Ariu dënohet me vrasje, nga “vrasësit”!?

Asgjë nuk e ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik këto ditë, se sa fati i një ariu në Prizren. Shteti, mediat, e gjithë shoqëria civile, bashkë me qytetarët e shumtë, janë përfshirë në një debat të madh nëse ekzekutimi i ariut duhet të mbetet versioni i fundit, apo jo – shkruan Gazeta e Re.

Pas vendimit të Drejtoratit Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti, ku shpallet se: “Ariu i Murrmë, individi i cili ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë dëme në ekonomi bujqësore, blegtorale, deri në shkallën e vlerësimit të rrezikimit edhe të jetës së njerëzve në fshatin Pouskë, Komuna e Prizrenit, SHPALLET kafshë përkohësisht dëmtuese duke u lejuar vrasja e saj/tij”; u përfshinë edhe trupa nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Zyrtarë nga ky institucion, megjithatë kanë deklaruar se “FSK-ja nuk ka marrë asnjë detyrë apo angazhim konkret për ndjekjen e as kapjen e tij”, por ka ofruar ndihmë në menaxhimin e situatës së sigurisë për banorët e fshatit Pouskë të Prizrenit.

Mirëpo ende askush nuk u ka rënë në fije gjurmëve të ariut, ndërsa për ta kapur atë, është ftuar edhe një ekspert kroat. Kroacia, siç raportohet, ka probleme të shpeshta me arinj të murrmë, andaj edhe përvojë në menaxhimin e këtyre situatave.

Pjesa më e madhe e shoqërisë civile e ka kundërshtuar ashpër vendimin, siç po cilësohet; “skandaloz”, ndërsa këtij karvani i është bashkangjitur edhe Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka.

“Trajtimi i çështjes së ariut duhet të bëhet në formë tjetër dhe jo me anë të vrasjes së tij. Agjencia Pyjore e Kosovës do të ishte mirë që ta rishqyrtonte vendimin e saj dhe të jetë në gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje tjetër, pasi që ky vendim është në kundërshtim edhe me rekomandimet dhe qëndrimet e komisionit profesional të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimt Hapësinor” – ka shkruar ai në faqen e tij zyrtare në facebook, ndërsa e ka njoftuar opinionin që ka zhvilluar takime me institucionet relevante për të parë edhe mundësi të tjera, siç është ajo e “ndërrimit të habitatit të ariut”. Për këtë Haskuka ka kërkuar mbështetje edhe nga Pylli i Arinjve Prishtina, duke kërkuar me ngulm mbrojtjen e tij, si një pasuri të faunës së Kosovës.

Por nga Pylli i Arinjve Prishtina, ka ardhur një lajm dëshpërues, sipas së cilit nuk ka kapacitete të mjaftueshme për pranimin e kafshës në fjalë:

“-Aktualisht në PYLLIN E ARINJVE Prishtina nuk kemi hapësira adekuate (rrethoja) të gatshme për ta pranuar ariun e rritur në strehimore, të gjitha hapësirat janë të zëna me 19 arinjtë të cilët aktualisht i kemi nën përkujdesje,

-Në bazë të informatave që i kemi e besoj që këto i keni edhe ju se në rastin e fshatit Pousko nuk bëhet fjalë vetëm për një ari por për një grup të arinjve (3-4)” – thuhet në një arsyetim nga ky institucion.

Nga ana tjetër kritika të shumta u janë drejtuar krerëve institucional për vendimin fatal kundër ariut, duke i cilësuar madje ata edhe si vrasës. Kushtrim B. Mehmeti, artisti i njohur për instilacionet e tij, shpesh me karakter goditës kundër politikës, në një reagim ka shkruar se: “Një Ari, shqetëson një pjesë te një qyteti, ju bën dëme, ngjallë panik, vret, ua vështirëson jetën një fshati. Merret një shtet me të, dërgohet edhe ushtria, dhe ne fund, merret vendimi ekstrem për fatin e Ariut. Kurse një grumbuj “arinjsh” qe 20 vite na kanë bërë dëme, na kanë vështirësua jetën, na kanë vjedh, na kanë gënjyer, na kanë vra shpresën për me jetua në këtë vend dhe sot të njëjtit vendosin fatin e Ariut.”

Saga e kafshës, nuk dihet se si do të përfundojë me saktësi, por vala e reagimeve dhe debateve rreth tij, nuk është duke u shuar./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet