Arian Galdini: Edi Rama më shumë se Isa Mustafën, do të donte të kishte partner Vuçiqin

Arian Galdini është politikan me një eksperiencë jo të vogël në skenën politike në Shqipëri. Aktualisht drejton një subjekt të ri politik, Partinë për Liri, Demokraci dhe Etikë. Është magjistër i Shkencave Politike dhe Politikave Publike. Galdini është edhe ligjërues universitar në Tiranë. Ai ka qenë prej kohësh po ashtu i angazhuar në jetën e shoqërisë civile në Shqipëri.

Në një intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, Galdini flet për skenën politike në Shqipëri, protestën e organizuar nga partitë politike opozitare të drejtuara nga Partia Demokratike, dallimin mes Lulzim Bashës e Sali Berishës si kryetar të PD-së, punën e Qeverisë Rama si dhe raportin mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe atij të Kosovës, Isa Mustafa.

Ndër të tjera Galdini kur flet për bashkërendimin e kryeministrave Rama e Mustafa thotë “për Edi Ramën jam i sigurtë se më shumë se Isa Mustafën, do të donte të kishte partner Vuçiqin”.

GeR: Z. Galdini janë të shumta ngjarjet politike që e kanë përfshirë skenën politike në Shqipëri. Ku është Shqipëria sot?

Galdini: Shqipëria sot është në një gjendje pezullie. Qeveria ka dështuar me reformat, ka dështuar ekonomikisht, ka dështuar për të ndërtuar stabilitet, liri njerëzore, demokratike dhe ekonomike, ka dështuar në rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon, ka dështuar si faktor përbashkues dhe bashkërendues për shqiptarët, ka dështuar në detyrimin e saj kushtetues për t’u kujdesur për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë dhe Diasporë, ka dështuar në marrëdhëniet me fqinjët, ka dështuar në marrëdhëniet me partnerët strategjikë, e madje më keq akoma, është në simbiozë me krimin. Shqipëria qeveriset sot nga një pakicë mediokre dhe plaçkitëse e cila po zbret në ultësitë e saj morale dhe politike të gjithë shqiptarët. Sot Shqipëria ka një qeverisje që bëhet online nga Facebooku ose live nga TV. Shqipëria sot ka një qeverisje që po asimilon çdo shërbim e institucion publik, duke i dhënë ato me koncension ose me 3P (Partneriteti Publik Privat). Qeverisja e Shqipërisë sot mbron interesa të ngushta trafikantësh, përfaqësuesish të krimit të organizuar, të rëndë apo ordiner. Qeveria e Edi Ramës sot përfaqëson vetëm organizatën kriminale të kanabisizimit të Shqipërisë. Jemi pothuajse mes Shiles dhe Karibdes. Ndaj Shqipëria sot është edhe në protestë, sepse nuk ka me rrugë tjetër. Shqipëria ose do ta durojë e do t’i dorëzohet qeverisjes së simbiozës me krimin, ose do t’ia rikthejë fuqinë qytetarëve dhe udhës demokratizuese, kombëtarisht dhe perëndimorizuese.

GeR: Në syrin tonë duket sikur angazhimi i të bërit opozitë në Shqipëri nuk ndryshon. Janë PD në pushtet, PS nxjerrë njerëzit në protesta ose e kundërta. Cila është sot opozita në Shqipëri?

Arian Galdini me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Galdini: Po ka qenë kështu. E vërteta është se në këto 3 vite e gjysmë, opozita e pas qershorit 2013, është kritikuar pikërisht pse nuk ka qenë protestuese sikurse jemi mësuar e kulturuar në këto 25-26 vite demokraci. Vizioni i ri i kësaj opozite ka qenë modern, dinamik dhe alternativëqemtues. Ne si opozitë e kemi lënë fushën e lirë që sheshet e protestave të zhvilloheshin nga aktivizmi dhe shoqëria civile. E ja ku mbërritëm. Mbërritëm në një arrogancë të pashoqe qeveritare e sidomos në një zhytje kokë e këmbë të kësaj shumice politike në plaçkitje, krim e gjithfarësoj ligësish e paudhësish. Qeveria e Edi Ramës e pa sheshin e lënë të lirë nga opozita si një mundësi për të ndërtuar pa leje e betonizuar gjithçka me kullën e saj të krimit. Ndaj edhe ne vendosëm si opozitë që të zbresim në shesh e ngrihemi në këmbë, sepse Shqipëria rrezikon sot të kthehet në një rezervat krimi e kanabisi, ku edhe zgjedhjet parlamentare do të asimilohen duke u kthyer nën një shërbim koncensionar, ku çdo votë do të shitet e blihet me para në dorë. Nuk jemi në sheshin e qëndresës për të protestuar sepse nuk na pëlqen Qeveria. Jo. Jemi në sheshin e qëndresës sepse Qeveria nuk i pëlqen më qytetarët shqiptarë. Jemi në sheshin e qëndresës sepse Qeveria ose po i përzë qytetarët shqiptarë duke i detyruar të ikin, ose po i bashkëfajëson me krimin duke e kanabisizuar gjithë vendin, ose po u blen votat duke u hequr të drejtën që të zgjedhin. Është ndryshe, gjithçka ndryshe nga çdoherë tjetër. Nuk jemi opozitë në replikë të së dikurshmes. Jemi opozitë në qëndresë për të mbrojtur lirinë, dinjitetin, demokracinë, të drejtën e votës, e mbi të gjitha për të bërë Shqipërinë vendin e drejtë, të dashur dhe të lartësuar për çdo shqiptar.

GeR: Partia Demokratike ka pasur një proces zgjedhor dhe në krye të saj erdhi Lulzim Basha. A ka një dallim mes Bashës e Berishës që do të mund të quhej reformë brenda PD-së?

Galdini: Lulzim Basha është lideri i gjeneratës së re. Kam gjithë mirëbesimin dhe pandehmën pozitive se lidershipi i tij, ka cilësi të pashpalosura më parë në Shqipëri. Ai ka ditur të ecë me shumë kujdes e maturi mbi traditën, duke ndërtuar edhe trajektoren e tij të re. Jam i sigurt se Lulzim Basha do t’ia dalë mbanë që këtë trajektore të re ta kthejë edhe në një mekanizëm fitues për opozitën dhe qytetarinë në këtë vend që ka kaq shumë nevojë për dinjitet dhe fuqi qytetarie.

GeR: Kryeministri Edi Rama, për gjatë kësaj periudhe prej se është në krye të Qeverisë së Shqipërisë, për çka mund të mbahet mend?

Galdini: E vetmja gjë që mund të mbahet mend nga Edi Rama është dashuria e tij e madhe për Vuçiqin. Aq shumë e ka dashur Edi Rama, Vuçiqin sa i është dashur shpesh të mos ia hedhë fare sytë Kosovës, madje shpesh edhe ta harrojë ekzistencën e saj.

GeR: Z.Galdini ju jeni i angazhuar dhe e njihni edhe skenën politike në Kosovë. Si e vlerësoni punën e Qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa?

Galdini: Ju lutem më lejoni të mos jap gjykime mbi Qeverinë e Kosovës, sepse do të ishte krejt e pavend nga ana ime.

GeR: Kryeministrat Rama e Mustafa, në mendimin tuaj, a mund të konsiderohen se koordinojnë angazhimet e tyre për pozitën e shqiptarëve në rajon apo jo?

Galdini: Për Edi Ramën jam i sigurt se më shumë se Isa Mustafën, do të donte të kishte partner Vuçiqin./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet