtetëror më i afërt me qytetarin. Komuna si niveli më i afërt i shtetit me qytetarin do të duhej të ishte instanca më kualitative e përmbajtjes së saj njerëzore e profesionale për funksionim normal e të shëndosh në relacionin shtetas/banor-shtet.

Por, sa ka arritur të kuptohet rëndësia e sjelljes së personaliteteve më të mira në listat garuese për anëtarë të kuvendit, që njihen ndryshe edhe si asamblistë apo këshilltarë komunal për zgjedhjet lokale në ardhje në Republikën e Kosovës?

Kujtojmë se për 38 komunat e Kosovës qytetarëve u janë ofruar rreth 7000 emra të cilët duan të jenë pjesë e asambleve komunale, pra asamblistë. Nga të prezantuarit e këtij numri ka emra që kanë një përvojë në disa mandate, ka emra që pavarësisht përvojës nuk janë treguar të kujdesshëm për punën e obligimet e tyre, duke mos qenë në nivelin e detyrës. Mirëpo, ka edhe emra që për herë të parë i futën garës për të marrë voten e qytetarit e për të fituar pozicionin me të rëndësishëm të përfaqësimit të banorve në zgjidhjen e problemeve e sfidave të tyre në nivel vendi.

Komuna, sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale është njësia themelore e qeverisjes vendore në Republikën e Kosovës dhe si e tillë që është, pozita e asamblistit është dashur të vlerësohet paraprakisht nga vetë subjektet politike që japinë kandidatët e tyre për të garuar në zgjdhjet lokale. Po sikur në zgjedhjet e kaluara lokale ende vazhdon praktika e të menduarit të pozitës së asambleistit si vend pune ose vetëm si përmbushje e numrit të një liste kandidatësh nga subjekte politike që në fund nuk nxjerrin fare asambleist ose maksimalisht bartësin e listës.

Nga aspekti ligjor, filtrimi i kandidatëve për asambleist është minimal. Sipas të njëjtit konsiderohet se çdo person nëse është shtetas i Kosovës i moshës 18 vjeç mund të kandidojë përveç nëse ai apo ajo është: Gjykatës apo prokuror, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtar i Policisë së Kosovës, pjesëtar i Shërbimit Doganor të Kosovës, pjesëtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, përfaqësues diplomatik, kryesues apo anëtar i KQZ-së, anëtar i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, i denuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, me anë të vendimit të gjykatës, i është hequr e drejta për të qenë kandidat.

Si pasojë e qasjes aktuale të subjekteve politike në lidhje me rolin e asambleistit, kemi zbehje të rolit të komunës e kuvendit komunal. Raportet e organizatave që përcjellin punën e kuvendeve komunale të Kosovës, thonë se, asambleistët nuk kanë shfrytëzuar sa kanë patur mundësi hapësirat për t’i shtyer politikat në të mirë të komunës dhe përfaqësim të qytetarëve. Kjo padyshim është si pasojë e hyrjes së pari në lista e më pastaj edhe në kuvende komunale të personave që nuk kanë treguar interesim në rolin e asambleistit.

Degradimi i rolit të asambleistit duhet të pengohet së pari nga subjektet politike, të cilat konsiderohet të jenë më të informuara për personalitetet që i ofrojnë qytetarit për t’i votuar. Më pastaj të krijohen standarde të cilat duhet të përbushen nga kandidatët të cilët synojnë pozitën e asambleistit dhe krejt në fund të jetë vota e qytetarit i cili do të mund të zgjedhte më të mirin nga më të mirët.

Derisa nuk ka një filtrim i cili do të ndodhte qysh në fillim, do të vazhdojmë të kemi degradim të rolit të asambleistit, e i cili rol është më i veçanti në hallkën e përfaqësuesve të shtetasve në instanca të vendimmarrjes shtetërore. Pritja e qytetarit votues nga i votuari për asambleist të Kuvendit të Komunës nuk është veç “mbajtja e fjalës”, por që i votuari i votuesit, në këtë rastë asambleisti të jetë më aktiv e më konstruktiv në zhvillimin e qytetet, fshatit e lagjës.

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Nëntori

    Albinot Maloku Thuhet se nëntori është muaj i shqiptarëve. Data e 28-të e këtij muaji, në vete ndërlidh disa momente historike, por ndër më të rëndësishmet mbetet Shpallja e...
  • Tribunali

    Albinot Maloku Dhjetori i këtij viti do të jetë muaj i cili do të përmbyllë punën gati tri dekadëshe të mekanizmit i cili u themelua për të ndjekur penalisht...
  • Zëvendësministrat

    Albinot Maloku  Ndonëse debatet rreth zgjedhjeve lokale nuk do të përfundojnë deri më 19 nëntor, kur edhe do të përmbyllet raundi i dytë, për komunat që kanë shkuar në...
  • Njohjet

    Albinot Maloku Diplomacia e Kosovës është sinonim i dështimit. Me gjasë, secili zyrtarë që është emëruar si Ministër i Jashtëm i Kosovës, këtë pozitë e ka perceptuar si prestigj...