“Armenia po kryen krime lufte”/ Ambasadori Yörük: Ja pse Turqia qëndron përkrah Azerbajxhanit. Faktet, akuzat dhe shpërthimi aktual

Nga Murat Ahmet Yörük Ambasador i Turqisë në Shqipëri

Konflikti në Nagorno-Karabak ka qenë në axhendën e bashkësisë ndërkombëtare si një mosmarrëveshje e “zgjatur” e pazgjidhur për 30 vitet e fundit.

Turqia i kushton një rëndësi të madhe zgjidhjes paqësore të këtij konflikti për dy arsye kryesore. E para është se po ndodh në fqinjësinë tonë të afërt. Arsyeja e dytë është marrëdhënia e veçantë midis Turqisë dhe Azerbajxhanit që është bërë zakon të përshkruhet si “dy kombe, një shtet”. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se mbështetja jonë e qartë buron nga e drejta e Azerbajxhanit dhe pozicioni i tij i vendosur për të qëndruar brenda kufijve të së drejtës ndërkombëtare.

Sot, 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit është ende nën okupimin e Armenisë që nga viti 1993. Ky është shkaku kryesor i këtij konflikti dypalësh, i cili është gjithashtu fajtori kryesor i paqëndrueshmërisë në Kaukazin Jugor.

Për ata skeptikë në lidhje me pronësinë e Azerbajxhanit mbi Nagorno-Karabakun dhe në cilën anë është “agresori” i vërtetë në këtë konflikt, mjafton të përmendim katër rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u miratuan të gjitha në vitin 1993 kur shpërtheu konflikti.

i) Rezoluta 822 e KSKB

“Vëren me alarm përshkallëzimin në luftimet e armatosura, dhe në veçanti, pushtimin e fundit të rrethit Kelbadjar të Republikës së Azerbajxhanit nga forcat vendase armene. Riafirmon gjithashtu paprekshmërinë e kufijve ndërkombëtarë dhe papranueshmërinë e përdorimit të forcës për përvetësimin e territorit”.

ii) Rezoluta 853 e KSKB

“Riafirmim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Azerbajxhanit dhe i të gjitha shteteve të tjera në rajon. Vihet re me alarm përshkallëzimi në luftimet e armatosura, dhe në veçanti, përvetësimin e rrethit të Agdamit në Republikën e Azerbajxhanit”.

iii) Rezoluta 874 e KSKB

“Shpreh shqetësimin serioz se vazhdimi i konfliktit në dhe rreth rajonit Nagorno-Karabak të Republikës së Azerbajxhanit dhe i tensioneve midis Republikës së Armenisë dhe Republikës së Azerbajxhanit, do të rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon. Riafirmim gjithashtu i paprekshmërisë së kufijve ndërkombëtarë dhe papranueshmërinë e përdorimit të forcës për përvetësimin e territorit”.

iv) Rezoluta 884 e KSKB

“Vihet re me alarm përshkallëzimi në luftimet e armatosura si pasojë e shkeljeve të armëpushimit dhe tejkalimet në përdorimin e forcës në përgjigje të atyre shkeljeve, në veçanti pushtimin e rrethit Zangelan dhe qytetit të Goradiz në Republikën e Azerbajxhanit. Riafirmimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Azerbajxhanit dhe të të gjitha shteteve të tjera në rajon”.

Siç mund të shihet nga formulimi që përmbahet në këto rezoluta, integriteti territorial i Azerbajxhanit theksohet vazhdimisht dhe po kështu edhe pushtimi i pjesëve të territorit të tij. Për më tepër, përkundër këtyre rezolutave dhe thirrjes për “tërheqje të menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të forcave okupuese”, Armenia ende vazhdon të pushtojë 20 për qind të territorit të Azerbajxhanit.

Në vitin 1992, Grupi i Minskut i OSBE-së u krijua nga Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (paraardhëse e OSBE-së) për të inkurajuar një zgjidhje të negociuar të konfliktit.

Sidoqoftë, Armenia nuk ka qenë një partner i vërtetë në Grupin e Minskut. Me shpërfilljen e saj të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimeve të OSBE-së, Armenia ka bërë tallje me të drejtën ndërkombëtare dhe rregullave të bazuara në sistemin ndërkombëtar.

Turqia dëshiron të shohë një zgjidhje të negociuar të konfliktit në Nagorno-Karabak bazuar në integritetin territorial të Azerbajxhanit, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimet e OSBE-së për të siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. Në fakt, Armenia nuk dëshiron një zgjidhje paqësore të negociuar të konfliktit në Nagorno-Karabak. Armenia dëshiron të ruajë status quo-në dhe të konsolidojë okupimin e saj. Kjo është arsyeja pse Armenia ka bërë gjithçka për të sabotuar negociatat nën kujdesin e Grupit të Minskut dhe tre bashkëkryetarëve të tij.

Zhvillimet e fundit: Më 27 shtator herët në mëngjesin e së dielës, forcat e armatosura armene filluan një granatim intensiv të pozicioneve të mbrojtjes së Azerbajxhanit dhe vendbanimeve civile me artileri dhe raketa të kalibrit të madh, në shkelje të dukshme të armëpushimit, si dhe të ligjit ndërkombëtar, përgjatë Linjës së Kontaktit në Karabak.

Me këtë akt të agresionit ndaj Azerbajxhanit, Armenia edhe një herë dëshmoi se është pengesa kryesore për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ky sulm i urryer ishte kulmi i provokimeve armene, të cilat filluan në Tovuz më 12 korrik dhe vazhduan me shkelje të shpeshta të armëpushimit nga forcat e armatosura armene përgjatë Linjës së Kontaktit. Ashtu si me veprimet e mëparshme të agresionit, pushtimi armen dhe sulmet ndaj civilëve janë shkaqet themelore të vuajtjeve të thella njerëzore dhe zhvendosjen e një milion azerbajxhanasve nga tokat e tyre në pothuajse tri dekada.

Azerbajxhani filloi një operacion për të mbrojtur popullsinë e tij dhe për të rivendosur integritetin e tij territorial, duke u mbështetur në të drejtën e tij të vetvetishme të mbrojtjes, të parashikuar në nenin 51 të Kartës së OKB-së.

Si Turqi, ne dënuam me shpejtësi sulmet e fundit dhe shpallëm mbështetjen tonë të fortë për Azerbajxhanin pas sulmeve armene. Mbi të gjitha, Azerbajxhani po kryen operacionet e tij brenda kufijve të tij të njohur ndërkombëtarisht dhe në territorin e vet, i cili ka qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për gati tri dekada.

Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë presion Armenisë për të rifilluar negociatat e sinqerta, thelbësore dhe të orientuara drejt rezultateve me mirëbesim.

Azerbajxhani meriton mbështetjen dhe simpatinë e justifikuar të dhënë nga aleatët tanë përfshirë Shqipërinë, si dhe partnerët europianë për Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Moldavinë, në lidhje me konfliktet e Abkhazisë, Osetisë së Jugut, Krimesë, Donbasit ose Transnistrisë.

Qëndrimi në distancë të barabartë me të dyja palët, pavarësisht se kush është agresori, nuk është një kuptim i shëndetshëm i paanësisë dhe vetëm thekson dhe shpërblen të keqen.

Gjatë këtyre konfrontimeve të fundit të armatosura, bashkëkryetarët e Grupit të Minskut dhe shumë shtete të tjera bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm. Por në këtë fazë, çështja nuk ka të bëjë vetëm me vendosjen e një armëpushimi tjetër.

Një armëpushim që nuk është krijuar për të lëvizur drejt një zgjidhjeje të negociuar me qëllimin e përfundimit të pushtimit, do të jetë i brishtë dhe i përkohshëm, gjë që e kemi parë këtë fundjavë.

Armëpushimi midis Azerbajxhanit dhe Armenisë i shpallur të premten e kaluar nuk mbajti as për një ditë të plotë, pasi Jerevani filloi një sulm ndaj qytetit të dytë më të madh të Azerbajxhanit, Ganjës, më pak se 24 orë nga arritja e armëpushimit.

Raketat armene goditën të dielën vendbanimet civile në Ganja, ku përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë midis rrënojave. Forcat e armatosura armene po shënjestrojnë gjithashtu qytete të tjera të mëdha në Azerbajxhan, si Mengiçevir, Abseron, H?z?, Terter, Berde, Beylegan, me artileri me rreze të largët dhe raketa.

Si rezultat i të gjitha këtyre sulmeve, zyra e Kryeprokurorit Publik të Azerbajxhanit njoftoi në fillim të kësaj jave se 41 civilë ishin vrarë dhe 207 të tjerë ishin plagosur. Rreth 1,185 shtëpi, 148 ndërtesa civile dhe 57 apartamente nuk janë të përdorshme pas sulmeve. Sulmet armene përbëjnë një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar humanitar, veçanërisht të Konventave të Gjenevës të vitit 1949. Armenia po kryen krime lufte.

Pretendimet armene për përfshirjen e turqve në terren dhe për luftëtarët nga jashtë janë të pabazuara dhe irracionale. Azerbajxhani dhe autoritetet përkatëse në Turqi i hodhën poshtë plotësisht dhe pa mëdyshje këto trillime armene. Në fakt, vetë Armenia ka sjellë shumë kurdë jezidi dhe skuadra terroriste të organizatës terroriste PKK nga Iraku në Karabak, për të luftuar për interesat e saj.

Fushata dezinformuese e Armenisë synon të largojë vëmendjen nga pushtimi i saj i paligjshëm dhe paraqitjen si viktimë. Turqia i jep dhe do të vazhdojë t’i japë mbështetje të fortë politike dhe morale Azerbajxhanit. Sidoqoftë, Turqia nuk është palë në këtë konflikt dhe nuk është e pranishme në fushën e betejës.

Përveç fushatës së saj të dezinformimit, në një gjendje dëshpërimi të tërbuar, Armenia po intensifikon sulmet e saj ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës në Azerbajxhan, larg zonës së konfliktit. Armenia gjithashtu synon tubacionet e gazit dhe naftës, që kërcënon sigurinë e energjisë në një rajon më të gjerë, përfshirë Europën.

Sulmi i saj i tubacioneve të energjisë drejt Jugut që arrijnë në Europë duke kaluar përmes Gjeorgjisë, Turqisë, Bullgarisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë, po e lënë Rusinë si furnizues të vetëm të energjisë për të gjithë Europën. Sulmet e fundit nga Armenia në rezervuarin e digës “Mingechevir” dhe hidrocentralin e energjisë tregojnë se Armenia nuk e frenon veten. Duke shënjestruar qytetet dhe civilët jashtë tokave të okupuara të Azerbajxhanit, Armenia synon të provokojë Azerbajxhanin që të hakmerret ndaj saj.

Armenia shpreson të zgjerojë konfliktin për të futur në lojë Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO). Armenia gjithashtu përpiqet të përhapë luftën në të gjithë rajonin dhe të përfshijë vendet e tjera në këtë luftë, si dhe të hedhë të gjithë rajonin në zjarr. Sidoqoftë, udhëheqja e Azerbajxhanit ka deklaruar se ata nuk do t’u përgjigjen provokimeve të tilla armene dhe se ata do të mbajnë operacione brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Azerbajxhanit. Ne e mbështesim plotësisht këtë përgjigje të mençur dhe të ligjshme të Azerbajxhanit për të çliruar territoret e tij nga agresori.

Tani është koha që bashkësia ndërkombëtare të kuptojë se forcat armene po sulmojnë civilët dhe po kryejnë krime lufte. Grupi i Minskut duhet të vendosë një ekuilibër të drejtë midis “agresorit” dhe “viktimës”. Zgjidhja e menjëhershme dhe e përhershme e këtij konflikti duhet të fillojë duke kërkuar që Armenia të tërhiqet që sot nga tokat e okupuara të Azerbajxhanit. Vetëm atëherë mund të fillojmë të flasim për një zgjidhje kuptimplote dhe paqësore.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet