Armenët sirianë i janë mirënjohës Turqisë për lirinë e tyre

“Pas operacionit jetojmë një jetë të qetë dhe të lumtur pasi rajoni u shpëtua nga terrori i DEASH-it. Nuk kemi presion nga askush në rajonin i cili ndodhet nën kontrollin e SNA-se”, tha 82-vjeçari Aduryan.

Armenët në rajonin Jarabulus të Sirisë, që u çlirua nga organizata terroriste DEASH nëpërmjet operacionit “Mburoja e Eufratit”, kanë deklaruar se jetojnë të lirë në këtë rajon duke shprehur falënderimet e tyre ndaj Turqisë dhe Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA).

Armenët, Artin Aduryan dhe Siron Çilingiryan, që jetojnë në rajonin Jarabulus të pastruar nga elementët e DEASH-it, kanë shpjeguar për Anadolu Agency (AA) përjetimet e tyre.

Aduryan tha se para operacionit “Mburoja e Eufratit” të ndërmarrë nga Turqia, ata përballeshin me presionet e organizatës terroriste DEASH, e cila kishte pushtuar këtë rajon.

“Pas operacionit jetojmë një jetë të qetë dhe të lumtur pasi rajoni u shpëtua nga terrori i DEASH-it. Nuk kemi presion nga askush në rajonin i cili ndodhet nën kontrollin e Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA)”, tha 82-vjeçari Aduryan.

Çilingiryan ka bërë të ditur se pas largimit të DEASH-it kanë filluar të marrin frymë lirisht në Jarabulus dhe se gjatë operacionit “Mburoja e Eufratit” ajo nuk është larguar nga qendra e Jarabulusit.

“Para ardhjes së ushtrisë së lirë më qëlluan në ballë me snajper në zonën pas qendrës kulturore, por plumbi vetëm më gërvishti. Në atë kohë në Jarabulus nuk kishte njeri dhe u mjekova vetë. Unë u gëzova pa masë, fluturova nga lumturia kur erdhën ata (ushtarët turq dhe SNA). Jemi të gjithë të gëzuar dhe të lirë”, tha Çilingiryan.

Çilingiryan tha se i është mirënjohëse presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me ç’rast tha se, “Fillimisht i dërgoj shumë përshëndetje dhe i puth duart. Na solle lirinë, ku falë jush po marrim frymë lirisht. Falënderoj edhe ushtarët e SNA-së të cilët me ushtarët e t’u erdhën tek ne. Shpreh mijëra falënderime që njerëzit e t’u na respektojnë shumë. Ushtria turke dhe SNA na siguruan lirinë e fesë. Askush tjetër nuk mund ta bënte këtë të mirë. Për mua Erdoğan është vëlla i madh, një njeri i vërtetë dhe një person shumë i ndjeshëm”.

“Tashmë jemi plotësisht të lirë”

“Më parë na përziheshin, madje edhe se ku shkonim dhe nga vinim. Por, tashmë ka liri të plotë, e cila është vendosur falë ushtrisë turke dhe SNA-së. Të na rrojë Erdoğan që na siguroi këtë, sepse tashmë jemi plotësisht të lirë. Mund të shkojmë dhe të vijmë ku të duam dhe nga aspekti i fesë askush nuk na bën presion. Çdo kush po përjeton lirinë e tij. Jemi sikur kemi lindur edhe njëherë”, tha Çilingiryan, duke shpjeguar se në kohën e DEASH-it janë përballur me presione.

Ndërkohë Çilingiryan ka reaguar edhe ndaj fjalëve se ushtria turke dhe SNA ushtrojnë presion mbi të krishterët.

“Kategorikisht nuk është e drejtë. Absolutisht këtu nuk ka patur një gjë të tillë. Këtu nuk të përzihet askush nëse e bën punën tënde në rregull. Këtu çdokush jeton i lirë. Jemi shumë të qetë kur e vendosim kokën mbi jastëk, sepse pas nesh qëndron një njeri si Erdoğan dhe SNA”, tha Çilingiryan.

Ajo njoftoi se luten për SNA-në dhe ushtrinë turke me fjalët: “Allahu u dhëntë jetë nga jeta ime SNA-së dhe ushtrisë së Erdoğanit. Sepse Erdoğani është një njeri i vërtetë. Ai ka qëndruar fuqishëm dhe i palëkundur pranë nesh”.

Qendra e rajonit Jarabulus në kufirin Siri-Turqi u çlirua nga organizata terroriste DEASH më 24 gusht të vitit 2016 në ditën e parë të operacionit “Mburoja e Eufratit”.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet