Arrestohet një polic, dyshohet se e rrahu rëndë një 21-vjeçar në Prishtinë

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti për menaxhimin e ankesave, dje ka pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në një incident që kishte ndodhur më 5 prill 2020 në lagjen “Velania” në Prishtinë.

IPK-ja njofton se sipas pretendimeve të familjarëve të viktimës (21-vjeçar), ai kishte pësuar dëmtime në kokë pas një incidenti që e ka pasur me një zyrtar policor.

“Rasti është përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot zyrtarin policor (punonjës në stacionin policor Qendra në Prishtinë) që ishte i përfshirë në këtë incident”, ka thënë IPK-ja.

Theksohet se arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet