Artisti turk, Haluk Bilginer, u zgjodh të hënën “aktori më i mirë” në edicionin 47. të Çmimeve Ndërkombëtare “Emmy” në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për performancën e tij në serialin televiziv “Sahsiyet” (Persona).
Kandidatë për çmimin e aktorit më të mirë, fituar tashmë nga Haluk Bilginer, ishin 4 emra nga Turqia, Britania, Gjermania dhe Brazili.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur, më shumë që ky çmim shkoi në Turqi sesa për veten time”, deklaroi aktori 65-vjeçar pasi mori në dorëzim çmimin.
“Është shumë e këndshme që puna jonë, të cilën ne bëjmë me dashuri e admirim, vlerësohet nga të tjerët në një platformë ndërkombëtare dhe kurorëzohet me një çmim”, shtoi ai.
Në këtë telenovelë, Bilginer luan karakterin e Agahut, një vrasës serial i diagnostikuar me Alzheimer, i cili është i mallkuar të humbasë përfundimisht të gjitha kujtimet e tij.
Karakteri i jetësuar nga Bilginer, megjithatë, e shndërron sëmundjen në një mundësi që e lejon atë të ekzekutojë fajtorë dhe kriminelë pa pasur frikë se mund ta brejë ndërgjegjja.
Seriali 12-episodësh fitoi mirënjohje nga shikuesit në Turqi e jashtë saj dhe vlerësohet me 9,1 pikë nga 10 të mundshme në Bazën e të Dhënave të Filmit në Internet (IMDb).